Dokument Politikash| Lufta kundër pastrimit të parave – Roli i shoqërisë civile

Lufta kundër pastrimit të parave – Roli i shoqërisë civile
Pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit nuk janë tema të padëgjuara nga shoqëria civile, rrethet akademike e sidomos nga media në Shqipëri. Ndërkohë që kjo e fundit (media) ka raportuar shpesh lidhur me këtë fenomen , studiuesit e fushës së drejtësisë dhe ekonomisë i kanë trajtuar të dyja temat ndonëse këtë e kanë bërë më pak nëpërmjet nismave hulumtuese. Shoqëria civile nga ana tjetër ka qenë më pasive lidhur me fenomenin dhe masat kundër pastrimit të parave (KPP), apo ato kundër financimit të terrorizmit (KFT). Konceptet e KPP / KFT, përveç disa organizatave studimore në fushën e sigurisë, antikorrupsionit   apo parandalimin e ekstremizmit, për shumicën e aktorëve të shoqërisë civile u bënë të njohura disa vite më parë kur Shqipëria ndërmori hapa shtesë për të përmbushur standardet e Rekomandimit 8 të Task Forcës për Veprime Financiare (FATF – Financial Action Task Force). Konkretisht, ky rekomandim u sugjeron vendeve anëtare të FATF të përmirësojnë kuadrin ligjor për organizatat jo-fitimprurëse në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i tyre për qëllime të financimit të terrorizmit.
Më tej, çështja e pastrimit të parave u trajtua më shpesh në diskursin publik dhe të raporteve të ndryshme studimore   kryesisht në kontekstin e konfiskimit të aseteve dhe të ardhurave të paligjshme të krijuara nga krimi i organizuar. Ndërkohë, mbetet ende për t’u ekzaminuar më tej pastrimi i parave në kontekstin e korrupsionit të lartë dhe kapjes së shtetit, raportimeve të shtuara mbi krimin e organizuar, gërshetimin e interesave ilegjitime në politikë, ekonomi dhe më gjerë. Lufta e institucioneve ligjzbatuese ndaj grupeve kriminale dhe sfida të tjera “tradicionale” apo bashkëkohore (p.sh. kriptomonedha) sugjerojnë se kapacitetet KPP / KFT të organeve shtetërore kanë nevojë për më shumë mbështetje, aftësi të reja, këndvështrime të thelluara analitike dhe burime alternative njohurish.