Skip to content Skip to footer

Projekt i Ri|Zgjerimi i hapësirës demokratike nëpërmjet angazhimit të qytetarëve në vendimmarrje

Zgjerimi i hapësirës demokratike nëpërmjet angazhimit të qytetarëve në vendimmarrje

Periudha e implementimit: (Faza e I-rë) 15 Korrik 2020 – 31 Janar 2022

PËRMBLEDHJE

Niveli i aktivizmit dhe pjesëmarrjes qytetare në Shqipëri mbetet i dobët, ndonëse zhvillimet aktuale politike tregojnë për nevojën imediate të angazhimit dhe aktikivizmit qytetar në arenën politike si një kundër-reagim dhe masë sigurie ndaj kësaj hapësire të polarizuar. Ndërmarrja e veprimeve që nxisin angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset legjislative të Kuvendit do ishin të dobishme për demokracinë dhe mirëqeverisjen në Shqipëri.  Pra vendosja e theksit mbi parlamentarizmin rikthen vatrën politike atje ku ajo përket.

Në këtë kontekst, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në partneritet me Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KSHH), po zbatojnë një projekt që synon të krijojë një mjedis lehtësues për përfshirjen aktive qytetare në proceset politike dhe legjislative në Shqipëri si një mjet për qytetarët që të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga përfaqësuesit e zgjedhur.

Kjo iniciativë po zbatohet në kuadrin e “Mbështetjes për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri” (PACEP), një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI). Përgjatë më shumë se dy viteve të ardhshme, IDM dhe KSHH në koordinim të ngushtë me organizatat zbatuese të PACEP dhe institucionin e Kuvendit të Shqipërisë si një nga përfituesit kryesorë, do të ndërtojnë kapacitetet dhe do të zhvillojnë mekanizma për aktorët vendorë në të gjithë Shqipërinë për të formësuar përfshirjen dhe kontributin e tyre në proceset legjislative.

OBJEKTIVAT SPECIFIKË

  1. Vendosja e mekanizmave për forcimin e marrëdhënies së qytetarëve dhe OShC-ve me parlamentin për një kontribut dhe pjesëmarrje efektive përmes Rrjeteve Lokale Qytetare.

Bashkëveprimi i qytetarëve me përfaqësuesit e parlamentit do të fuqizohet përmes Rrjeteve Lokale Qytetare (RrLQ), ndërsa aksesi dhe pjesëmarrja do të mbështeten nga platforma online e dedikuar, rritje kapacitetesh dhe ofrim ekspertize, aktivitete për angazhimin vendor të qytetarwve, etj.

  1. Intensifikimi i angazhimit në proceset politike dhe legjislative përmes edukimit qytetar.

Edukimi qytetar do të zhvillohet në partneritet me OShC-të dhe institucionet arsimore në mënyrë që të vendoset komunikimi me qytetarët, veçanërisht të rinjtë, në nivel kombëtar. Kjo do të përfshijë informimin e vazhdueshëm dhe zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese për përfshirjen në proceset politike dhe legjislative. Gjithashtu, në bashkëpunim me stafin e Kuvendit, do të zhvillohen manuale trajnimi për angazhimin qytetar dhe do të përditësohet faqja zyrtare e Kuvendit me një hapësirë të dedikuar informuese për të rinjtë dhe pjesëmarrja e tyre në aktivitetin parlamentar.

  1. Mbështetja dhe forcimi i lidershipit në nivel komunitar dhe kapacitetet për të ndikuar në proceset dhe vendimmarrjen parlamentare përmes instrumenteve të reja dhe pjesëmarrëse të demokracisë deliberative.

SHTYLLAT  KRYESORE TË PROJEKTIT

Aktivitetet e projektit janë konceptuar dhe planifikuar për të mundësuar arritjen e objektivave të vëna dhe të rezultateve të pritshme. Aktivitetet janë planifikuar në tre faza, ku e para është – VLERËSIMI, RRJETËZIMI DHE INICIIMI. Aktivitetet e kësaj faze kanë si qëllim të krijojnë një kuptim thelbësor të situatës aktuale mbi edukimin dhe pjesëmarrjen civile në proceset parlamentare dhe legjislative (pikënisja për angazhimin e qytetarëve dhe të Rrjeteve Lokale Qytetare në nivel rajonal, identifikimi i aktorëve kryesor dhe praktikave më efektive mbi Parlamentin ose angazhimin e aktorëve politik me qytetarët dhe OSHC-të).

Faza e vlerësimit dhe identifikimit do të krijojë themelin për nisjen e ndërhyrjeve në fazën e dytë të EDUKIMIT QYTETAR si dhe rritjen e vetëdijes në bashkëpunimin me Parlamentin e Shqipërisë dhe institucioneve arsimore për informimin dhe përfshirjen e të rinjve. Në këtë fazë të projektit do të prezantohen mjetet për të forcuar komunikimin dhe angazhimin e parlamentit me qytetaret. Gjithashtu do të lançohet platforma online për angazhimin e qytetarëve (që do të përfshijë mekanizma për nismat ligjore dhe peticione online, diskutimin dh votimin online të nismave ligjore, kënd informues për fëmijët, etj.). Një seri aktivitetesh me qëllim edukimin qytetar do t’i shërbejnë gjithashtu deputetëve që të përfshihen në dialog të hapur me qytetarët dhe të konsultohen mbi mjetet që shërbejnë për një komunikim aktiv dhe angazhim me qytetarët.   

Faza e tretë e projektit –ANGAZHIMI I QYTETARËVE PËR TË NDIKUAR PROCESET PARLAMENTARE DHE VENDIMMARRJEN –  do të fokusohet në forcimin dhe mbajtjen e  një dialogu efektiv midis qytetarëve, OSHC-ve dhe Parlamentit nëpërmjet mjeteve online dhe angazhimit të Rrjeteve Lokale Qytetare për përfshirjen e qytetarëve në nismat ligjvënëse qytetare, organizimin e debatet të hapura mbi nismat ligjore apo ngjarjeve politike me interes publik dhe zhvillimit të metodës së sondazhit deliberativ (deliberative polling).