Raporti për Vlerësimin e Integritetit Institucional të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) ofron një vlerësim të thellë mbi integritetin institucional të KLP, duke analizuar kuadrin e tij për promovimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai shqyrton kapacitetet institucionale të KLP-së për përmbushjen e objektivave të integritetit të vendosura përmes planeve të integritetit, si dhe transparencën dhe llogaridhënien e institucionit ndaj përfituesve të shërbimeve. Gjithashtu, raporti vlerëson nëse KLP realizon veprimtarinë e tij në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Qëllimi i këtij raporti është të ofrojë një analizë të detajuar mbi përmbushjen e standardeve të integritetit dhe etikes nga KLP, duke ndihmuar kështu në forcimin e besimit të publikut në sistemin e prokurorisë. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) asistoi KLP-në në vitin 2022 për hartimin e planit të integritetit dhe zhvilloi një instrument të pavarur monitorimi, Indeksi i Integritetit Institucional, i cili u pilotua në disa institucione.
Ky vlerësim mbështetet në këtë instrument, i cili mund të përdoret nga kushdo i interesuar për të monitoruar zbatimin e planeve të integritetit të institucioneve publike dhe ndikimin që masat e përcaktuara kanë në forcimin e integritetit institucional.
Raporti ofron rekomandime të vlefshme për forcimin e këtyre aspekteve, duke nxitur një bashkëpunim më të ngushtë mes Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucioneve të tjera dhe shoqërisë civile. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një kulture të integritetit dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë.
Klikoni për të shkarkuar raportin e plotë në Vleresimi i Indeksit te Integritetit- KLP
Ky dokument u hartua në kuadër të Projektit ”Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike” zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) me mbështetjen financiare të Ambasadës Suedeze në Tiranë.