Skip to content Skip to footer

Partitë politike po kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe duhet të reformohen tërësisht

Partitë politike po kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe duhet të reformohen tërësisht

Autor: Alban Dafa, Publikuar për herë të parë në www.reporter.al

26 Prill 2021- Fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u zhvillua në mënyrë të turpshme. Blerja e votës, shantazhi dhe vrasjet elektorale duhet të dënohen fuqimisht e kurdoherë. Ato duhet të shkulen prej traditës sonë zgjedhore.

Në 5 qershor 2020, Partia Socialiste (PS), Partia Demokratike (PD), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) dhe opozita parlamentare e përfaqësuar nga znj. Hajdari nënshkruan marrëveshjen zgjedhore ku u dakordësuan për rregullat që do të mundësonin zgjedhje të lira e të pranuara nga të gjitha palët. Marrëveshja u bekua nga bashkësia ndërkombëtare dhe u interpretua nga Komisioni Evropian si plotësim i parakushtit të kryerjes së reformës zgjedhore, e domosdoshme për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së. Pavarësisht se marrëveshja ishte anti-demokratike dhe pa vlerë juridike, pasi u krye jashtë kornizave institucionale e kushtetuese dhe pa publikuar procesverbalet e takimeve, ajo i ofroi disa doza qetësimi bashkësisë ndërkombëtare. Qetësoi, gjithashtu, ata shqiptarë që në mënyrë dogmatike duartrokasin çdo gjë të miratuar nga ndërkombëtarët.

Fushata për zgjedhjet e 25 prillit tregoi se “reforma” zgjedhore ishte një lëvizje jo përmbajtësore për ndryshimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Përkundrazi, ajo vijoi me të njëjtat probleme që e kanë ndjekur: banalizimi i problematikave të shpalosura gjatë fushatës, gjuhë denigruese, blerje votash dhe përplasje me armë midis mbështetësve të partive. Por ndryshe nga fushatat e tjera, kjo nxori në shesh paturpësinë e mbrojtjes së spiunimit, mbikëqyrjes dhe shantazhimit të votuesve, si dhe copëzimin partiak të institucioneve, duke kërcënuar rëndë kështu sigurinë kombëtare.

Patronazhistët dhe thirrjet për të mprehur sfurqet

Programi i vetëm i partive politike shqiptare është marrja e pushtetit për të plaçkitur vendin. Ato udhëhiqen nga parimi i drejtimit me dhunë e diktat, e trashëguar nga metoda e drejtimit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga vendosja e pluralizmit politik, filozofia e partisë-shtet, pra teza e kontrollit total të institucioneve shtetërore nga partia, është koncepti bazë që udhëheq elitën politike shqiptare. Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë edhe për një pjesë të mirë të shqiptarëve që e shohin fatin e tyre të lidhur me atë të udhëheqësit e partive politike, dhe jo me bashkëkombasit e tyre.

Kësisoj, është krijuar një marrëdhënie klienteliste e korruptive midis partive politike dhe një pjese të qytetarëve: më jep punë-të jap votë. Kjo marrëdhënie nënkupton se partisë ose partive politike në pushtet nuk u duhet të kenë politika të mirëmenduara e të efektshme për ekonominë e punësimin. Politika e tyre është plaçkitja nëpërmjet privatizimit të të mirave dhe shërbimeve publike. Këtë e bëjnë nëpërmjet klientëve të tyre: oligarkët, njerëzit e afërt me të cilët ndajnë plaçkën e privatizimeve, si dhe militantët e niveleve të ndryshme të administrates shtetërore që mundësojnë plaçkitjen në këmbim të punësimit dhe shfrytëzimit të detyrës së tyre për përfitime të paligjshme.

Kjo lloj marrëdhënie nuk lë shumë vend për interesa kombëtare. Në fakt, nuk ka interesa kombëtare; ka vetëm interesa klanore e klienteliste dhe kontrolli i institucioneve shtetërore është i domosdoshëm për t’i zgjeruar më tej. Prandaj proceset zgjedhore në Shqipëri janë përplasje dhune, jo ideshë. Idetë nuk janë të rëndësishme pasi gara bëhet për të blerë ose shantazhuar sa më shumë njerëz; nuk ka rëndësi nëse ata binden në mënyrë demokratike. Pikërisht për këtë qëllim shërben krijimi i infrastrukturës së mbikëqyrjes dhe kontrollit të vullnetit politik nga PS-ja, ai i mbrojtjes së votës nga PD-ja, si dhe zhveshja institucionale e Presidentit të Republikës dhe thirrja e tij për të “mprehur sfurqet dhe sopatat”. Këto zhvillime vënë në dukje vazhdimësinë e kulturës së shantazhit, dhunës dhe mbikëqyrjes që prej periudhës komuniste.

Roli i ndërkombëtarëve

Qasja e bashkësisë kombëtare ndaj zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ka qenë dritëshkurtër. Qëllimi i tyre i mirë për të zhbllokuar ngërçin politik të krijuar nga lënia e mandateve të opozitës dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale të qershorit 2019 nuk çoi në një zgjidhje përmbajtësore e afatgjatë. Formati i diskutimeve, nëpërmjet të ashtuquajturit Këshill Politik, ishte anti-demokratik dhe anti-kushtetues. Diskutimet për reformën zgjedhore u reduktuan në dakordësimin për një numër të kufizuar masash, që në fund dështuan të sigurojnë integritetin e zgjedhjeve.

Si rrjedhojë e marrëveshjes së 5 qershorit, për të siguruar paanësinë e gjykimit të ankesave të mundshme gjatë procesit zgjedhor, u caktua që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të kishin kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar dhe të ishin “të pastër”. Në vazhdën e marrëveshjes, në dhjetor të vitit 2020 palët ranë dakord gjithashtu që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) do të kishte kompetencën për të hetuar krimet zgjedhore.  Ndërkohë, varianti për listat e hapura i propozuar nga Partia Socialiste u kundërshtua nga PD-ja dhe u miratua në mënyrë të njëanëshme në Kuvend.

Këto masa veçse i dhanë disa ngjyra të gënjeshtërta integriteti një procesi të shtyrë me zor nga ndërkombëtarët. Rrjedhimisht, “arritjet” u shpërbënë shpejt. PS-ja dhe kreu i saj, z. Rama, edhe pse ishin shfaqur si flamurtarët e listave të hapura, papritmas 20 ditë para zgjedhjeve çuan një kërkesë pranë Kolegjit Zgjedhor për të fshirë emrat e kandidatëve në listat shumëemërore e për të lënë vetëm numrat në vend të tyre. Kolegji i përbërë nga gjyqtarë “të pastër” miratoi kërkesën e PS-së, duke i bërë listat memece. Dhe për të plotësuar tablonë e dështimeve të procesit “reformues”, SPAK – shpata e reformës në drejtësi – deri në datën 22 prill nuk kishte dhënë një vendim përfundimtar për asnjë nga kallëzimet penale të regjistruara.

Reformimi

Reformimi i partive politike është tërësisht i lidhur me ndryshimin e mendësisë sonë shoqërore se çfarë është e pranueshme. Nëse ne mendojmë se vrasjet elektorale dhe mbikëqyrja e bindjeve tona politike në mënyrë që të shantazhohemi për votën tonë janë normale, ato do të vijojnë. Nëse ne mendojmë se plaçkitja e vendit tonë është diçka prej të cilës nuk prekemi ose prej të cilës mund të përfitojmë, ajo do të vijojë. Nëse ne mendojmë se partitë politike duhet të vazhdojnë të funksionojnë si struktura që i ngjasojnë më tepër Partisë së Punës se sa partive politike në një sistem demokratik, dhuna politike dhe kontrolli partiak i institucioneve do të vazhdojë. Jeta jonë do të vazhdojë të jetë e kërcënuar nga diktati i plaçkitjes dhe zgjedha e terrorit politik.

Ne nuk mund të vazhdojmë ta tolerojmë shkatërrimin e mëtejshëm të shoqërisë tonë dhe të shpresojmë se zgjidhja e problemeve tona do të vij nga jashtë. Nëse vazhdojmë ta konceptojmë demokracinë si një mall të importuar ose si një prodhim të brendshëm me teknologji të jashtme, do të presim në përjetësi.

Është krejtësisht naive të mendosh se ambasadorët do t’i sjellin demokracinë Shqipërisë. Ka një hendek të natyrshëm interesash midis një ambasadori të akredituar në Shqipëri dhe një qytetari shqiptar. Një ambasador është i interesuar për zgjidhje afatshkurtra të cilat i japin disa fitore profesionale për të ngjitur shkallët e karrierës. Por ne na interesojnë zgjidhjet e qenësishme demokratike, jo lojrat politike pjesë e të cilave shpeshherë bëhen edhe ambasadorët.

Qasja e deritanishme, duke shpresuar për shpëtim nga jashtë, ka qenë e turpshme, e papërgjegjshme dhe e padobishme. Nëse marrëdhëniet tona me fuqitë e huaja do të jenë në një gjendje varësie të përhershme, nuk do të ketë demokraci në Shqipëri dhe do të vazhdojmë të jemi të nëpërkëmbur si nga politika e brendshme ashtu edhe nga ajo e jashtme.

Partitë politike janë në themel të demokracisë institucionale dhe është detyra jonë që të ushtrojmë trysni ndaj tyre për t’u demokratizuar. Trysnia fillon duke denoncuar fuqimisht marrëveshjet anti-demokratike, duke mos pranuar dhunën politike dhe duke marrë pjesë në vendimmarrje publike.