sqen

Plani i Integritetit: Një perspektivë e re në luftën kundër korrupsionit |Tetor 2020

Plani i Integritetit: Një perspektivë e re në luftën kundër korrupsionit

Në dhjetor të vitit 2019 Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) zhvilloi Metodologjinë e Vlerësimit të Riskut të Integritetit për qeverisjen qendrore[1]. Ky është një instrument anti-korrupsion i detyrueshëm për t’u zbatuar nga institucionet qendrore që synojnë hartimin e një plani integriteti. Një përvojë e mirë për zhvillimin e këtij instrumenti ishte Metodologjia e Vlerësimit të Riskut të Integritetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore[2], e cila u zbatua në disa bashki të vendit gjatë ngritjes së sistemeve të menaxhimit të integritetit. Metodologjia për qeverisjen qendrore u pilotua në Ministrinë e Drejtësisë (MD), e cila bëhet institucioni i parë publik në vend që ka hartuar dhe miratuar një Plan Integriteti.

Metodologjia për vlerësimin e riskut të korrupsionit shërben për analizën e ekspozimit të institucionit publik ndaj dukurisë së korrupsionit. Ndërsa Planet e Integritetit janë instrumente me natyrë rregullatore dhe praktike për eliminimin dhe parandalimin e shfaqjes dhe zhvillimit të korrupsionit në institucion.

Procesi i zhvillimit të integritetit në institucionit e Ministrisë së Drejtësisë evidentoi disa rekomandime për forcimin e integritetit në sektorin publik, që janë përmbledhur më poshtë:

  • Lidershipi i institucionit: Një proces i suksesshëm i planifikimit të integritetit nuk mund të nisë pa siguruar më parë angazhimin dhe mbështetjen nga autoriteti drejtues i institucionit. Titullarët e institucioneve do të duhet të udhëheqin të gjithë procesin e planifikimit dhe menaxhimit të integritetit në institucion për t’i dhënë rëndësinë e duhur si dhe për të siguruar vazhdimësinë e procesit.
  • Korniza institucionale dhe kuadri rregullator që nxit dhe mbështet kulturën e integritetit: Ndërsa lidershipi është i rëndësishëm në inicimin dhe mbështetjen e proceseve të planifikimit të integritetit, ai ka nevojë të reflektohet më tej nga politikat institucionale. Korniza strategjike dhe rregullatore e institucionit duhet të mbështesë kulturën e integritetit, duke përfshirë një larmi të instrumenteve dhe mekanizmave për menaxhimin e integritetit. Këtu përfshihen aspekte të veçanta të integritetit, si përputhshmëria e funksioneve/përgjegjësive të ushtruara, deklarimi i pasurive, pranimi i dhuratave nga punonjësit, konflikti i interesit etj.
  • Strukturat institucionale anti-korrupsion: Strukturat anti-korrupsion duhet të fuqizohen nëpërmjet mbështetjes institucionale, duke krijuar një kuadër rregullator të qartë si edhe duke u pajisur me burime njerëzore të mjaftueshme dhe të kualifikuara.
  • Burimet njerëzore: Menaxhimi me efikasitet i riskut të integritetit në institucion ka nevojë për përcaktimin e linjave të komunikimit dhe raportimit ndërmjet niveleve të ndryshme të drejtimit; ndarjen e rolit dhe të përgjegjësive konkrete të çdo punonjësi; kualifikimin dhe trajnimin e burimeve njerëzore. Angazhim dhe detyrim i çdo titullari duhet të jetë ndërtimi i proceseve transparente në rekrutimin e burimeve njerëzore në institucion, larg ndikimeve politike dhe nepotizmit.
  • Mbështetje me burime financiare: Planit i Integritetit kërkon edhe burimet financiare të nevojshme për luftimin e korrupsionit në institucion. Parashikimi i zërave buxhetorë për zbatimin e tij duhet të jetë në vëmendjen e institucioneve publike, në mënyrë që të garantojnë një mbështetje të plotë për efektshmërinë e tij.

Planet e Integritetit në sektorin publik janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar përjashtimin, pabarazinë dhe mosbesimin në institucionet publike. Këto tre sëmundje përmbledhin koston e korrupsionit. Në këtë kontekst planet e integritetit jo vetëm do të forcojnë institucionin për të parandaluar korrupsionin përmes kurimit të simptomave por njëherazi do të kontribuojnë në përftimin e një kulture të menaxhimit publik me etikë dhe integritet, si gurë themeli i një qeverisje të mirë.

[1] Në kuadër të Projektit “Forcimi i Integritetit të qeverisjes Qendrore: Plan Integriteti për Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë” mbështetur nga  Projekti  ISDA.

[2] MVRINJVV është hartuar në kuadër të Projektit “Forcimi i Etikës dhe Integritetit në Qeverisjen Vendore”, në kuadër të asistencës së UNDP-së nëpërmjet projektit STAR2.

*Lexoni Metodologjia e Vlerësimit të Riskut të Integritetit për Institucionet e Qeverisjes Qendrore  miratuar me urdhër të Ministrit të Drejtësisë Nr. 333 datë 07.10.2020.