Më 18 dhjetor 2014, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizoi Konferencën Kombëtare “Forcimi Integriteti të Policisë së Shtetit në Shqipëri”. Kjo konferencë shënon përfundimin e projektit “Ndërtimi i Integritetit Policor në Shqipëri”, i mbështetur nga Ministria Punëve të Jashtme të Holandës në kuadër të Programit MATRA për Shoqërinë Civile.
Një bazë e gjerë të dhënash për Policinë e Shtetit është tani në dispozicion, e gjeneruar përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse të Policisë së Shtetit dhe publikut shqiptar. Rezultatet e projektit, i cili u zbatua gjatë periudhës korrik 2013 – dhjetor 2014, lehtësojnë një diskutim të vazhdueshëm dhe krijojnë një bazë për reformat e ardhshme, duke u mbështetur në evidenca dhe në një kuadër konkluzionesh dhe rekomandimesh.
Në një audiencë të përbërë nga përfaqësues të agjencive dhe institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe medias u diskutuan gjetjet e vlerësimit të integritetit dhe luftës kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit shqiptar. Në fjalën e tyre në këtë konferencë, përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të reformës në polici, duke përfshirë edhe misionet e asistencës së jashtme (ICITAP, PAMECA) theksuan rëndësinë e raportit të vlerësimit të IDM dhe rolin e mekanizmave të integritetit në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e shërbimeve policore. Pieter Langenberg, i Ngarkuari me Punë i ambasadës holandeze, iu drejtua pjesëmarrësve dhe theksoi se Holanda mbështet forcimin e masave anti-korrupsion dhe integritetit, qoftë brenda policisë shqiptare apo në ndonjë institucion tjetër, të domosdoshme për përgatitjen për anëtarësimin në BE.