Nga Alban Dafa, hulumtues të sigurisë dhe qeverisjes
Ka një prirje shqetësuese në strukturat e mbrojtjes shqiptare, ku aftësia profesionale po bëhet gjithnjë dhe më tepër e parëndësishme për t’u emëruar në pozicione të drejtimit strategjik të ushtrisë.
Në 29 korrik 2020, presidenti Meta dekretoi gjeneral major Begën – një mjek ushtarak – si shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ky emërim nuk shkaktoi aspak debat në publik ndonëse është e paprecedentë që ushtria shqiptare të udhëhiqet nga një mjek. Pavarësisht këtij emërimi të pazakontë, emërime të ngjashme janë bërë edhe më herët. Që prej vitit 2012, Forca Detare është udhëhequr dy herë nga gjeneralë të Forcës Tokësore.
Emërime të tilla janë mundësuar nëpërmjet shfrytëzimit të boshllëqeve ligjore dhe nga politikat e mbrapshta të mbrojtjes që kanë prodhuar politikanët shqiptarë.
Emërimet në pozicionet e drejtimit strategjik të ushtrisë
Të emërosh një gjeneral të Forcës Tokësore për të drejtuar Forcën Ajrore ose atë Detare dhe e kundërta – të emërosh një admiral nga marina për të udhëhequr Forcën Tokësore – nuk është ligjërisht e ndaluar. Përveç gradës madhore, e cila është e domosdoshme për t’u bërë komandant Force ose shef i Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka kritere të tjera për të mbajtur këto pozicione drejtimi në ushtri.
Urdhri i ministrit të Mbrojtjes për standartet e emërimeve vëren se emërimi i oficerëve madhorë është e drejtë e presidentit dhe kryeministrit, të cilët i emërojnë në pozicione drejtimi në përputhje me përcaktimet në TOP (Tabela e Organizimit dhe Pajisjeve). Megjithatë, përcaktimet në TOP kërkojnë vetëm që oficerët që emërohen në pozicione të drejtimit strategjik të ushtrisë të kenë gradë madhore, por nuk i kufizon ato në bazë të arsimit ushtarak, spectialitetit apo kritereve të tjera profesionale. Këto boshllëqe i kanë mundësuar udhëheqjes politike një mburojë ligjore të efektshme.
Emërimi i një mjeku ushtarak si shef i Shtabit të Përgjishëm i Forcave të Armatosura është disi ndryshe ligjërisht. Në këtë rast, ndërkohë që ekzistojnë përcaktime ligjore që mund ta kishin ndaluar, ekzistojnë gjithshtu përcaktime të cilat e lejojnë.
Neni 21, pika 1 e ligjit për karrierën në Forcat e Armatosura përcakton se “përparimi në gradë për oficerët deri nënkolonel/kapiten i rangut II […], që kryejnë detyra organike në specialitete në Forcat e Armatosura, si mjekë dhe personel i orkestrës frymore, bëhet sipas kritereve të përcaktuara në nenet 13 dhe 14 [nenet që përcaktojnë ecurinë në gradë] […]”. Kufizimi deri në nënkolonel/kapiten i rangut II lë të kuptojë se mjekët dhe personel i orkestrës frymore nuk mund të përparojnë përtej kësaj grade.
Mirëpo, pika 4 e të njëjtit nen përcakton se “ushtarakët e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, përfitojnë grada të tjera ushtarake të sistemit të karrierës, kur plotësojnë kriteret e tjera të këtij ligji për gradën respektive”. Ky përcaktim i bën ato të pikës 1 të pavlera pasi nëse oficerët mjekë dhe ata të orkestrës frymore mund të përfitojnë grada të tjera nëse i plotësojnë kushtet ligjore, atëherë pohimi se ‘përparimi në gradë deri në nënkolonel kryhet sipas neneve 13 dhe 14’ është i kotë duke qenë se nuk përcakton asgjë të veçantë për karrierën e këtyre dy specialiteteve.
Thënë konkretisht, përcaktimet e nenit 21 i lejojnë mjekët ushtarakë të arrijnë gradat madhore, ndërkohë që mungesa e kritereve specifike për pozicionet e drejtimit strategjik të ushtrisë i mundëson të emërohen edhe në krye të Forcave të Armatosura. E njëjta rrugë është ligjërisht e hapur edhe për oficerët e orkestrës frymore.
Kush është përgjegjës?
Përgjegjësia për të siguruar që ushtria shqiptare është e mirëdrejtuar bie mbi tre institucione: presidenti i Republikës, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes. Komandantët e forcave dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm emërohen dhe shkarkohen me dekret presidencial. Presidenti i nxjerr dekretet pasi merr propozimet prej ministrit të Mbrojtjes – për komandantët e forcave – dhe prej kryeministrit – për shefin e Shtabit të Përgjithshëm.
Dakordësia midis të treve është thelbësore për të siguruar që drejtimi strategjik i ushtrisë ka përvojën dhe profesionalizmin e nevojshëm për të mbrojtur vendin. Përkundrazi, këto tre institucione janë dakordësuar për ta bërë ushtrinë shqiptare të dështojë në përmbushjen e misionit të saj kushtetues duke emëruar oficerë madhorë në pozicione për të cilat nuk kanë kualifikimin e nevojshëm profesional.
Dështimi i institucioneve shqiptare për të siguruar që oficerët madhorë të gradohen dhe emërohen në përputhje me kërkesat përkatëse profesionale dhe me përvojën e tyre nënkupton ose mungesën totale të nevojës që ka vendi për mbrojtjen ose një përpjekje të organizuar të politikanëve shqiptarë për të politizuar ushtrinë.
E ardhmja e ushtrisë shqiptare
Këto vendime kanë pasoja serioze për profesionalizmin, gatishmërinë dhe moralin e ushtrisë shqiptare. Emërimi i dy gjeneralëve për të drejtuar Forcën Detare dhe ai i një mjeku ushtarak për të drejtuar Forcat e Armatosura kanë dëmtuar thellësisht profesionalizmin ushtarak.
Ato dërgojnë drejtpërdrejtë mesazhin se mjeshtëria e profesionit të ushtarakut nuk nevojitet në radhët e Forcave të Armatosura. Kështu, është e kotë të mundohesh që të jesh i aftë e profesionist, sepse këto nuk janë cilësi të nevojshme për drejtim dhe nuk përcaktojnë sukses në karrierë. Çdokush mund të kryejë detyrat e komandantit të forcës apo të shefit të Shtabit të Përgjithshëm pa patur përvojën dhe njohuritë e nevojshme.
Boshllëqet ligjore dhe vendimet e marra nga qeveria dhe presidenca nuk janë vetëm të papërgjegjshme, por të rrezikshme. Precedentët e emërimeve të oficerëve madhorë në pozicione për të cilat nuk kanë kualifikimin e nevojshëm ushtarak për të drejtuar ushtrinë shqiptare bën që efektshmëria e Forcave të Armatosura të bjerë me ritme të shpejta dhe të shuhet.
Nëse një mjek mund të drejtojë ushtarë, detarë e aviatorë, atëherë duhet të pyesim veten nëse pasardhësi i shefit aktual të Shtabit të Përgjithshëm do të jetë muzikant.
Kjo përmbledhje është përgatitur në kuadër të projektit “Mbikëqyrja, përgjegjësia dhe sfidat e tjera për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura Shqiptare” i cili zbatohet me mbështetjen financiare të ‘Balkan Trust for Democracy’, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. Opinionet e shprehura në këtë botim nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, ose të partnerëve të tij.