Departmenti: RDC
Kohëzgjatja: 1 Qershor 2015 – 30 Nëntor 2015
Përshkrimi i Projektit:
Ky projekt zhvillohet në partneritet me organizatën Demokraci për Zhvillim (D4D) në Prishtinë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë, Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike (BFPE), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) në Shkup, Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CeMI) në Podgoricë dhe ANALITIKA-Qendra për Kërkim Social në Sarajevë.
Projekti synon të nxisë konkurrencën në terma performance midis autoriteteve publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet përdorimit të një platforme të përbashkët online.
Mbledhja e të dhënave me indikatorë të standartizuar për gjashtë shtetet e rajonit do të mundësojë krahasimin e performancës së tyre, me pritshmërinë e vënies në dukje të vendeve të prapambetura në këtë drejtim.
Vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnia dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe performanca e shkëlqyer e disa vendeve mund të mobilizojë përpjekjet shtesë në vendet që kanë mbetur mbrapa. BE-ja është imazhi më tërheqës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe ekspozimi i një sektori specifik të një shteti që ka mbetur pas, mund të shndërrohet në një faktor të lart mobilizimi.
Si pasojë, nxitja e konkurrencës në këtë drejtim mund të inkurajojë liderët politik në aprovimin dhe zbatimin e reformave.