Skip to content Skip to footer

IDM anëtare e Dhomës Zgjedhore në Shqipëri

IDM anëtare e Dhomës Zgjedhore në Shqipëri

IDM së bashku me disa organizata të shoqërisë civile në vend, bashkohen për të reaguar me një zë të vetëm për ecurinë dhe sfidat e procesit zgjedhor në Shqipëri.

Dhoma Zgjedhore, është një platformë koordinimi e përfaqësuesve të shoqërisë civile që mblidhen periodikisht gjatë periudhës së zgjedhjeve për të analizuar informacionin që vjen nga terreni, japin paralajmërime për probleme të mundshme dhe bëjnë rekomandime të menjëhershme për të siguruar besueshmërinë dhe suksesin e procesit zgjedhor.

Në këtë kuadër IDM, për herë të parë, do të hartojë Indeksin e Zgjedhjeve mbështetur në modele të ngjashme ndërkombëtare.

Indeksi do të përbëhet nga disa tematika dhe për secilën tematikë do të vendosen indikatorët përkatës vlerësues.

Burim i të dhënave prodhimin e këtij indeksi do të shërbejnë edhe raportet e monitorimit të zgjedhjeve të përgatitura nga organizatat vendase.

Dhoma Zgjedhore synon fuqizimin e bashkëpunimit mes aktorëve të shoqërisë civile me fusha të ndryshme ekspertize lidhur me zgjedhjet. Dhoma Zgjedhore do të mbështetet në përvojën më të mirë të krijuar deri tani nga monitorimi vendas i proceseve zgjedhore.

Por ajo do t’i japë të tjera dimensione këtij roli të rëndësishëm, duke qenë një zë i besueshëm dhe shumë serioz vendas për dhënien e vlerësimeve mbi cilësinë e proceseve zgjedhore, jo vetëm vendore.

Dhoma zgjedhore do të jetë një strukturë e pavarur, tërësisht shqiptare, por e hapur dhe koordinuese me çdo aktor e faktor tjetër, vendas e të huaj, për të shkëmbyer informacion dhe ekspertizë lidhur me monitorimin dhe vlerësimin e proceseve zgjedhore.

Dhoma zgjedhore nuk do ta kufizojë misionin e saj vetëm në periudhën para dhe gjatë zgjedhore, por do të jetë një mekanizem shoqëror aktiv gjatë gjithë kohës, duke nxitur pushtetin dhe shoqërinë në procesimin e monitorimit dhe llogaridhënies, si një mekanizëm shumë i nevojshëm për të garantuar pjesëmarrjen e shoqërisë në qeverisje dhe cilësinë e qeverisjes.

Me ndihmën e Fondacionit OSFA, Dhoma Zgjedhore ka ngritur një zyrë qendrore si dhe një portal online, në mënyrë që aktorët e shoqërisë civile dhe qytetarët e interesuar mund të kontribuojnë aktivisht për të patur në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Qëndrimi dhe deklarimet e Dhomës Zgjedhore mbështeten në informacion që sjellin nga terreni vëzhguesit e organizatave partnere.  Përbërja e larmishme e anëtarësimit të saj dhe shumëllojshmëria e informacionit që ato sjellin, krijon mundësinë për analiza të thelluara dhe të balancuara të ngjarjeve që shoqërojnë proçesin zgjedhor, rritin besueshmërinë në deklarimet e vëzhguesve të pavarur, përmirësojnë cilësinë dhe autoritetin e zërit të shoqërisë civile në vlerësimin e zgjedhjeve. Dhoma zgjedhore është komplementare me çdo nismë dhe përpjekje tjetër për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Për më tepër informacion lexoni: Çfarë është Dhoma e Situatës Zgjedhore dhe Indeksi i Zgjedhjeve

dhoma zgjedhore pic dhoma zgjedhore