sqen

Progresi dhe sfidat në përafrimin e agjendës evropiane të zhvillimit rural dhe bujqësor në Shqipëri

Progresi dhe sfidat në përafrimin e agjendës evropiane të zhvillimit rural dhe bujqësor në Shqipëri

Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) me mbështetjen e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) , organizoi më 15 janar 2020 në ambientet e EU House Tryezën e Diskutimit ‘Agjenda Evropiane e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor në Shqipëri: Progresi dhe sfidat në të ardhmen’. Rreth 40 pjesëmarrës, ndër të cilët përfaqësues të lartë të institucioneve kryesore të sektorit, anëtarë të Komitetit Monitorues të programit IPARD II, të donatorëve kryesorë që mbështesin reformat bujqësore dhe rurale, akademikë dhe ekspertë, përfaqësues të organizatave anëtare të ANRD dhe të tjera aktive në zhvillimin rural dhe bujqësor morrën pjesë në këtë tryezë.

Tryeza e diskutimit sikurse synonte,  ndau gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Monitorues të Shoqërisë Civile mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE)|Kapitulli 11 Bujqësia dhe Zhvillimi Rural. Raporti monitorues u realizua përgjatë periudhës gusht-dhjetor 2019 dhe synoi të ofronte një panoramë të ecuricë së politikave bujqësore dhe zhvillimit rural në kuadër të zbatimit të PKEI për periudhën 2009-2019, me fokus në kapacitet ligjore dhe institucionale dhe së dyti; të ofronte rekomandime të bazuara në evidenca për të inkurajuar debatin publik mbi përafrimin me kërkesat e BE-së.

Raporti monitorues i PKIE-së, Kapitulli 11 Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, është reflektim i përpjekjeve të ANRD dhe anëtarëve të vet në monitorimin dhe analizën e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural si dhe në inkurajimin e pjesëmarrjes së publikut në procesin e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE.  Një ushtrim i tillë monitorues rreth efektivitetit të përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare dhe punës në zbatimin e angazhimeve në lidhje me integrimin evropian shërben si një shtysë për të krijuar hapësira dhe nxitur pjesëmarrjen dhe kontributin qytetar në proceset reformuese të përafrimit me EU Acquis në bujqësi dhe zhvillim rural.

Tryezën e çeli Koordinatorja Kombëtare e ANRD, Evelina Azizaj, e cila mirëpriti të pranishmit dhe theksoi se një aktivitet i tillë është pjesë e përpjekjeve për të konsoliduar rolin e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural në proceset integruese në përafrimin me politikën e BE-së për zhvillimin rural në kuadër të zbatimit të projektit të mbështetur nga BE. “Në sajë të projektit, ANRD dhe organizatat anëtare do të përfaqësojnë aktorë të rëndësishëm në një seri nismash konkrete dhe procesesh që avancojnë interesat e komuniteteve rurale si dhe përshpejtojnë procese reformuese të sektorit” – nënvizoi zj Azizaj në fjalën e saj. Shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për sigurimin e një procesi të qëndrueshëm të integrimit evropian.

Kliko këtu për të parë të plotë Raportin e Monitorimit të Shoqërisë Civile mbi Zbatimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian.

Në këtë kontekst, diskutimet e panelit të parë u fokusuan në rolin e shoqërisë civile në proceset reformuese të sektorit bujqësor dhe rural.

Z. Sotiraq Hroni, nënvizoi rolin e shoqërisë civile dhe sfidat që vështirësojnë në ushtrimin e këtij roli. Në vëmendje të të pranishmeve, z. Hroni solli rolin e ANRD si një nga organizatat më të rëndësishme të shoqërisë civile që ka luajtur rol kyç përsa i përket advokacisë, lobimit, ndërtimit të kapaciteteve, krijimit të kapitalit social etj. Ende mbeten çështje kritike që kërkojnë vëmendje si dhe më shumë përfshirje të shoqërisë civile, si për shembull Programi i 100 fshatrave, ngritja e kapaciteteve absorbuese të vendit në kuadër të ndihmës së huaj, fuqizimi i rolit të bashkive në zhvillimin rural, miratimi i kuadrit ligjor për Grupet Lokale të Veprimit (GLV-ve) dhe krijimi i partneriteteve tripalëshe etj. Në përfundim të fjalës, z. Hroni prezantoi edhe platformën e Parlamentit II Rural Shqiptar i cili do të organizohet nga ANRD në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës më 2-3 prill 2020. Temat kryesore të Parlamentit të dytë janë: a) Strategjia e re Ndërsektoriale e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; b) Përmirësimi i Skemave Kombëtare Mbështetëse për bujqësisë dhe zhvillimin rural; c) Lëvizja rinore rurale; d) Qasja LEADER. Motoja e këtij Parlamentit do të jetë: Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë rajoni (kjo moto lidhet me përafrimin mbështetjes buxhetore të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri me vendet e Ballkanit Perëndimor).

Z. Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural theksoi se ky aktivitet është mirëpritur nga ana e Ministrisë dhe tematika konsiderohet një çështje kyçe. Lidhur me përpjekjet e Ministrisë në komunikimin e proceseve dhe reformave të sektorit dhe sigurimin e pjesëmarrjes së aktorëve të interesit ka vend për përmirësime, ndërkohë që shumë punë është bërë. z. Hoti theksoi se partnerët e pare të Ministrisë janë grupet e fermerëve dhe marrëdhëniet e Ministrisë me ta janë përmirësuar. Gjithashtu, z. Hoti informoi më tej rreth statusit aktual të kuadrit ligjor të GLV-ve, bashkëpunimit midis Ministrisë dhe UBT dhe mbështetjes së kërkimit shkencor, nxitjen e angazhimit të të rinjve në bujqësi, gjallërimit të aktiviteteve të agroturizmit, etj. në mbyllje të fjalës. Z. Hoti edhe njëherë theksoi se MBZHR mbetet e hapur për bashkëpunim me shoqërinë civile.

BE përfaqëson një nga donatorët e rëndësishëm përsa i përket mbështetjes që i ofron OSHC-ve për të përmirësuar rolin dhe kontributin e tyre në proceset integruese. z. Ghitescu, Menaxher Programi për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, nënvizoi se në formulimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave publike duhet të krijohen mundësira dhe të nxitet përfshirja e shoqërisë civile. Sipas z. Ghitescu rëndësi parësore ka të dëgjuarit aktiv të njerëzve dhe komuniteteve, ku shoqëria civile mund të ndihmojë shumë sidomos gjatë procesit të negociatave dhe përgatitjes së hyrjes në BE. Ndër të tjera ai tha: Shoqëria civile duhet të ndihmojë njerëzit të kuptojnë se rezultati i Integrimit nuk është abstrakt, por lidhet me arritjen e një jete më të mirë…Qasja LEADER ka rëndësi të veçantë sepse është një mënyrë e re për prioritizimin e nevojave të komuniteteve rurale.”

Gjetjet dhe rekomandimet e raportit monitorues : Prof.Asoc Edvin Zhllima, Ekspert i Politikave të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Universiteti Bujqësor i Tiranës u ftua të prezantonte gjetjet dhe rekomandimet kryesore të Raportit Monitorues të PKIE, Kapitulli 11 Bujqësia dhe zhvillimi rural. Kliko këtu për më shumë info mbi gjetjet dhe rekomandimet.

Znj. Lauresha Grezda, Drejtore e Politikave & Strategjive të Zhvillimit të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore & Zhvillimit Rural, në vijim të takimit theksoi se angazhimi dhe përfshirja e shoqërisë civile dhe konsultimet me grupet e interesit po vlerësohen gjithnjë e më shumë nga Ministria. Për më tepër që bashkëpunimi është i nevojshëm për shkak të kompleksitetit që ka reforma e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Znj. Grezda, informoi pjesëmarreësit se me mbështetjen e GIZ po përgatitet strategjia e re e zhvillimit bujqësor dhe rural dhe së shpejti do të prezantohet kalendari i aktiviteteve për hartimin e strategjisë ku grupet e interesit janë pjesë e grupit të punës. Në përgjigje të gjetjeve të raportit zj. Grezda nënvizoi zhvillimet më të fundit:

  • Aktualisht është miratuar kuadri ligjor i skemave të cilësisë; rreth standartet e cilësisë janë konsultuar SHBB, grupe prodhuese, konsulentë, institucionet e dekoncentruara, pushteti vendor etj’;
  • Në lidhje me regjistrin e tokës, është në proces vendosja e sistemit IACS. Aktualisht janë rreth 7000 fermerë të regjistruar në skemën e AZHBR;
  • Në lidhje me ndryshimin e numrit të masave të skemave mbështetëse, skemat kanë ndryshuar në funksion të fondeve në dispozicion. Matja e impaktit të tyre varet nga burimet dhe mundësite teknike dhe financiare;
  • Aktualisht është ofruar ndihmë nga ekspertë të TAIEX për vendosjen e sistemit FADN;
  • Konsultimi publik realizohet nëpërmjet krijimit të grupeve të punës;
  • Ndërsa është hartuar PKIE për dy vitet në vazhdim, ende ka nevojë për asistencë. Ka shumë rëndësi të monitorohet e të matet edhe impakti i fondeve të donatorëve në Shqipëri;
  • Në lidhje me Reformën e Këshillimit, ka një Plan Veprimi ndërsa për reformën e Veterinarisë ligji përkatës është gati. Nga ana e Ministrisë jemi në dispozicion për cdo iniciativë apo ide të re nga ANRD apo aktorët e interesit.

I ftuar në panel në rolin e komentuesit kryesor ishte i pranishëm edhe Prof.Fatbardh Sallaku, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Universiteti Bujqësor i Tiranës. Prof. Sallaku në fjalën e tij përshëndeti nismën dhe vlerësoi kontributin për punën dhe seriozitetin në sipërmarrjet e ndërmarra nga ANRD, duke identifikuar nevojën e shoqërisë civile në zonat rurale më të largëta. Duke marrë si referencë diskutimet në Parlamentin I Rural (2017), të gjithë problemet e diskutura tashmë pas dy vjetësh janë po njësoj. Prof. Sallaku nënvizoi nevojën për analizën e indikatorëve të  ISARD, për të përftuar një panoramë reale të gjendjes.  Ndër të tjera Prof. Sallaku përmendi: “Problemet janë akoma të pazgjidhura, më kryesorja është cështja e pronësisë, moszgjidhja e së cilës do të cojë në dështimin e cdo politike në fushën e zhvillimit bujqësor dhe rural”.

Nga pjesëmarrësit, mori fjalën Albora Kacani, përfaqësuese e Federatës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave Komunale e cila theksoi nevojën e vendosjes në qendër të politikave fermeri dhe qasja e integruar. Në emër të Federatës zj. Kacani kërkoi përfshirjen e sektorit të pyjeve në hartimin e strategjisë se re. Në përfundim të takimit, zj Azizaj theksoi rëndësinë e diskutimeve të sinqerta të cilat vënë theksin në problemet reale të zhvillimeve të sektorit. Ndërgjegjësimi mbi problematikat të sjell më afër me zgjidhjen. E megjithatë, pavarësisht angazhimeve dhe dinamikave në politikat bujqësore dhe rurale, është evidente nevoja për më shumë advokaci dhe vullnet politik për të realizuar reformat e synuara.

Parlamenti II Rural është një mekanizëm advokacie që synon të sigurojë më shumë mbështetje dhe vullneti politik. Gjithashtu ka nevojë për të përmirësuar njohuritë rreth procesit të pranimit, të proceseve evropiane dhe të BE në përgjithësi për aktorët e interesit dhe publikut në përgjithësi. Ndërsa mungesa e njohurive rreth proceseve është e dukshme, sfidat në proceset dhe reformat jo të lehta të sektorit, megjithatë ka interes dhe entuziazëm ndër organizatat e shoqërisë civile të përfshira në zhvillimin rural që duhen përdorur për të tejkaluar këtë boshllëk.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit: Rrjetëzim për Zhvillimin Rural me Pjesëmarrje