Skip to content Skip to footer

Panelet Qytetare: Një mënyrë e re për t’u angazhuar në proceset parlamentare

17-19 Tetor 2024, Hotel Tirana International

Angazhimi qytetar dhe konsultimi publik janë thelbësorë për politika të informuara, efektive dhe të qëndrueshme. Për këtë, më datat 17-19 tetor 2024, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) do të zbatojë metodologjinë e Paneleve Qytetare për dy çështje të rëndësishme, si turizmi rural dhe malor dhe çështjet e aftësisë së kufizuar.

Panelet Qytetare mundësojnë krijimin e një hapësire për diskutimin në mënyrë të informuar të çështjeve që janë në axhendën parlamentare, si dhe të kontribuojnë në forcimin e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në aktivitetin legjislativ dhe mbikëqyrës të parlamentit. Ato përdoren gjerësisht si mekanizëm i demokracisë deliberative në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Evropës, madje edhe nga Bashkimi Evropian. Në Shqipëri, është pilotuar anketimi deliberativ për herë të parë në vitin 2021 nga IDM me synimin për të sjellë më afër qytetarët me proceset vendimmarrëse.

Kësaj here, rreth 75 qytetarë të përzgjedhur rastësisht do të informohen në mënyrë objektive nga ekspertë dhe politikëbërës të fushave të turizmit dhe aftësisë së kufizuar. Ata do të ftohen të formulojnë rekomandimet dhe të përcaktojnë prioritetet e këtyre fushave mbështetur në informacionin e marrë nga ekspertë të fushës. Rekomandimet dhe  prioritetet e përftuara do të bëhen pjesë e një raporti që do t’i prezantohet anëtarëve të Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Kjo nismë është në kuadër të projektit “Rritja e përgjegjshmërisë së parlamentit ndaj shqetësimeve të qytetarëve”, zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Insituti Shqiptar i Shkencës dhe Citizens Channel, me mbështetjen financiare të Qeverisë Britanike.

 

AGJENDA