Skip to content Skip to footer

Teatri Kombëtar dhe nevoja e organizimit shoqëror | Maj 2020

*Ky Op-Ed ishtë publikuar më parë me BIRN Albania, në Reporter.al më 18 Maj 2020.

Autor: Alban Dafa, hulumtues në qeverisje dhe siguri

17 maji, dita që duhej të ishte e mbushur me ngjyrat e ylberit të ditës ndërkombëtare të komunitetit LGBTI, u mbush me hirin dhe tymin shembjes së demokracisë nëpërmjet shembjes tinëz të Teatrit Kombëtar (TK).

Aktorë, perfaqesuesit e Aleancës për mbrojtjen e teatrit dhe qytetarë duke protestuar me pankarta ne duar në hyrje të Teatrit Kombëtar | Foto : LSA

Pas shembjes së shtëpive në zonën e Unazës së Re për të bërë vend për një projekt infrastrukturor të zhytur në korrupsion, shembja e Teatrit shënon – fatkeqësisht – dështimin e dytë të organizimit dhe veprimit qytetar që shenjuan mandatin e dytë të qeverisë së zotit Rama. Ndërkohë që ligji është personalizuar prej tij nëpërmjet akteve normative të cilat kalojnë pa kundërshtime në kushtet e mungesës së Gjykatë së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese – si dhe të mungesës së një opozite parlamentare – është e nevojshmë të kuptohen arsyet themelore të këtyre dështimeve për të bërë të mundur rritjen e efektivitetit të presionit qytetar si e vetmja mënyrë e frenimit të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut. Për ta bërë këtë, është e nevojshme ta shohim të vërtetën në sy, sado e hidhur të jetë. Përtej kapjes së shtetit dhe boshllëkut institucional të krijuar nga reforma në drejtësi dhe bojkotit parlamentar të opozitës në shkurt 2019, qeveria shqiptare ka arritur të nëpërkëmbë të drejtat tona pasi ka munguar organizimi i efektshëm dhe solidariteti qytetar.

Si çështja e të drejtave të banorëve të Unazës për një kompensim të drejtë shpronësimi për shtëpitë e tyre ashtu edhe nevoja e kryerjes së një procesi transparent e demokratik për të vendosur për fatin e Teatrit Kombëtar u shndërruan nga nisma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile në çështje partiake. Për opozitën, protestat e banorëve të Unazës së Re dhe ato për parandalimin e prishjes së Teatrit Kombëtar ishin një mundësi e mirë për të sulmuar politikisht qeverinë dhe për të qenë faktor publik – sidomos pas djegjes së mandateve në shkurt 2019. Ndërkohë, qeveria e shfrytëzoi me mjeshtëri prezencën e deputetëve të opozitës në protesta duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht e rrjedhimisht të padrejta dhe duke i damkosur protestuesit ‘shpellarë’ dhe si opozitarë të zhvillimit. Uzurpimi partiak i të dyja çështjeve solli përçarjen e banorëve të Unazës dhe të aktorëve të Teatrit Kombëtar. Ata të cilët vijuan të ishin kundër politikave qeveritare u ulën në prehërin e opozitës duke shpresuar te fuqia e saj politike për zgjidhjen e tyre.

Kështu, suksesi i të dyja protestave u kushtëzua nga aftësia politike e opozitës.

Me djegien e mandateve opozita hoqi dorë pjesërisht nga pushtetin e saj politik dhe me bojkotin e zgjedhjeve vendore të qershorit 2019, e humbi tërësisht atë. Për të zëvendësuar humbjen e pushtetit institucional, ajo thirri një sërë protestash kombëtare për të treguar se kishte ende pushtet popullor.

Ndërkohë, përtej disa rasteve të mbështetjes së ndërsjelltë që bënë aktorët e TK dhe banorët e Unazës protestave të njëri-tjetrit, pjesën dërrmuese të kohës ato ishin të shkëputura në hapësirë dhe shpesh here në kohë prej njëra-tjetrës. Gjithashtu, interesi mediatik për ndjekjen e tyre nuk ishte i qëndrueshëm dhe çështjeve të tyre mund t’u bëhej jehonë kombëtare vetëm nëpërmjet protestave të organizuara nga opozita.

Mirëpo qëllimi i protestave kombëtare shkonte përtej çeshtjeve të protestuesve të Unazës dhe TK edhe pse këto çështje mund të përbënin bazat e një sërë kërkesave opozitare duke përfshirë dorëheqjen e zotit Rama, i cili akuzohej për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, dhe vendosjen e një qeverie teknike për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Duke patur parasysh ndasitë partiake dhe mosbesimin ndaj politikanëve shqiptarë – të cilët kanë treguar një vazhdimësi të pashoqë korrupsioni, papërgjegjshërie dhe kryerje marrëveshjesh të fshehta me njëri-tjetrin – venitja dhe në fund humbja e këtyre dy çështjeve në qerthullin e taktikave partiake për pushtet ishte e pritshme.

Sigurisht që do të kishte qenë naive të mendoje se opozita, e cila përbëhet nga politikanë me mungesë të theksuar integriteti njësoj si partia në pushtet, befas e kishte rigjetur ndjenjën e shërbesës ndaj qytetarëve që i besojnë votën. Por këto nuk janë zhgënjimet e para nag ulja në prehërin e një partie opozitare për të të mbrojtur të drejtat kur ato kërcënohen nga qeveria. Thirrja e protestave të 21 janarit 2011 nga Partia Socialiste – në opozitë – për të protestuar ndaj korrupsionit të qeverisë së zotit Berisha pas shfaqjes së një filmimi ku tregohej se zoti Meta – atëherë zv/kryeministër – diskutonte për punësime në administratë në këmbim të rryshfetit është një rast i ngjashëm. Pasi efektivë të Gardës së Republikës vranë katër protestues, zoti Rama nënshkroi marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e qershorit 2013 pikërisht me zotin Meta.

Nevojitet të nënvizohet se pavarësisht zhgënjimeve qytetare nga manipulimi partiak, ne ende nuk e kemi kuptuar se një infrastrukturë partiake pa integritetit qytetar dhe që nëpërkëmbë të drejtave tona posa merr pushtetin nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta në kurrizin tonë nuk do të jetë kurrë në gjendje për të mbrojtur të drejtat tona. E vetmja zgjdhje – nëse duam të jetojmë në një sistem demokratik – është organizimi dhe solidariteti qytetar si burimi i vetëm i fuqisë qeverisëse. Partitë politike furnizohen nga ky burim pushteti ose duke ia dhenë ne të drejtën për të qeverisur ose duke na i grabitur atë nëpërmjet shit-blerjes së votave dhe kontrollit të sistemit zgjedhor. Dhe kur humbasin pushtetin prej paaftësisë dhe poshtërsive të tyre, përsëri drejt nesh rreken për ta rimarrë atë dhe përsëri na shëmbin shpresën naive se do të jetë ndryshe nëse u besojmë edhe njëherë.

Është koha që interesat tona të mos i shohim të parcelizuara – të ndara dhe të largëta nga njëra-tjetra – por të përbashkëta. Duhet të kuptojmë se kur dikujt tjetër i merret prona dhe mjetet e jetesës padrejtësisht, ato na merren neve; kur dikush tjetër ndalohet të protestojë dhe të shprehë fjalën e lirë, ajo na ndalohet të gjithëve. Ky lloj solidariteti është baza për kontrollin e fateve tona. Prej tij bëhemi më të lidhur me njëri-tjetrin dhe vetem duke qenë të lidhur mund të organizohemi dhe të mbrojmë të drejtat tona të përbashkëta. Alternativa është një çizme e zezë mbi fytyrat tona përgjithmonë ose shitja e shpirtrave tanë te pushtetit!