Skip to content Skip to footer

Prezantohen në Tiranë gjetjet e sondazhit “Besimi në qeverisje” 2017

 

16 mars 2018 – Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) prezantuan gjetjet e sondazhit “Besimi në Qeverisje 2017”, i zhvilluar në nëntor 2017

Për vitin 2017, gjetjet tregojnë se institucionet publike që gëzojnë besimin më të madh janë: Forcat e Armatosura (63%), Institucionet e Arsimit Publik (63%), Institucionet e Shëndetit Publik (53%) dhe Policia e Shtetit (53%). Prokuroria (22%), Gjykatat (21%) dhe Partitë Politike (21%) rezultojnë të jenë institucionet më pak të besuara. Në lidhje me institucionet e tjera kombëtare, Institucionet Fetare (76%), Organizatat e Shoqërisë Civile (57%) dhe Media (54%) janë më të besuarat.

Krahasuar me vitin 2016, shtatë institucione kanë shënuar rritje në besim, përkatësisht: Qeveria (rritje me 3 pikë përqindje), Institucionet e Shëndetit Publik (rritje me 3 pikë përqindje), Institucionet e Arsimit Publik (rritje me 4 pikë përqindje), Parlamenti (rritje me 7 pikë përqindje), Forcat e Armatosura (rritje me 8 pikë përqindje), Shoqëria civile (rritje me 11 pikë përqindje) dhe Institucionet Fetare (rritje me 18 pikë përqindje).

Krahasuar me 2016, përqindja e të anketuarve që kanë besim tek bashkia e tyre qëndron e pandryshuar në 49%.

Krahasuar me 2016, katër institucione kanë shënuar rënie në besim, përkatësisht: Policia e Shtetit (ulje me 8 pikë përqindje), Media (ulje me 4 pikë përqindje); Presidenti (ulje me 3 pikë përqindje) dhe Partitë Politike (ulje me 2 pikë përqindje).

Në lidhje me Reformën në Drejtësi, perceptimet për zbatimin me korrektësi të saj në praktikë vazhdojnë të jenë të ndara, me 43% e të anketuarve që besojnë se Reforma në Drejtësi do të zbatohet me korrektësi, ndërkohë që 38% besojnë të kundërtën.

Gjatë 2017, Gjykatat janë perceptuar si më të prekshme ndaj ndikimit politik (72%), ndjekur nga Prokuroria (69%) dhe Policia e Shtetit (49%).

Të dhënat e Sondazhit të Opinionit për vitin 2017 tregojnë se 8 nga 10 të anketuar e konsiderojnë korrupsionin e nivelit të ulët (87%) dhe të lartë (88%) si të përhapur ose shumë të përhapur në Shqipëri. Megjithatë, të dhënat tregojnë një mospërputhje të dukshme midis perceptimeve mbi përhapjen e korrupsionit dhe përvojave personale të përballjes me fenomenin. Kur pyeten mbi përvojat personale, vetëm 21% e tyre raportojnë se kanë qenë dëshmitarë i të paktën një rasti korruptiv në qeverisjen e tyre vendore krahasuar me 15% në qeverisjen qendrore. Krahasuar me vitin 2016, për vitin 2017 shifrat e përballjes personale me korrupsionin në qeverisjen vendore janë rritur me 6 pikë përqindje, ndërsa për qeverisjen qendrore me 5 pikë përqindje.

Compared to 2016, the 2017 findings on personal exposure to corruption involving local government has increased by 6 percentage points, while for the central government by 5 percentage points.

Të pyetur mbi kredibilitetin e raportimit në media, vetëm një në çdo dy të anketuar (50%) mendojnë se informacioni i dhënë nga media është i saktë dhe i vërtetë. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar media ka pësuar një rënie prej 4%.

Të pyetur në një pyetjeje të hapur, 21% e të anketuarve konsiderojnë Gjykatat si institucioni më i korruptuar për 2017 të ndjekura nga Qeveria (16%), Institucionet e Shëndetit Publik (14%) dhe Parlamenti (9%).

Në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, të anketuarit kanë vlerësuar më mirë furnizimin me ujë të pijshëm (56%), shërbimet e pastrimit (57%), shërbimet e emergjencave (53%) dhe shërbimet e arsimit publik (54%). Shërbimet publike që janë vlerësuar më pak janë shërbimet e punësimit (74%) dhe gjykatat (73%) të ndjekura nga shërbimet e shëndetit publik (57%) dhe shërbimet sociale (55%).

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Znj.Senida Mesi, Zëvendëskryeministjra e Shqipërisë, Znj.Vasilika Hysi, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Z.Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri, përfaqësues të Avokatit të Popullit, përfaqësues të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përfaqësues të institucioneve qeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë dhe medias. Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Znj. Senida Mesi, në fjalën e saj u ndal veçanërisht tek reforma e shërbimeve administrative e cila po krijon një kulturë të re të punës atë të shërbimit dhe kujdesit ndaj qytetarit si ndaj klientit përmes përmirësit të cilësisë së shërbimeve të integruara e me një ndalesë / online. Znj. Mesi u shpreh se: “duke rindërtuar një sistem të ri vlerash, po shërojmë sëmundjen e cinizmit dhe mosbesimit ndaj shtetit: Shqiptarët kanë nevojë dhe meritojnë shërbime cilësorë, të modernizuara dhe dixhitale që ua lehtëson jetën dhe punën dhe kjo rrit besimin tek shërbimet dhe administrata publike.” Ajo sugjeroi që studimi në vitin e ardhshëm të përqëndrohet veçanërisht tek shërbimet publike e administrative në nivel qendror.

Znj. Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh se “Ne e kemi detyrim dhe kemi marrë një angazhim, që çdo studim, vlerësim, gjetje nga monitorimet që bëjnë institucionet ndërkombëtare apo vendase, apo edhe shqetësimet që kanë individët të marrin një përgjigje”. Znj. Hysi vuri në dukje se me miratimin e Kodit të Etikës, do të rritet edhe besimi i publikut tek mënyra sesi performon Kuvendi i Shqipërisë. Më pas zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Hysi bëri një analizë të detajuar të elementëve të sondazhit, lidhur me besimin, transparencën, luftën kundër korrupsionit në Kuvendin e Shqipërisë.

Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri nënvizoi se “Trendet pesëvjeçare tregojnë se besimi po rritet ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme, në Qeverinë Qendrore, në Parlament, në Institucionet e Shëndetit dhe Arsimit Publik, në Institucionet Fetare dhe në Shoqërinë Civile. Mendoj se kjo nuk ka ardhur nga asnjë zgjedhje apo politikë e vetme, por nga një mori përpjekjesh reformimi, nga ekspozimi i përsëritur i qytetarëve ndaj institucioneve që po përpiqen të orientohen drejt qytetarit dhe të fitojnë besimin e tyre. Raporti gjithashtu shpërfaq disa shenja paralajmëruese, duke theksuar fushat që kanë nevojë për vëmendje. Nivelet e besimit në gjyqësor janë shumë të ulëta dhe, që nga nëntori 2017 të paktën, përcjellin një skepticizëm kokëfortë për suksesin e Reformës në Drejtësi.”

Tryeza u moderua nga Znj.Elona Dhëmbo, Këshilltare e Lartë, IDM. Znj.Aleka Papa, bashkë-autore e raportit, prezantoi gjetjet kryesore.

Pasqyrimin e aktivitetit në mediat sociale mund ta ndiqni me hashtag-un #BesimiNeQeverisje

Rreth Sondazhit të Opinionit “Besimi në Qeverisje”Sondazhi i Opinionit 2017 “Besimi në Qeverisje” është zhvilluar për të pestin vit radhazi. Ai shqyrton perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi. Sondazhi është zhvilluar duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm. Mbledhja e të dhënave është kryer gjatë periudhës 17-30 nëntor 2017. Një total prej 1647 qytetarësh u intervistuan në 61 bashkitë e Shqipërisë.

Sondazhi i Opinionit mbështet nga PNUD Shqipëri përmes projektit “Mbështetje për inovacionin kundër korrupsionit: Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin në Shqipëri”.

Për më shumë informacion

Mund të shkarkoni raportin duke klikuar për variantin në Anglisht ose Shqip.