Skip to content Skip to footer

Thirrje për Ekspertë | Monitorimi i Zbatimit të Planeve të Integritetit në Sektorin Publik

Termat e Referencës

 

  1. KONTEKSTI

Projekti “Forcimi i Integritetit për Përmirësimin e Shërbimeve Publike”, zbatohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA). Në kuadër të tij, ekipi i ekspertëve të IDM-së ka hartuar Indeksin e Integritetit të Institucioneve Publike. Indeksi është instrumenti i parë metodologjik për monitorimin e zbatimit të planeve të integritetit të institucioneve publike nga shoqëria civile. Ky instrument është konsultuar edhe me institucione publike që kanë rol në luftën kundër korrupsionit si: Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit;  Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përmes përdorimit të tij, projekti synon të përfshijë aktorë të shoqërisë civile në monitorimin e planeve të integritetit dhe ofrimin e një analize të pavarur e të bazuar në të dhëna për të inkurajuar forcimin e integritetit të institucioneve, transparencën dhe llogaridhënien e tyre. Në shkurt 2024, IDM zhvilloi dy trajnime njëditore me ekspertë të akademisë, medias dhe organizatave të shoqërisë civile, për zbatimin në praktikë të Indeksit të Integritetit të Institucioneve Publike.

 

  1. FOKUSI I THIRRJES

IDM hap thirrjen për kontraktimin e 4 (katër) ekspertëve ose 4 (katër) grupeve të ekspertëve të interesuar në monitorimin e zbatimit të planeve të integritetit të institucioneve të mëposhtme që janë përfituese të projektit:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
  2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë;
  3. Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe të Dhënat Personale;
  4. Instituti i Shëndetit Publik.

Monitorimi i planeve të integritetit do të bëhet përmes zbatimit në praktikë të Indeksit të Integritetit të Institucioneve Publike. Eksperti/ grupi i ekspertëve do të vlerësojë shkallën e përmbushjes së kritereve të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies të parapara në indeks, përmes një analize të bazuar në të dhëna të vërtetuara. Kohëzgjatja e angazhimit të ekspertit/ grupit të ekspertëve është periudha prill – shtator 2024.

 

  1. PRODUKTET

Produktet që priten nga eksperti/ grupi i ekspertëve janë:

  • Vlerësimi i treguesve të Indeksit të Integritetit të Institucioneve Publike për planin e integritetit të një prej katër institucioneve përfituese të projektit.
  • Hartimi i raportit për vlerësimin e treguesve të Indeksit të Integritetit të Institucioneve Publike për planin e integritetit të një prej katër institucioneve përfituese të projektit. Raporti do të hartohet në gjuhën shqipe.
  • Prezantimi i raportit të vlerësimit në tryezat e diskutimit të projektit.

 

  1. PROFILI I EKSPERTIT

Kandidatët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:

  • Të kenë përvojë pune mbi 5 vjeçare në vlerësim dhe hartim raportesh analitike;
  • Të ketë njohuri në fushën e etikës, antikorrupsionit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në sektorin e administratës publike;
  • Të kenë aftësi për të punuar në ekip dhe për të krijuar marrëdhënie efektive pune me shërbimin civil;
  • Të kenë aftësi të mira komunikuese;
  • Të kenë integritet dhe të respektojnë Kodin Etik të IDM-së;
  • Të jenë të hapur ndaj kërkesave për rishikime të produkteve dhe të kenë aftësinë për të marrë/integruar komente;
  • Të kenë aftësinë për të përmbushur afatet dhe për të punuar në bashkëpunim me ekipin e IDM-së;
  • Pjesëmarrja në dy trajnimet njëditore të zhvilluara në shkurt 2024 nga IDM “Monitorimi i zbatimit të planeve të integritetit në sektorin publik”, nuk është kusht i domosdoshëm për të aplikuar në këtë thirrje për ekspertë.

 

  1. SI TË APLIKONI

Aplikimi duhet të dorëzohet me email në adresën [email protected]. Në subjektin e emailit shkruani “Aplikim – Monitorimi i Planeve të Integritetit”.

Në email duhet të bashkëlidhni të gjithë dokumentacionin e listuar si më poshtë:

  1. Jetëshkrimi/ Curriculum vitae i ekspertit/ grupit të ekspertëve.
  2. Shprehja e interesit (shpjegoni se si i plotësoni kërkesat e thirrjes dhe referoni përvojat tuaja të mëparshme).
  3. Propozimi për monitorimin e institucionit, mënyrën se si do t’i qaseni bashkëpunimit me të dhe planit tuaj të punës përgjatë periudhës prill – shtator 2024. Në rast se aplikohet si grup ekspertësh, propozimi duhet të përmbajë planin për ndarjen e punës mes ekspertëve.
  4. Aneksi I: Dorëzimi i ofertës financiare nga eksperti apo grupi i ekspertëve.

 

Afati i dorëzimit të aplikimeve është data 15 mars 2024, ora 17:00. Secili kandidat do të marrë një përgjigje konfirmuese për marrjen në dorëzim të aplikimit.

 

Aplikimet jashtë afatit nuk do të pranohen.

 

  1. METODA E VLERËSIMIT

Eksperti ose grupi i ekspertëve do të vlerësohen në bazë të përmbushjes së kritereve të përshkruara në thirrje. Totali i pikëve të grumbulluara është 100 pikë. Angazhimi në trajnimin e ofruar për zbatimin e instrumentit monitorues është vlerë e shtuar në aplikim.

Vlerësimi teknik (maksimumi 70 pikë).

  • Jetëshkrimi (ku përfshihet edhe përvoja e mëparshmenë projekte/aktivitete që adresojnë aspekte të vlerësimit dhe monitorimit (deri në 30 pikë);
  • Propozimi për institucionin që do të monitorohet (deri në 40 pikë).

Vlerësimi financiar (maksimumi 30 pikë)

  • Oferta financiare (deri në 30 pikë e përcjellë sipas Aneksit 1);

 

Vetëm kandidatët fitues do të njoftohen për përzgjedhjen e tyre. Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet brenda datës 29 mars 2024.

 

  1. MBROJTJA E TË DHËNAVE

Të dhënat personale që janë dorëzuar për qëllimin e aplikimit në këtë thirrje (emrat, adresat e emailit, etj.) do të ruhen nga IDM me qëllim të përpunimit të aplikimeve dhe për t’i kontraktuar ata në lidhje me detyrat e mundshme që lidhen me thirrjen, ose për t’i ftuar për bashkëpunime të ngjashme në të ardhmen. Të dhënat personale do të ruhen me kujdesin maksimal dhe në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e të dhënave. Në rast kërkese specifike nga kandidatët e interesuar, të dhënat e tyre do të fshihen nga databaza jonë.

 

  1. LEHTËSIMI DHE MBËSHTETJA

IDM do të sigurojë që eksperti/ grupi i ekspertëve të kenë qasje në institucionin e monitoruar sipas qëllimit të kësaj thirrjeje. Mbështetja teknike me një ambient të përshtatshëm pune dhe pajisjet (kompjuter, internet) e nevojshme për zhvillimin e punës janë përgjegjësi e ekspertit/ grupit të ekspertëve të kontraktuar.

Thirrja per eksperte CiMoF_IDM Aneksi-I_Thirrja per eksperte_CiMoF_IDM