Indeksi i Integritetit Institucional është një instrument metodik i cili ka për qëllim të monitorojë zbatimin e planeve të integritetit të institucioneve publike dhe ndikimin që kanë pasur këto masa në forcimin e integritetit të institucioneve. Hartuesi kryesor i këtij instrumenti është Boris Divjak, bashkëpunëtor i Transparency International, me përvojë të gjatë në vlerësimin e integritetit të institucioneve në vendet e Evropës Juglindore. Instrumenti u pilotua në dy institucione publike, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në sajë të gjetjeve të procesit të testimit, instrumenti u finalizua dhe u hartuan rekomandime metodologjike për zbatimin e këtij vlerësimi.
Ky indeks i integritetit është përgatitur për t’u zbatuar nga aktorë të shoqërisë civile, ekspertë të informuar dhe të përfshirë në luftën kundër korrupsionit dhe për qeverisjen e mirë. Mbi 30 ekspertë të lartë nga akademia, media dhe organizatat e shoqërisë civile u trajnuan në fillim të muajit shkurt 2024, me qëllim përdorimin praktik të këtij instrumenti.
Indeksi i Integritetit Institucional vlerëson:
- kuadrin rregullator dhe institucional për promovimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit;
- kapacitetet institucionale për përmbushjen e objektivave të integritetit të vendosura nga institucioni nëpërmjet planeve të integritetit;
- nëse institucioni e realizon veprimtarinë e tij në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
- transparencën dhe llogaridhënien e institucionit ndaj përfituesve të shërbimeve që ofrojnë.
Klikoni për të shkarkuar dokumentin në shqip dhe anglisht.
Ky publikim është realizuar në kuadër të projektit ”Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike” zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen financiare të Agjencisë Suedeze për Bashkëveprim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Ambasada Suedeze në Tiranë.