Raport Studimor: Tejkalimi i hendekut mes sigurisë kibernetike dhe të drejtave të njeriut

Studimi trajton çështje të të drejtave të njeriut që ndërlidhen me sigurinë kibernetike, me fokus të drejtën e privatësisë, lirinë e shprehjes, mbrojtjen nga diskriminimi dhe lirinë e tubimit. Ky kapitull për Shqipërinë është pjesë e një botimi më të gjerë rajonal i cili mbulon gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe është kryer nga Rrjeti Kërkimor i Sigurisë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) e ka zhvilluar studimin për Shqipërinë gjatë periudhës dhjetor 2021 – maj 2022.

Ky studim ofron një vështrim të përgjithshëm konceptual në lidhje me sigurinë kibernetike dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri, duke hartëzuar legjislacionin, masat e sigurisë kibernetike, kuadrin politik dhe institucional përkatës. Më tej, analizohen përputhshmëria e këtyre të fundit me standardet ndërkombëtare, por edhe mangësitë sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kapaciteteve teknike. Më pas ekzaminohen katër çështje thelbësore tematike: siguria kibernetike dhe e drejta për privatësi, siguria kibernetike dhe liria e shprehjes, siguria kibernetike dhe mbrojtja nga diskriminimi, siguria kibernetike dhe liria e tubimit paqësor. Në lidhje me të drejtën për privatësi, ekzaminohen raste të shkeljeve të shkaktuara nga aktorë publikë ose jo publikë, mënyrat si mund të kontribuojë higjiena kibernetike në mbrojtjen e të drejtës për privatësi, dhe niveli i reagimit ndaj këtyre shkeljeve. Në lidhje me lirinë e shprehjes, trajtohen raste të censurës online, shpifjes, kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile si dhe reagimi apo përfshirja e aktorëve publikë në këto shkelje. Në lidhje me mbrojtjen nga diskriminimi, shqyrtohen rastet kur shkeljet e të drejtave të njeriut në hapësirën kibernetike targetojnë grupe specifike apo të nënpërfaqësuara, si dhe aksesin që kanë këto grupe në mekanizmat mbrojtës përkatës. Në lidhje me lirinë e tubimit, ekzaminohet niveli i mbrojtjes që gëzon kjo e drejtë në nivel kombëtar, mënyrat se si përdorimi i teknologjive apo kufizimeve të ndryshme ndikojnë tek veprimtaria e aktivistëve dhe organizimi i tubimeve, si dhe reagimin përkatës ndaj shkeljeve. Së fundi, paraqiten rekomandime konkrete të cilat i drejtohen aktorëve publikë (qeveria, Parlamenti dhe autoritetet ligjzbatuese) dhe atyre jo-publikë (shoqëria civile, akademia, media, donatorët ndërkombëtarë).

Rrjeti Kërkimor i Sigurisë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe IDM, ka ndërmarrë hulumtime novatore në këtë fushë me mbështetjen e Qendrës së Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF) dhe Zyrës së Jashtme të Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO). Rrjeti synon që nëpërmjet hulumtimit të pavarur, advokimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik, të kontribuojë në qeverisjen e sektorit të sigurisë kibernetike sipas parimeve të qeverisjes së mirë dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Shkarko: Studimin rajonal nëAnglisht/ kapitullin për Shqipërinë në Shqip dhe një përmbledhje të gjetjeve në shqip.

Shënim: Pikëpamjet dhe përfundimet e shprehura në këtë studim janë të autorëve dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e DCAF dhe FCDO. Të drejtat e autorit mbi këtë botim i përkasin vetëm IDM-së. Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet apo transmetohet në çfarëdo lloj forme ose me çfarëdo lloj mjeti pa lejen paraprake me shkrim të IDM-së.