Tiranë, 12 dhjetor 2019 – Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim organizoi forumin e politikave “Reformimi i Zgjerimit të BE-së – Këndvështrimi i Tiranës” për të diskutuar mbi skenarët e preferuar dhe realistë për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë forumit u zhvillua një diskutim midis palëve të interesuara, medias, bizneseve dhe akademikëve për të shtjelluar edhe më tej këndvështrimin e Tiranës, dhe skenarët e preferuar për anëtarësimin në BE. Folësit në këtë forum ishin Tena Prelec (Universiteti Oxford), Kristof Bender (ESI Berlin), Zoran Nechev (IDSCS Shkup), Gjergji Vurmo (IDM Albania), Selami Xhepa (Universiteti Europian i Tiranës), Ben Andoni (gazetar), Gledis Gjipali (Lëvizja Europiane në Shqipëri), Teuta Vodo (Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë, PS) dhe Arben Kashahu (Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, PD).
Zgjerimi i BE-së – Vendet e mundshme për reforma
Nevoja për të rigjallëruar procesin e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor është diskutuar nga politik-bërës të Bashkimit Evropian të cilët janë të përfshirë në proces. Disa propozime dhe rrugë për zgjerimin e BE-së janë paraqitur gjatë javëve të fundit, përfshirë këtu kriteret shtesë siç janë shpjeguar nga Bundestagu gjerman, propozimi i ‘Mini Schengen’ dhe “non-paper” i Francës. Ne shumicën e rasteve, implikimet e propozimeve të tilla diskutohen vetëm nga Bashkimi Evropian dhe shumë pak nga këndvështrimi i vendeve kandidate për t’u anëtarësuar. Prandaj ky forum politikash fokusohet më tepër në këndvështrimin e Shqipërisë në lidhje me skenarët e preferuar dhe realistë të anëtarësimit. Kjo qasje jo vetëm që jep kontekstin e diskutimit teknik në nivel qeveritar, por gjithashtu, inkurajon diskutimin midis institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare në lidhje me të ardhmen e zgjerimit të BE-së.
Paneli i parë i forumit përbëhej nga katër studiues të fushës, të cilët prezantuan skenarë të mundshëm për reformimin e zgjerimit të BE-së. Z. Gjergji Vurmo, Drejtues Programi në IDM Albania, prezantoi studimin e tij “The Western Balkans’ EU Dream: Ambition Calls for a New Process“. Sipas Z. Vurmo, kuadri i pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmirësohet. Pasi i ka shërbyer qëllimit kryesor të ‘stabilizimit’ të rajonit të pasluftës me vetëm një histori suksesi – pranimin e Kroacisë në BE- procesi i Stabilizim Asociimit (SAP), nuk ka arritur të përshpejtojë transformimin dhe rrugën e pranimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e tepër e rëndësishme të përqendrojmë përpjekjet përmes një procesi të rigjallëruar të zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor në një kornizë të qarte kohore, kushtëzim më të rreptë dhe asistencë financiare më efikase që kanalizon mbështetjen për reformat e pranimit, zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën nën një instrument të vetëm.
Tena Prelec (Universiteti Oxford) diskutoi rreth analizës të ECFR si bashkëautore e “Flatter and faster: New Western Balkans pathways to the EU”. Znj. Prelec e filloi prezantimin e saj duke nënvizuar spiralen negative të krijuar nga vonesat e shumta të BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendet kandidate dhe ato potenciale zbatojnë reforma me shpresën e pranimit në BE. Nëse zbatimi i reformave transformuese nuk shpërblehet nga BE, vullneti i vendeve kandidate për të zbatuar reforma të kushtueshme do të zvogëlohet. Me elitën politike të vendeve potenciale të cilët kanë vullnet të pakët për t’u reformuar, elita politike e BE-së nuk do të jetë e motivuar për të ndjekur anëtarësimin e këtyre vendeve kandidate.
Në prezantimin e tij mbi analizën e ESI Berlin “Coup de grâce – Delors and squaring the circle – Norway in the Balkans”, Kristof Bender (ESI) argumenton se vendimi i Macron për te bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk krijoi një krizë. Sipas tij, ky vendim bëri që kriza ekzistuese të jetë më e dukshme për të gjithë. Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas Bender, nuk do të ndodhë përsa kohë BE nuk duket ashtu siç duam ne të duket. Do të duhet kohë të zgjidhen problemet e brendshme, dhe gjatë kësaj kohe, është e rëndësishme të sigurohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë një qëllim të qartë për të zbatuar reformat.
Folësi i fundit i këtij paneli ishte Zoran Nechev (IDSCS Shkup), i cili diskutoi sesi përkthehen skenarët e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Z. Nechev e nisi prezantimin e tij me një provokim, duke argumentuar se “non paper-i” i Francës nuk ishte shkruar për ta bërë më te vështirë pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ose për te bllokuar tërësisht pranimin e tyre. Në fakt, qëllimi i saj kryesor është të ndalojë procesin e pranimit të Malit të Zi dhe Serbisë pasi vendimi u mor menjëherë pasi delegacioni francez kishte vizituar Beogradin.
Sipas Nechev, është diçka e mirë qe tani ka një propozim, ose shumë propozime, për të përmirësuar dhe hartuar procesin. Sidoqoftë një proces i përmirësuar nuk do të kompensojë asnjëherë mungesën e vullnetit politik. Nëse krahason procesin e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të Kroacisë, ndryshimet janë të dukshme. Në rastin e Kroacisë, zhvilloheshin takime të përjavshme ku diskutohej se ku mund të shtyhen reformat për të përparuar në proceset e pranimit. Kapitujt u hapën dhe u mbyllen shumë shpejt. Nga ana tjetër, në Serbi dhe Mal të Zi, duhet shumë kohë për të kaluar acquis-in. Për shembull, në Serbi gjatë gjithë vitit u hapën vetëm dy kapituj.
Për të ardhmen, Nechev, propozon të hapen kapitujt 23 dhe 24 (të cilat referohen si kapitujt fundamentalë) menjëherë pasi një vend merr statusin kandidat. Në këtë mënyrë, procesi i pranimit do të jetë më i strukturuar dhe i përshtatshëm për të gjithë nivelet e shoqërisë, përfshirë shoqërinë civile, parlamentin dhe aktorë të tjerë. Së fundmi, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian duhet të bëjnë vizita të shpeshta në rajon në mënyrë që të kenë një ide më të qartë rreth zbatimit të proceseve të pranimit në të gjitha nivelet.
Këndvështrimi i Tiranës – skenarët e preferuar dhe realistë për anëtarësimin në BE
Paneli i dytë, Këndvështrimi i Tiranës – skenarët e preferuar dhe realistë për anëtarësimin në BE u diskutuan nga pesë panelistë nga Shqipëria. Qëllimi i këtij paneli ishte të largohej nga këndvështrimi rajonal duke diskutuar se çfarë do të thotë për Shqipërinë dhe çdo grup të veçantë interesi të përfaqësuar në panel, nëse njëra prej reformave të propozuara do të bëhej realitet. Gjithashtu, gjatë forumit u diskutua se çfarë pasojash do të sillte nëse procesi qëndron i njëjtë. Në fjalën e tij Z. Selami Xhepa (Universiteti Europian i Tiranës) u fokusua tek fakti sesi ekonomia shqiptare do të prekej nga skenarët e ndryshëm të reformave të zgjerimit. Z. Xhepa e nisi fjalën e tij duke deklaruar se “të gjithë aktorët vazhdojnë të tregojnë entuziazëm dhe mbështetje të fortë për projektin evropian pavarësisht zhgënjimit serioz nga progresi i bërë deri tani. Duke pasur parasysh mungesën e besimit në udhëheqjen e brendshme politike, çështjet që lidhen me korrupsionin, përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e institucioneve dhe më e rëndësishmja shpresa për rritje ekonomie dhe standarde më të larta jetese – nuk është çudi një qëndrim i tillë nga publiku.“
Z. Xhepa theksoi se duke qenë pjesë e EEA mund të ndihmojë në modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe të krijojë një sektor privat konkurrues. Eksperiencat e vendeve të tjera gjatë pranimit në BE kanë treguar se duhen bërë ndryshime rrënjësore në mënyrë që anëtarësimi të bëhet i mundur. Duke marrë shembull vendet Baltike, Z. Xhepa vë në dukje se institucionet janë çelësi (faktori kryesor) për të nxitur modernizimin për shkak të tregut të vogël. Bashkimi Evropian duhet të përfshijë Ballkanin në një dialog serioz dhe të vendosë reforma që modernizojnë shoqërinë, ekonominë, si dhe të vendosë bazat për një anëtarësim të plotë.
Gazetari shqiptar Ben Andoni përfaqësoi këndvështrimin e medias në lidhje me zgjerimin e BE-së. Ai argumentoi se media në Shqipëri dhe në rajon shihet si armik i qeverisë, e cila pengon reformat transformuese. Terreni i vështirë për gazetarët nuk e lejon median të kryejë funksionin e saj si mbikëqyrëse për kriteret e pranimit në lidhje me korrupsionin, shtetin e së drejtës, reformën në drejtësi, reformën administrative dhe demokracinë. Kjo ndikon që kontekstit shqiptar t’i mungojë raportimi dhe literatura mediatike të qenë të distancuar nga literatura dhe raportimi i medias. Kjo gjendje pritet të përkeqësohet edhe më tej për shkak se media tani përballet me një çështje edhe më të rëndësishme, siç është ligji i ri për median, i cili pritet të miratohet së shpejti.
Gledis Gjipali ( Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Evropianë në Shqipëri) theksoi se në fillim ishin detyrat dhe standardet ato të cilat duhet të plotësoheshin, por me kalimin e kohës perspektivat janë të panjohura dhe të varura plotësisht nga vullneti politik i Shteteve Anëtare. Në lidhje me aspektin politik, Z. Gjipali thekson se duhet të kemi një zhvillim dhe mbështetje të qartë nga vendet e BE-së në mënyrë që procesi i pranimit të funksionojë.
Folësja e katërt e panelit, Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Teuta Vodo, vuri në dukje se në Shqipëri ekziston një vullnet i konsiderueshëm politik: “Ne jemi optimistë për fuqinë transformuese të BE-së e cila do të vazhdojë të jetë e pranishme në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse procesi është kthyer në diçka teknike, unë besoj se Shqipëria po ecën përpara me reformën në drejtësi.” Megjithatë, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në PD, Arben Kashahu, mbajti një qëndrim tjetër. Sipas tij shtetet e BE-së identifikuan shumë kriza në Shqipëri, të cilat bënë që vendi mos jetë gati për anëtarësim. Ai argumenton se Shqipëria, nuk duhet të akuzojë Presidentin Macron për bllokimin e negociatave, por të nxjerrë leksion dhe te shikojë dinamikat e brendshme për të bërë reforma në vend që të kërkojë mbështetje nga jashtë.
Diskutimi i pjesëmarrësve në forumin e politikave, tregon se shumica e palëve jo-shtetërore të interesuara në Tiranë bien dakord për nevojën për të reformuar procesin e zgjerimit të BE-së, për ta bërë atë më thelbësor, me përfitime të prekshme për qytetarët dhe ekonominë, përmes një qasjeje që përshpejton reformat strukturorë veçanërisht në fushat që lidhen me kriteret politike dhe aftësitë ekonomike dhe duke mirëpritur një kushtëzim të rreptë dhe të bazuar në merita. Ndërsa është thelbësore që metodologjia e re të zbatohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrësit theksuan pa mëdyshje nevojën për perspektive të qartë për anëtarësimin e rajonit në BE.