Skip to content Skip to footer

BLOG: Kriminalizimi i “tradhtisë” bashkëshortore

Kriminalizimi i “tradhtisë” bashkëshortore

Autor: Rovena Sulstarova

Këto ditë po qarkullojnë në media ndryshimet e propozuara për Kodin Penal, në lidhje me kriminalizimin e tradhtisë gjatë martesës apo bashkëjetesës me një ose disa partnerë në të njëjtën kohë. Sipas parashikimeve të Kodit të Familjes në vendin tonë, martesa lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje, të cilët përftojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime. Një nga detyrimet reciproke që lind nga institucioni i familjes është dhe besnikëria e cila përbën gur themelin e besimit dhe angazhimit në një marrëdhënie.

Tradicionalisht “’besnikëria”’ është konsideruar një detyrim moral dhe jo një çështje për ndërhyrje ligjore siç parashikohet me ndryshimet e reja të propozuara të Kodit Penal. Më konkretisht ky propozim parashikon: “Mbajtja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë, apo bashkëjetesa me një apo më shumë partnerë/e në të njëjtën kohë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet”.

Ndërsa shkelja e besnikërisë mund të ketë pasoja të thella personale dhe emocionale tek individët që janë në një marrëdhënie, lind pyetja nëse kriminalizimi i tradhtisë me këto ndryshime ligjore është një hap i justifikueshëm.

Te institucioni i martesës rrinë së bashku morali dhe ligji, mirëpo ato janë sfera të ndara që nuk mund t’i mbivendosen njëra-tjetrës. Besnikëria është mbajtur prej kohësh si një vlerë morale dhe etike brenda shoqërive. Ajo është në thelb një çështje e përgjegjësisë personale dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis individëve në një marrëdhënie. Kriminalizimi i shkeljeve të besnikërisë e fut shtetin në sferën intime. Ky është një hap që formalisht nuk ka guxuar ta bëjë as shteti totalitar, i cili tradhtinë bashkëshortore e dënonte tërthorazi dhe në mënyrë selektive, mbi kritere politike.

Ndryshimet e propozuara prekin edhe të  drejtën e privatësisë  e cila përbën një të drejtë themelore të njeriut që përfshin autonominë personale dhe lirinë për të bërë zgjedhje brenda kufijve të ligjit. Marrëdhëniet intime bien nën ombrellën e jetës private dhe individët kanë të drejtë të vendosin se si do t’i drejtojnë punët e tyre personale. Në martesa apo familje krisjet e dashurisë dhe të respektit i ndërsjellë nuk mund t’i ngjisë ligji. Gjithashtu, në rastin kur të dyja palët/individët  janë të vetëdijshëm dhe pranojnë një strukturë marrëdhëniesh jotradicionale, ose në rastin kur ata janë faktikisht të ndarë, por kanë arsye për të mos iu drejtuar gjykatës për ta formalizuar këtë gjë, kriminalizimi i lidhjeve që ata kanë me partnerë të tjerë, mund të shihet si i padrejtë dhe shkelje e së drejtës për të përcaktuar në mënyrë konsensuale kushtet e marrëdhënies së dikujt. Në përgjithësi,  edhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut  synon të vendosë një ekuilibër midis të drejtave individuale dhe interesave shoqërore. Ajo njeh të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare (neni 8 i KEDNJ), por kjo e drejtë nuk është absolute dhe mund të jetë subjekt i kufizimeve, me kusht që të jenë proporcionale dhe të nevojshme në një shoqëri demokratike.

Shoqëria në vend të, kriminalizimit të shkeljeve të besnikërisë, mund të promovojë edukimin, këshillimin dhe mbështetjen për individët dhe çiftet që përballen me sfida në marrëdhënien e tyre. Këta mekanizma trajtojnë çështjet e marrëdhënieve pa iu drejtuar dënimit ligjor. Sigurimi i burimeve për të adresuar çështjet themelore të martesës e familjes mund të kontribuojë në formësimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve më të shëndetshme pa pasur nevoja për pasoja ligjore

Në përfundim, debati midis të drejtës për privatësi dhe dënimit ligjor për tradhtinë martesore përfshin ruajtjen e ekuilibrit delikat midis lirive individuale dhe interesave shoqërore. Arritja e një qasjeje të menduar dhe të balancuar që respekton autonominë personale, ndërkohë që adreson shqetësimet më të gjera shoqërore është thelbësore në formësimin e politikave efektive dhe të drejta ligjore.