Brenda Workshopit Udhëtues “Partneritete për Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural”
Në datat 18-19 Korrik 2019, Rrjeti Shqiptar per Zhvillimin Rural organizoi Workshop Udhëtues “Partneritete për Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural” në komunitetet rurale të Lezhës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Workshopi i pazakontë bëri bashkë rreth 30 pjesëmarrës që përfaqësojnë aktorë të ndryshëm të zhvillimit rural.
Aktiviteti integroi udhëtimin me workshopin dhe synoi të afrojë pjesëmarrësit dhe tejkalojë barrierat midis aktorëve të ndryshëm të zhvillimit rural nëpërmjet rrjetëzimit. Synimi final i këtij aktiviteti lidhet me ndërtimin e partneriteteve ndërmjet organizatave të shoqërisë civile me institucionet publike dhe rritjen e përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse për mirëqenien e banorëve të zonave rurale në Shqipëri.
Aktiviteti shërbeu si një mënyrë për të lidhur botën e banorëve të komuniteteve rurale dhe atë të aktorëve të zhvillimit rural, të kontribuesve dhe vendimarrësve, influencuesve të zhvillimeve dhe politikëbërësve të sektorit.
Udhëtimi mundësoi njohjen direkte të realiteteve rurale; mundësi për të takuar njerëz të rinj, për t’u njohur me angazhimet e tyre në zhvillimin e komuniteteve vendore, arritjet e deritanishme dhe sfidat.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të zbatimit të projektit “Konsolidimi i rolit të Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural drejt një modeli funksional të perspektivës me pjesëmarrje nga poshtë-lart në agjendën kombëtare rurale”, i cili mbështetet nga Komisioni Europian dhe zbatohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në partneritet me organizatat AgriNET dhe AgroPUKA.
Për të mësuar më shumë rreth këtij aktiviteti lexoni Raportin e Workshop Udhëtues në anglisht dhe shqip.