sqen

Forcimi i kapaciteteve dhe ndikimi i Organizatave të Shoqërisë Civile në mirë-qeverisje dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e qeverisjes vendore

Forcimi i kapaciteteve dhe ndikimi i Organizatave të Shoqërisë Civile në mirë-qeverisje dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e qeverisjes vendore

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Qendra Kombëtare Burimore e Trajnimit dhe Asistencës Teknike (ANTTARC), organizuan në datën 29 Janar 2016 në Tiranë aktivitetin prezantues të dy projekteve CIVILISC dhe PACT, të financuara nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Delegacioni i BE ka mbështetur dy konsorciume të drejtuara respektivisht nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Qendra Kombëtare Burimore e Trajnimit dhe Asistencës Teknike (ANTTARC), në kuadër të programit IPA 2014/2015 “Instrumente për Shoqërinë Civile – Iniciativat Civile dhe Rritja e Kapaciteteve, Shqipëri”. Gjatë periudhës 2016-2018, këto projekte do të mbështesin organizatat e shoqërisë civile në zhvillimin e kapaciteteve të tyre nëpërmjet trajnimeve dhe grant-dhënies me qëllim realizimin e nismave të cilat synojnë promovimin e mirë-qeverisjes, transparencës, llogaridhënies, integritetit dhe luftën kundër korrupsionit në njësitë e qeverisjes vendore.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë në nivel kombëtar dhe lokal, institucione shtetërore dhe aktorë të tjerë (media, institucione akademike). Z. Sotiraq Hroni, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) përshëndeti hapjen e Sesionit Informues. Ai theksoi gjatë fjalës së tij rëndësinë e këtyre projekteve në luftën kundër korrupsionit, rolin dhe kontributet e aktorëve të ndryshëm të përfshirë në këtë proces, veçanërisht në nivel lokal. Z. Yngve Engstrom, Shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, tha se: “Fenomeni i korrupsionit dëmton zhvillimin e vendit dhe perspektivën e një jete të mirë për qytetarët”. Ai vuri në dukje se ekzistojnë shumë forma korrupsioni dhe nënvizoi se angazhimi shoqëror dhe reagimi ndaj tij në të gjitha nivelet kanë një rëndësi vendimtare: “Ky proces nuk mund të funksionojë pa pasur interes dhe trysni nga qytetarët”.

Gentian Elezi, Zëvendës Ministër i Integrimit Evropian, theksoi në fjalën e tij rolin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe shprehu interesin për të qenë të informuar më tej në lidhje me projektet përkatëse. Znj Erisa Proko, Këshilltare e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore i kushtoi vëmendje rolit që bashkitë do të luajnë gjatë implementimit të këtij projekti dhe transparencën e procesit të parashikuar si një detyrim ligjor, duke përfshirë edhe nismën e qytetarëve. Znj. Proko e konsideroi si shumë të rëndësishëm procesin e reformave të nisura nga qeveria, të cilat do të përfshijnë pjesëmarrjen aktive të OSHC-ve që veprojnë në Shqipëri. Në këtë aktivitet Informues ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) Z. Andi Kananaj, i cili theksoi rëndësinë e financimit nga ana e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri të këtyre dy projekteve, me qëllim rritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile në promovimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e pushtetit vendor. Dalina Jashari dhe Myftar Doçi, prezantuan përkatësisht projektet e financuara nga BE: CIVILISC (Instrumentet e Shoqërisë Civile kundër Korrupsionit) dhe PACT (Partnerë së Bashku kundër Korrupsionit). Këto prezantime u pasuan nga diskutime dhe pyetje ndërmjet pjesëmarrësve.

DJ pic1DJpic2DJpic3 DJpic4 DJpic5 DJpic6 DJpic7