Skip to content Skip to footer

Shqipëria n’Kuvendim – Gjetjet e eksperimentit social te demokracisë deliberative

Shqipëria n’Kuvendim

Gjetjet e eksperimentit social të demokracisë deliberative në Shqipëri

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) prezantoi sot rezultatet e një hulumtimi një vjeçar të anketimit deliberativ “Shqipëria n’Kuvendim” me fokus angazhimin qytetar në veprimtarinë parlamentare; mbikëqyrjen parlamentare; demokracinë e brendshme e partive politike; reformën e sistemit zgjedhor; votën e diasporës; mjedisin dhe ndryshimet klimatike dhe imigrimin ekonomik në Shqipëri.

Metodologjia

Metodologjia e anketimit deliberativ u zbatua për herë të parë në Shqipëri nga IDM, me ndihmesën e Qendrës për Demokraci Deliberative pranë Universitetit të Stanford (ShBA), e cila e ka zhvilluar këtë metodë konsultimi publik në më shumë së 29 vende në botë. Anketimi deliberativ[1] është një formë e veçantë e konsultimit të politikave ku ndërthuren teknikat e hulumtimit të opinionit publik dhe debatit publik për të zbuluar se çfarë qëndrimi dhe perceptimi do të kishte publiku për një çështje të caktuar nëse qytetarëve do t’u jepej mundësia për t’u informuar më mirë.

Ky eksperiment social mbështetet në tre anketime. Një anketim me përfaqësim kombëtar prej 1,200 të anketuarish për të nxjerrë në pah perceptimet dhe qëndrimet e publikut në nivel kombëtar për alternativat e ndryshme të politikave për secilën nga temat – pjesëmarrja e qytetarëve, mbikëqyrja parlamentare, demokracia e brendshme e partive politike, reforma zgjedhore, vota e diasporës, ndryshimet klimatike dhe imigrimi ekonomik.

Më pas, 110 qytetarë nga e gjithë Shqipëria të përzgjedhur nga anketimit kombëtar, i quajtur grupi eksperimental, u mblodhën në Tiranë, në një aktivitet katër-ditor (18-21 Nëntor), për t’u informuar lidhur me çështjet e mësipërme. Paralelisht, një tjetër grup prej 110 qytetarësh, të cilët nuk morën pjesë në aktivitetin 4 ditor, u përzgjodhën në mënyrë rastësore nga respondentët e anketimit kombetar për të vepruar si “grupi i kontrollit”. Në përfundim të aktivitetit debatues, të 2 grupet – ai eksperimental dhe grupi i kontrollit – u rianketuan thuajse paralelisht në bazë të të njëjtit pyetësor të anketës kombëtare.

Gjetjet kryesore të anketimit kombëtar

Sipas anketimit kombëtar, pothuajse gjysma (48.1%) e shqiptarëve priren të mos jenë dakord me pohimin “Sistemi aktual zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë e pasqyron plotësisht vullnetin e qytetarëve”Shqiptarët priren të favorizojnë ato alternativa që ofrojnë lidhje më të qëndrueshme mes zgjedhësve dhe deputetëve (jo partive). Kështu, këto alternativa janë sistemi i pastër mazhoritar dhe listat plotësisht të hapura sipas sistemit aktual zgjedhor proporcional rajonal. Shumica e qytetarëve (71.5%) e mbështesin dukshëm të drejtën e votës së diasporës shqiptare. Për sa i përket mënyrës së votimit, qytetarët anojnë më shumë drejt votimit elektronik (61,9%) pasi e konsiderojnë atë më të besueshëm dhe u mundëson akses më të lehtë qytetarëve që jetojnë jashtë, pavarësisht nëse ka një mision diplomatik në vendin ku ata banojnë. Pjesëmarrësit në “Shqipëria n’Kuvendim” argumentuan se duke i garantuar të drejtën e votës, qytetarët që banojnë jashtë vendit do të integrohen më shumë në jetën publike dhe politike në Shqipëri.

Shqiptarët priren të shfaqin më shumë mbështetje për propozimin drejt një roli më të madh të institucioneve të pavarura për forcimin e mbikëqyrjes mbi qeverinë, sesa për masat që kanë të bëjnë me opozitën parlamentare.

Kjo sugjeron një zhvendosje drejt një roli më të madh të institucioneve të pavarura për të forcuar mbikëqyrjen e qeverisë. Gjithashtu, krijimi i mekanizmave konkurrues në sistemin e zgjedhjeve të brendshme të partive politike perceptohet si një proces shumë i rëndësishëm nga pothuajse tre në katër të anketuar të anketimit kombëtar.

Rezultatet e eksperimentit social me grupin eksperimental dhe grupin e kontrollit

Pavarësisht se pjesëmarrësit në këtë ushtrim vetë-deklarohen hezitues për të ndryshuar aspekte të ndryshme të bindjeve të tyre politike, të dhënat krahasimore mes anketës së grupit eksçperimental (i cili u ekspozua ndaj informacionit shtesë) dhe atitj të kontrollit, sugjerojnë se “ndryshimi i këndvështrimeve” është i mundur nqs konsultimet zhvillohen duke informuar subjektet (qytetarët) në mënyrë aktive.

Informacioni objektiv dhe mundësia për të diskutuar për tematika formësojnë qëndrimet e njerëzve dhe cilësinë e debatit publik.

Nga 20 masa të propozuara për përmirësimin e politikave, për më shumë se gjysmën e tyre (11) ka pasur dallime të mëdha mes përgjigjeve të pjesëmarrësve nga grupi eksperimental dhe grupi i kontrollit. Temat dhe propozimet për të cilat pjesëmarrësit e grupit eksperimental ndryshuan qëndrim në krahasim me grupin e kontrollit lidhen me tematika të tilla si demokracia e partive politike, mekanizmat e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe mbikëqyrja. Çështjet lidhur me ndryshimet klimatike, vota e diasporës apo imigrimin ekonomik nuk shfaqën të tilla diferenca mes pjesëmarrësve në eksperiment. Në rastet kur pati diferenca mes grupeve, informimi i grupit eksperimental ndikoi në shumicën e rasteve në përforcimin e tendencës aprovuese. Vetëm në dy raste “informimi” nxiti grupin eksperimental të ishte më pak në favor (se grupi i kontrollit) për masa të caktuara (“auditimi i financave të partive nga kompani ndërkombëtare” dhe “rritja e financimit publik për partitë”).

Përfitimi nga proceset e informuara të konsultimit është i paçmueshëm dhe një instrument i fuqishëm për të zhvilluar mendimin kritik në shoqëri.

Klikoni për të shkarkuar raportet

Raporti i Gjetjeve i anketimit deliberative “Shqiperia n’Kuvendim”

Raportet tematike:

Angazhimi qytetar në veprimtarinë parlamentare

Demokracia e brendshme e partive politike

Mbikëqyrja parlamentare

Mjedisi dhe ndryshimet klimatike

Reforma e sistemit zgjedhor

Vota e diasporës

Imigrimi ekonomik në Shqipëri