Skip to content Skip to footer

BULETINI Nr.1 #AMLAlbania për periudhën nëntor 2021 – janar 2022

Performanca e Shqipërisë sipas raporteve ndërkombëtare

Në Shqipëri, fenomeni i pastrimit të parave është një çështje e mprehtë që kërkon kujdes dhe vëmendje të posaçme. Shqipëria është veçanërisht e ekspozuar ndaj pastrimit të parave për shkak të problemeve me përmasat e korrupsionit, krimit të organizuar, informalitetit të lartë në ekonominë vëndase dhe institucioneve të dobëta. Përpjekjet për të adresuar çështjen e pastrimit të parave janë përshkallëzuar së fundmi. Në këtë kontekst, janë bërë përmirësime në kuadrin ligjor, është ngritur grupi teknik i punës i përbërë nga institucionet kyç në luftën kundër pastrimit të parave dhe është konsoliduar bashkëpunimi me instrumentat dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Për më tej, janë ndërmarrë masa domethënëse për uljen e informalitetit, të tilla si rregullimi i mëtejshëm i sektorit të noterisë dhe ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, masa të reja për të garantuar transparencën e sipërmarrjeve dhe organizatave jofitimprurëse, digjitalizimi i kadastrave dhe zbatimi i regjimit të ri të fiskalizimit. Por, vlerësimet e kryera nga organizatat dhe institucionet kryesore ndërkombëtare vijojnë të dëshmojnë për mangësi strukturore të Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave. Në vijim paraqitet një pasqyrim i performancës së Shqipërisë sipas raporteve kryesore në fushën e parandalimit të pastrimit të parave.

FATF/Moneyval

Komiteti i Ekspertëve të Vlerësimit të Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval) është një strukturë e Këshillit të Europës e ngarkuar me monitorimin e përputhshmërisë së shteteve anëtare me standardet ndërkombëtare të luftës kundër pastrimit të parave, vlerësimin e zbatimit të tyre dhe përcjelljen e rekomandimeve ndaj institucioneve vendase për përmirësimin e sistemit. Vlerësimi i Moneyval kryhet duke u bazuar në rekomandimet e FATF[1] (Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar) të cilat njihen si standardi ndërkombëtar në luftën kundër pastrimit të parave. Që prej shkurtit të vitit 2020, Shqipëria është vendosur në listën “gri” të vendeve në mbikqyrje të shtuar nga FATF për shkak të mangësive strategjike në regjimin kundër pastrimit të parave.[2] Në bashkëpunim me këto struktura, Shqipëria ka përcaktuar një plan veprimi për të adresuar mangësitë e identifikuara, i cili përfshin, ndër të tjera, ngritjen e mekanizmave për të parandaluar ndërhyrjet kriminale në ekonomi duke fuqizuar kompetencat e institucioneve përgjegjëse, rritjen e numrit të hetimeve dhe përmirësimin e hetimit dhe konfiskimit të lidhur me pastrimin e parave dhe përmirësimin e zbatimit të sanksioneve financiare të targetuara. Në vlerësimin e fundit të Shqipërisë të publikuar në prill të vitit 2021[3], i cili është një proces thellësisht teknik që kryen një skanim të imtësishëm të sistemit vendas të parandalimit të pastrimit të parave, Moneyval ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në adresimin e disa rekomandimeve. Por, procesi vijon për adresimin e plotë dhe gjithëpërfshirës të rekomandimeve të FATF-së me qëllim që Shqipëria të arrijë të ndërtojë një regjim të qëndrueshëm të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Indeksi i Bazelit 2021

Indeksi i Bazelit është një instrument i pavarur i Institutit të Bazelit mbi Qeverisjen i cili kryen renditjen e vendeve dhe vlerësimin e risqeve lidhur me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Nëpërmjet ekspertizës së tyre, Indeksi i Bazelit përpunon të dhënat publike për të prodhuar një raport i cili i shërben politikbërësve, ekspertëve, hulumtuesve dhe akademikëve. Studimi bazohet kryesisht në pesë fusha: (i) cilësia e kornizës së parandalimit të pastrimit të parave; (ii) rryshfeti dhe korrupsioni; (iii) standardet dhe transparenca financiare; (iv) llogaridhënia dhe transparenca publike; dhe (v) risqet ligjore dhe politike. Në raportin e vitit 2021[4], të publikuar në shtator, Shqipëria renditet në vendin e 39[5], e vlerësuar me 5.72[6], çka përbën një përkeqësim në krahasim me vlerësimin e vitit 2020[7] në të cilin Shqipëria renditej në vendin e 44, e vlerësuar me 5.69. Në profilin e posaçëm të Shqipërisë, Indeksi i Bazelit identifikon si fusha më të cënuara transparencën financiare, rryshfetin dhe korrupsionin.

Raporti Ndërkombëtar i Strategjisë së Kontrollit të Narkotikëve: Volumi II Pastrimi i Parave (INCSR)

Raporti ndërkombëtar i strategjisë së kontrollit të narkotikëve është një raport i përvitshëm i Departamentit të Shtetit të Sh.B.A i cili ofron një përshkrim të përgjithshëm të përpjekjeve të disa vendeve kyç në luftën kundër tregtisë ndërkombëtare të narkotikëve. Volumi i dytë i raportit mbulon çështjet e pastrimit të parave dhe krimit financiar. Në raportin e publikuar në vitin 2021[8], i cili mbulon zhvillimet gjatë vitit kalendarit paraardhës, shënohet se qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë përparim domethënës në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit financiar. Sipas raportit, Shqipëria vijon të mbetet e cënuar nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta.

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2021

Çështjet e pastrimit të parave janë evidentuar dukshëm edhe në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2021[9], duke përmbajtur mbi 30 referenca të pastrimit të parave. Përgjithësisht, raporti mirënjeh masat e marra për të adresuar rekomandimet e Moneyval/FATF dhe ndryshimet legjislative në kuadër të përafrimit me acquis të BE-së. Por, raporti nënvizon ndikimin e pastrimit të parave në fusha të ndryshme si lëvizja e lirë e kapitalit, lufta kundër krimit të organizuar, aksesi në financë, lufta kundër krimit kibernitik dhe të drejtat e shtetësisë. Në raport evidentohet nevoja për më tepër përpjekje për trajtimin e rasteve të pastrimit të parave, marrë shkas dhe nga numri i ulët i dënimeve të formës së prerë (tetë në vitin 2019 dhe katër në vitin 2020). Raporti i Komisionit Evropian gjithashtu paralajmëron se krijimi i një skeme të përfitimit të shtetësisë nëpërmjet investimit, siç parashikojnë ndryshimet në ligjin për shtetësinë, paraqet rrezik në lidhje me pastrimin e parave dhe është e papajtueshme me acquis të BE-së. Përtej potencialit për të gjeneruar volum të lartë të pastrimit të parave, një skemë e tillë do përbënte pengesë në procesin e anëtarësimit në BE pasi Komisioni Evropian ka kundështuar shpeshherë krijimin e skemave të tilla në shtete anëtare si Malta[10] apo Bullgaria[11].

Zbërthim i ndryshimeve në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave

Në Shqipëri, akti legjislativ kryesor i fushës është ligji nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit”, i cili synon të garantojë integritetit e sistemit financiar dhe konsolidimin e mekanizmave parandalues të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në kuadër të procesit të përafrimit të kornizës ligjore të Shqipërisë me acquis të BE-së dhe përmbushjes së rekomandimeve të FATF-së, në dhjetor të vitit 2021 hyri në fuqi ligji nr. 120/2021 i cili parashikon ndryshime dhe shtesa në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Me anë të ndryshimeve është synuar përafrimi me Direktivën 2015/849 të BE-së “Për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Ndryshimet në legjislacion janë produkt i një procesi konsultues me Bankën e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, shoqëritë e transfertave, kompanitë e auditimit, delegacionin e BE-së në Shqipëri, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritete të tjera kompetente. Përgjithësisht, ndryshimet kanë sjellë një produkt më të sofistikuar dhe modern në terma të legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave, i cili mbulon një fushëveprim më të gjërë, zbërthen në mënyrë më të qartë dhe kuptueshme konceptet dhe proceset përkatëse dhe i vjen më në ndihmë profesionistëve në punën e tyre të përditshme.

Në vijim, paraqiten disa prej ndryshimeve kryesore në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit:

  • Ndryshimet në ligj kanë sjellë qartësim të koncepteve të fushës[12], në veçanti të konceptit të “personave të ekspozuar politikisht”duke përfshirë individët të cilat kanë shërbyer si anëtarë të Kuvendit ose organeve legjislative të ngjashme, anëtarë të organeve drejtuese në banka qendrore, ambasadorët dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura. Gjithashtu, referenca në ligj e personave të lidhur në marrëdhënie të ngushtë personale, pune ose biznesi të personave të ekspozuar politikisht është tashmë zbërthyer, duke përfshirë individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë ose persona të cilët janë pronarë përfitues të vetëm të një personi juridik, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de facto të personit të ekspozuar politikisht.
  • Rrethi i subjekteve që i nënshtrohen ligjit ka pësuar gjithashtu ndryshime. Fillimisht është realizuar ndarja (decoupling) e avokatëve e noterëve me kontabilistët e audituesit ligjorë, të cilët tashmë kanë rregullimin e tyre të posaçëm. Përsa i përket agjentëve të pasurive të paluajtshme, është zgjeruar më tej fushëveprimi i ligjit mbi to, duke përfshirë rastet kur veprojnë si ndërmjetës në dhënien me qira të pasurive të paluajtshme në lidhje me transaksionet për të cilat qiraja mujore arrin në vlerën e 500.000 lekë. Ndërsa sektori i shitblerjes, magazinimit apo ndërmjetësimit të veprave të artit gjen një rregullim më të detajuar në ligjin e ri. Së fundmi, ligji shtrin zbatimin e saj dhe mbi çdo individ, person fizik apo juridik, që tregton mallra apo shërbime për të cilat pranon pagesa në para fizike (cash) në një shumë prej 1.000.000 lekësh ose më shumë.
  • Ndër komponentët kryesorë të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave është ushtrimi i vigjilencës së duhur ndaj klientëve nga ana e subjekteve të ligjit, si mburoja e parë ndaj procesit të pastrimit të parave. Si i tillë, mirërregullimi i ushtrimit të vigjilencës përbën rëndësi thelbësore për efektivitetin e ligjit. Ndryshimet parashikojnë zbatimin e masave të vigjilencës së duhur edhe në rastet e përfituesve të trusteve ose organizimeve ligjore dhe përfituesve të sigurimit të jetës dhe policave të tjera të sigurimit që janë të lidhura me investime përkatëse. Gjithashtu, ligji tashmë synon të garantojë identifikimin e personave të cilët ushtrojnë kontrollin fundor efektiv mbi klientin e subjektit të ligjit.
  • Sipas ndryshimeve, subjektet e ligjit duhet të përcaktojnë kategori marrëdhëniesh biznesi, klientësh, transaksionesh, produktesh, shërbimesh, kanalesh shpërndarjeje, vendesh ose rreziqesh gjeografike të cilat përbëjnë rrezik të lartë dhe ndaj të cilave duhet aplikuar vigjilenca e zgjeruar. Gjithashtu, vigjilenca e zgjeruar tani zbatohet dhe mbi anëtarët e familjes dhe personat e lidhur në marrëdhënie të ngushtë personale, pune apo biznesi të personave të ekspozuar politikisht dhe mbi çdo marrëdhënie biznesi apo transaksion që përfshin vendet me risk të lartë[13].
  • Teknologjitë e reja, në veçanti qarkullimi dhe përdorimi i kriptomonedhave paraqet një sfidë për politikat e parandalimit të pastrimit të parave, përsa kohë ky sektor nuk është mjaftueshmërisht i rregulluar apo mbikqyrur. Për rrjedhojë, ndryshimet në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave parashikojnë përfshirjen e ofruesve të shërbimeve të mjeteve virtuale në rregullimin e shërbimit të transferimit të parave ose vlerave.
  • Në kuadër të detyrimit të raportimit te autoriteti përgjegjës të dyshimeve për raste kur potencialisht po tentohet të kryhet pastrimi i parave, tashmë ligji ofron mbrojtje më të gjerë ndaj punonjësve duke parashikuar se zgjidhja e kontratës së punës, masat disiplinore apo diskriminuese për punonjësit që përmbushin detyrimin për raportim konsiderohen masa pa shkaqe të arsyeshme.
  • Përgjithësisht, ndryshimet në ligj ofrojnë një qartësim të detyrimeve të subjekteve të ligjit. Tashmë, në detyrimin për të identifikuar, vlerësuar dhe kuptuar rreziqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, subjektet e ligjit duhet të marrin parasysh dhe vlerësimet ose raportet e hartuara nga organizatat ndërkombëtare, duke konsoliduar kësisoj bashkëpunimin me struktura si Moneyval apo FATF.
  • Në kontekstin e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare të tilla si Moneyval apo FATF, ligji për parandalimin e pastrimit të parave parashikon masa shtesë për ndërveprimin me vendet me risk të lartë. Për rrjedhojë, autoritetet vendase mbikqyrëse ose licencuese, ndër të tjera, mund të refuzojnë themelimin në Shqipëri të filialeve, degëve apo zyrave të përfaqësimit të subjekteve nga vende me risk të lartë ose, anasjelltas, të ndalojnë subjektet vendase që të themelojnë degë apo zyra përfaqësimi në vende me risk të lartë.
  • Me qëllim për të dekujaruar sjellje të cilat lehtësojnë apo mundësojnë pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit dhe për të garantuar përputhshmërinë me detyrimet ndërkombëtare, kryesisht bazuar në rekomandimet e FATF-së, ndryshimet në ligj parashikojnë vendosjen e gjobave në masë relativisht të madhe për sjellje recidiviste. Kësisoj, në rastet kur shkeljet e detyrimeve të parashikuara në ligjin e parandalimit të pastrimit të parave janë të rënda, të përsëritura, sistematike apo një kombinim i tyre, gjoba maksimale mund të arrijë deri në dyfishin e shumës së përfitimit të nxjerrë nga pastrimi i parave, nëse mund të përcaktohet, ose deri në 125 milionë lekë kur përfitimi nuk mund të përcaktohet apo është më i vogël. Gjithashtu, kur shkelja kryhet nga bankat, subjektet financiare jobankare apo zyrat e këmbimit valutor, gjoba arrin deri në 10% të qarkullimit total vjetor ose deri në 625 milionë lekë në rast se 10% i qarkullimit total vjetor është më pak se kjo vlerë.

 

Për të lexuar buletinin e plotë kliko këtu 


[1] https://www.fatf-gafi.org/media/fatf/documents/recommendations/pdfs/FATF%20Recommendations%202012.pdf

[2] https://www.fatf-gafi.org/countries/d-i/iceland/documents/increased-monitoring-february-2020.html

[3] https://rm.coe.int/moneyval-2021-2-fur-albania/1680a2982c

[4] https://index.baselgovernance.org/api/uploads/Basel_AML_Index_2021_FINAL_5a8093cbb3.pdf

[5] Renditja përcaktohet nga vendi me rrezikshmëri më të lartë në vendin me rrezikshmëri më të ulët

[6] 10 (rrezik i lartë) – 1 (rrezik i ulët)

[7] https://index.baselgovernance.org/api/uploads/basel_aml_index_2020_web_2_0e4f8807e1.pdf

[8] https://www.state.gov/wp-content/uploads/2021/02/21-00620-INLSR-Vol2_Report-FINAL.pdf

[9] https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/albania-report-2021_en

[10] https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/ip_20_1925

[11] https://www.euractiv.com/section/politics/short_news/european-institutions-investigate-bulgarian-golden-passports/

[12] Koncepte si bankë guaskë, marrëdhënie korrespondente, pronar përfitues apo trust zbërthehen në mënyrë të detajuar në ligj.

[13] https://www.fatf-gafi.org/publications/high-risk-and-other-monitored-jurisdictions/documents/call-for-action-february-2020.html