Skip to content Skip to footer

COVID-19 dhe sfida e Shqipërisë për qeverisje demokratike

 

 

*Ky blog është publikuar si pjesë e nismës rajonale të blogut “Tragime nga rajoni” lidhur me përvojën e COVID-19 në Balkanin Përendimor, publikuar nga 24 korrik 2020 deri më 6 qershor 2020. Kjo nismë zbatohet nga Res Publica (Maqedoni e Veriut), në bashkëpunim me Institutitin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (Shqipëri), Analiziraj.ba (BeH), KIM Radio (Kosovë), Sbunker (Kosovë), nisma qytetare „Ne Davimo Beograd“ (Serbi) dhe PCNEN (Mali i Zi).

 

Autorët: Alban Dafa dhe Redion Qirjazi

Qeveria shqiptare reagoi shpejt për të parandaluar përhapjen e COVID-19, por pandemia i dha mundësi ekzekutivit të zgjerojë pushtetin e tij nëpërmjet injorimit të kritikave ndaj vendimeve të marra, kontrollit të perceptimin të publikut, prishjes së mekanizmave të kontrollit dhe barazpeshës së pushtetit, si dhe duke injoruar proceset demokratike.

 

Përballja me pandeminë

Më 9 Mars 2020, Shqipëria regjistroi dy rastet e para të COVID-19; dy persona që u kthyen nga Firence, Itali. Deri më 30 qershor, nga të dhënat zyrtare shqiptare raportohen gjithsej 2580 raste, nga të cilat 1516 janë shëruar, 65 pacientë kanë vdekur dhe 999 raste janë ende aktive. Gjithsej janë testuar 23869 persona.

Qeveria shqiptare ka ndërmori një sërë hapash për t’u përgatitur për krizën, siç tregohet në disa prej vendimeve të marra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, megjithëse publiku nuk ishte i njoftuar në mënyrë proaktive për to. Disa nga masat parandaluese ishin: udhëzime për përgatitjen kundër përhapjes së mundshme të COVID-19 (24 janar), formimin e komitetit të përkohshëm dhe grupit të punës për të parandaluar përhapjen e Covid-19 (31 janar), përgatitjen e shërbimit karantinë plotësisht funksional (26 shkurt), ndalimin e eksportit të furnizimeve të nevojshme mjekësore (8 Mars).

Vendimet e tjera të ndërmarra në këtë drejtim ishin sigurimi i hapësirave dhe burimeve shtesë për të trajtuar pacientët me Covid-19, mbyllja e shkollave, kufizimi e tubimeve publike, kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe kufizimi i bizneseve të ndryshme jo thelbësore, siç janë berberët dhe dyqanet e veshjeve. Më 11 mars, qeveria ndryshoi e ligjin për parandalimin e sëmundjeve infektive për të mundësuar nëpërmjet një akti normativ, në mënyrë që ushtria dhe forcat e armatosura të përfshiheshin në zbatimin e masave kufizuese së bashku me policinë e shtetit shqiptar, përpara se të deklarohej gjendja e katastrofës natyrore sipas dispozitave kushtetuese. Gjendja e katastrofës natyrore u shpall në 24 mars, dhe ne 23 prill u shty nga Kuvendi deri më 23 qershor 2020, duke vijuar kështu kufizimi i lirisë së lëvizjes, i të drejtës për punë dhe të drejtës për grevë.

Më 30 Prill, Qeveria filloi të heq disa prej kufizimeve të karantinës duke krijuar më shumë zona “të gjelbra” dhe duke kufizuar lirinë e lëvizjes vetëm gjatë fundjavave. Restorantet dhe kafenetë u hapën në 18 maj dhe deri më 1 qershor; qeveria i hapi të gjithë kufijtë tokësor, plazhet publike dhe bizneset e tjera, por vazhdoi të vlejë ndalimi për ngjarjet sportive dhe kulturore me publik më të madh si masë parandalimi. Midis 2 dhe 14 qershorit, Shqipëria pati një rritje drastike të numrit të pacientëve të infektuar me Covid-19 dhe për këtë arsye kryeministri deklaroi se ishte duke konsideruar rivendosjen e masës karantinë, por nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshme në atë drejtim. Sidoqoftë, vlen të përmendet se në këtë periudhë të shkurtër dy javore, Shqipëria regjistroi 426 raste të reja të Covid-19, afërsisht 27% të të gjitha rasteve.

 

Rënia ekonomike

Me numrin në rritje të njerëzve të infektuar me COVID-19, opinioni publik u zhvendos në favor të masave qeveritare. Reagimi i shpejtë i qeverisë u mirëprit edhe nga Organizata Botërore e Shëndetit. Sidoqoftë, qytetarët dhe bizneset e vogla kanë mbetur dyshues në lidhje me planin e qeverisë për mbështetje financiare – duke përfshirë kompensimin financiar për punëtorët që nuk kanë marrë rroga si dhe uljen e taksave për bizneset e vogla.

Source: de.reuters.com

Për shkak të pa parashikueshmërisë së tregut financiar gjatë krizës së shkaktuar nga COVID-19, bankat kufizuan dhënien e kredive për bizneset e vogla. Ndërkohë që disa biznese po rimëkëmben me vështirësi, bizneset e tjera kanë falimentuar dhe shumë pronarë biznesesh besojnë se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë. Sektori i turizmit ka të ngjarë të vuajë dëmet më të mëdha për shkak të kufizimit të udhëtimimeve me vendet e huaja, shumë prej të cilave janë ende në fuqi.

Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare do të ulet me 5-6% dhe papunësia mund të rritet me 25% nëse kriza vazhdon gjatë verës, edhe me 45% deri në fund të vitit. Ekspertët besojnë se nëse merret parasysh tregu joformal i punës, shkalla e papunësisë mund të arrijë 100,000 deri në fund të vitit 2020, veçanërisht pasi sektori më informal në Shqipëri është edhe më i prekuri – turizmi.

Banka Botërore gjithashtu parashikon se remitancat nga jashtë vendit sipas gjasave do të bien me rreth 20%, dhe Evropa Juglindore do të jetë një nga rajonet më të prekura. Kjo do ta bëjë rënien ekonomike në Shqipëri edhe më të dhimbshme.

 

Zhvillimet shoqëroro-politike

Gjatë karantinës ndodhën disa ngjarje të rëndësishme në skenën shoqëroro-politike shqiptare. Së pari, më 25 mars, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi fillimin e negociatave me Shqipërinë, me kusht që vendi të plotësojë 15 kushtet e përcaktuara, përfshirë zbatimin e reformave zgjedhore dhe gjyqësore.

Së dyti, qeveria shqiptare lëshoi akte normative për ndryshimet ligjore për zbatimin e masave të karantinës dhe kufizimin e proceseve gjyqësore vetëm raste urgjente, duke anashkaluar Kuvendin në procesin e vendimmarrjes për ndryshimet.

Së treti, kriza gjithëpërfshirëse institucionale dhe kushtetuese i ka dhënë fuqi dominuese ekzekutivit, ndërsa përpjekjet e sektorit të shoqërisë civile shqiptare për të kufizuar pushtetin e qeverisë nuk kanë dhënë rezultat. Kryeministri e injoroi  letrën e hapur të organizatave shqiptare të shoqërisë civile nëpërmjet të cilës kritikonin ndryshimet në Kodin Penal si jo proporcionale dhe si shkelje të dinjitetit njerëzor, duke qenë se shkelja e kufizimeve të karantinës parashikohej të dënohej me burgim deri në 15 vjet.

Së katërti, dispozitat e reja për shkeljet e karantinës të përfshira në Kodin Penal lejuan policinë të arrestojë disa aktivistë të shoqërisë civile të cilët protestonin në sheshin “Skënderbej”. Zbatimi i dispozitave arriti kulmin me largimin me forcë dhe arrestimin e aktorëve dhe aktivistëve të cilët kishin zaptuar ndërtesën e Teatrit Kombëtar për të parandaluar shembjen e tij, gjë që në fund ndodhi më 17 maj. Shembja shkaktoi protesta paqësore gjatë gjithë ditës ndërsa policia reagoi me arrestimin dhe rrahjen e protestuesve.

Mbulimi mediatik gjatë pandemisë në masë të madhe favorizoi qeverinë, e cila monopolizoi  “përmbajtjen, kohëzgjatjen dhe hapësirën mediatike” gjatë pandemisë. Rrjedhimisht, retorika dhe thirrjet e kryeministrit Rama drejtuar qytetarëve – sikur të ishte gjendje lufte –  “për t’u mbrojtur nga media”, së bashku me hapësirën e zvogëluar të mediave publike, rezultuan me zvogëlimin e transparencës dhe llogaridhënies gjatë kësaj periudhe. Asnjë hetim thelbësor nuk është kryer në lidhje me reagimin e qeverisë ndaj krizës dhe aftësive institucionale dhe teknike të saj. Qëndrimi ndaj politikave të qeverisë filloi të ndryshojë gradualisht pas reagimit të dhunshëm ndaj protestave paqësore të shkaktuara nga shembja e Teatrit Kombëtar.

Ndryshimet në ligjin për parandalimin e sëmundjeve infektive përmes një akti normativ dhe miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal përmes një procedure të përshpejtuar parlamentare tregojnë se qeveria shqiptare ka shfrytëzuar kushtet e pandemisë dhe krizës aktuale institucionale dhe kushtetuese për të zgjeruar më tej pushtetin ekzekutiv. Aktet normative dhe proceset e përshpejtuara legjislative janë bërë një model sipas së cilit qeveria ndryshon ligjet. Këto veprime kanë anashkaluar sektorin e shoqërisë civile shqiptare nga procesi i vendimmarrjes duke mos kryer procesin e konsultimit publik.

 

Ç’ pritet më tej?

Me shumë gjasë, rritja e numrit të rasteve të reja të COVID-19 në 3 javët e para të qershorit të vitit 2020 nuk do të shkaktojë kufizime të tjera domethënëse në Shqipëri për dy arsye kryesore:

Së pari, autoritetet shëndetësore shqiptare e parashikuan rritjen e menjëhershme të numrit të të infektuarve dhe ata besojnë se trajtimi është i mundshëm me situatën aktuale të shkallës së infeksionit. Për këtë arsye, Komiteti Teknik i Ekspertëve, ndër të tjera, më 12 qershor arriti në përfundim se nuk do të ketë kthim mbrapa nëse shkalla e infeksionit mbetet në nivelin aktual.

Së dyti, për shkak të presionit në rritje mbi qeverinë shqiptare nga ekonomia në rënie, një mbyllje tjetër e plotë do të ishte jashtëzakonisht jopopullore dhe në dëm të qytetarëve. Një vendim i tillë do të sillte pasoja negative politike dhe do të ishte gjithashtu në kundërshtim me synimet e shumë vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, shembullin e të cilave qeveria shqiptare ka prirje ta ndjekë për të parandaluar një karantinë e re me çdo kusht.

“Normalja e re” në mënyrë të pashmangshme me vete do të sjellë pasiguri dhe frikë, sepse kërcënimi i virusit mbetet në prapavijë dhe nuk mund të çrrënjoset. Ndjenja e pasigurisë është edhe më e keqe sepse qeveria ka qenë e shqetësuar më shumë për të treguar se kriza e pandemisë është nën kontroll, në vend që të planifikojë reforma thelbësore për sistemin shëndetësor dhe ekonominë e vendit. Edhe pse qeveria ka reaguar shpejt për të ndërtuar infrastrukturën mjekësore për t’iu përgjigjur pandemisë, rastet e reja për të cilat lidhen me  infektime në ambientet mjekësore, tregon se nuk është zbatuar protokoll i rreptë. Për më tepër, rimëkëmbja ekonomike e vendit do të jetë e vështirë. Masat e ndërmarra nga qeveria për t’iu përgjigjur krizës ekonomike ishin të pakta, ndërsa mbyllja e një fabrike prodhuese nga Inspektorati Shëndetësor pasi pesë punonjës u konfirmuan si pozitivë, tregon se nuk ka masa thelbësore për të parandaluar vështirësitë e mëtejshme ekonomike.

Qeveria duhet të komunikojë më mirë me publikun. Publiku duhet të jetë i informuar për natyrën e kujdesit shëndetësor dhe sfidat ekonomike të së ardhmes, në mënyrë që t’u besojë autoriteteve dhe t’i respektojë masat parandaluese të detyrueshme. Njëkohësisht, qeveria duhet të forcojë zbatimin e protokolleve parandaluese, veçanërisht në institucionet e kujdesit shëndetësor, për të siguruar që është e gatshme t’i bëjë ballë valës së dytë, pa rivendosur dispozitat e karantinës duke ndërtuar besimin te publiku përmes transparencës dhe llogaridhënies më të madhe.

 

Rreth authoresh: Alban Dafa është pjesë e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim si hulumtues për çështje të sigurisë dhe qeverisjes. Ai ka shërbyer në Forcën Detare Shqiptare si komandant anijesh patrulluese, navigator dhe hidrograf. Gjatë shërbimit të tij, ka qenë gjithashtu i përfshirë në përshtatjen dhe zbatimin e programeve të standartizimit të NATO-s, si dhe ka qenë i angazhuar në përpjekje për të zgjeruar qëllimin dhe kapacitetet e Shërbimit Hidrografik Shqiptar. Albani është diplomuar në vitin 2011 në shkenca politike pranë Akademisë së Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2016 u diplomua për M.A. për Politikën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lindjes së Mesme nga Universiteti i Ekseter në Mbretërinë e Bashkuar.

Redion Qirjazi është Menaxher i Programit të Sigurisë në IDM. Puna dhe interesat e tij kërkimore lidhen me çështjet e sigurisë kombëtare, mbrojtjen, terrorizmin, zgjidhjen e konfliktit, ekstremizmin e dhunshëm, praktikat e antikorrupsionit, integritetin e sektorit publik dhe qeverisjen e mirë. Më herët, Redioni ka shërbyer për 7 vjet si oficer në Ushtrinë Shqiptare ku ka mbajtur detyra të ndryshme komandimi. Ai zotëron një M.A. në Siguri të Aplikuar dhe Strategji nga Universiteti i Exeter (U.K.) dhe një BSc në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Akademia Ushtarake e Shteteve të Bashkuara (West Point, U.S.A.).