Këshillat komunitarë të krijuara në Bashkinë Berat me inisiativën qytetare – realitet i ri i organizimeve komunitare
16 Maj 2017 – Ligj i ri Për Vetë-Qeverisjen Vendore (miratuar fundvitin e 2015-tës) solli një ndryshim në mënyrën se si shihen komunitetet dhe roli i tyre në zhvillimin urban. Në mënyrë të veçantë, nenet 68 dhe 69 të ligjit parashikojnë ngritjen e strukturave komunitare – këshillat dhe ndërlidhësit komunitarë – në zonat urbane. Strukturat e komunitetit nuk zgjidhen nga qeveria qendrore dhe as nuk mund të përdoren për të avancuar programin e saj politik. Përkundrazi, këto struktura vijnë nga bazat. Çdo lagje transformohet në hapësirë qytetare ku anëtarët e saj bashkëveprojnë, organizojnë dhe mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta.
Konferenca “Shtrirja e strukturave komunitare në Shqipëri: Ndërtimi i axhendës për ndryshim” organizuar nga Insituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim me mbështetjen e Ambasadës së Zvricës dhe programit Lëviz Albania, solli së bashku zyrtarë lokal nga bashki të ndryshme të vendit, përfaqësues të donatorëve, OSHC-ve, dhe të tjerë aktorë të interesuar, për të ndarë punën e bërë në kuadër të nismës “Tirana Flet / Shqipëria Flet”, përgjatë një periudhe një-vjecare, si dhe për të ofruar një panoramë të plotë të sfidave në zbatimin e organizimit komunitar sipas Ligjit të ri për Vetë-Qeverisjen Vendore. Më pjesëmarrësit u nda edhe një Dokument Politikash që hedh dritë mbi potencialet dhe sfidat e zbatimit të kësaj sipërmarrrje në komunitetet lokale.
Konferencën e celi z. Sotiraq Hroni, Drejtor Ekzekutiv i IDM, i cili ndër të tjera theksoi se procesi i jetësimit të strukturave komunitare nuk është një rrugëtim i shkurtër as edhe i lehtë, por i vetmi për të siguruar një qeverisje me dy drejtime, nga lart poshtë dhe nga poshtë lart. Z Hroni ndau: “Mund të ketë shumë sfida por nëse do përmendja një është lidershipi vendor, në mënyrë të veçantë vizioni, dëshira dhe modeli në të cilën mbështetet Kryetari i bashkisë për të qeverisuar”.
Ambasadori zviceran Christoph Graf deklaroi se ka ikur koha e ekstremeve të kolektivizimit të detyruar ose e individualizmit të egër dhe qytetarët shqiptarë duhet të veprojnë duke marrë përgjegjësi në nivelin vendor dhe duke punuar bashkë. “Është koha për të patur një përputhje optimale midis asaj që është publike dhe asaj që është private. Unë besoj fort se një shoqëri e mire demokratike fillon në nivelin vendor, në qytetet tona, në fshatrat tona, dhe në lagjet tona” , tha Ambasadori Graf.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj në fjalën e vet ofroi një panoramë të problematikave të shumta me të cilat përballet jeta komunitare në qytetin e Tiranës, dhe nevojës për organizim qytetar. Në lidhje me këtë, z. Veliaj ndau me pjesëmarrësit nismat më të fundit të ndërmarra nga bashkia e Tiranës për të adresuar disa prej këtyre sfidave si ajo e bashkëpronësisë dhe jetesës në komunitet nëpërmjet caktimit të administratorëve të pallateve.
Zj. Valbona Kuko, Drejtoreshë Ekzekutive e Leviz Albania, e vlerësoi tejet të rëndësishëm rolin e qytetarit në vendimarrjen vendore, vëcanërisht edhe në lidhje me demokracinë vendore përkundrejt reformës administrative territorial. Ajo ndër të tjera u shpreh se: “Bashkia e Beratit ka integruar sygjerimet e IDM për rregulloren e funksionimit të strukturave komunitare e në këtë rast, shfrytëzoj rastin për të ftuar dhe apeluar që bashki të tjera të ndjekin shembullin e bashkisë Berat.”
Diskutimet në Konferencë nxorrën në pah një sërë sfidash dhe pengesash që duhen adresuar me qëlllin e krijimit të një mjedisi mundësues për jetësimin e strukturave komunitare me inisiativën qytetare.