Skip to content Skip to footer

Diskutim i Axhendës së 2013 për një Mjedis Mundësues për Shoqërinë Civile

 

Roli dhe angazhimi i shoqërisë civile mbetet thelbësor jo vetëm në rrugëtimin e vendit drejt BE-së, por edhe në të gjitha proceset zhvillimore në shoqërinë shqiptare. Në dhjetor të 2013 një axhendë prioritare veprimi u dakordësua midis qeverisë dhe përfaqësuesve të OShC-ve në vend. Nëse do të kthejmë kokën në tre vitet e fundit, shumëçka është arritur si: miratimi i Kartës së Shoqërisë Civile, ngritja e forumeve konsultative, miratimi i Udhërrëfyesit për një Mjedis Mundësues për Shoqërinë Civile, legjislacioni i ri për të drejtën e informimit dhe konsultimit publik, përmirësimi i kuadrit të raportimit financiar etj. Sidoqoftë, shumë mbetet për t’u bërë në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë të shoqërisë civile, ndikimit dhe zhvillimit organizativ të sektorit, angazhimit qytetar dhe më gjerësisht për të kaluar përtej “kushteve optimale” të një mjedisi moderisht mundësues.

Disa nga prioritetet e Axhendës së 2013 ende të pa-adresuara mbeten implementimi i përshtatshëm në praktikë i legjislacionit të miratuar, çështja e financimit publik dhe reforma e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Aspekte të tjera të ngritura nga OshC-të sipas “Matricës së Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në Shqipëri 2014, 2015” dhe “Indeksit të Qendrueshmërisë të OShC-ve 2014, 2015” janë nevoja për një proces të decentralizuar regjistrimi, trajnimi i inspektorëve tatimorë mbi trajtimin fiskal të OShC-ve, hartimi i udhëzuesëve për inspektimin, të dhënat statistikore mbi OShC-të dhe vlerën e tyre ekonomike etj.

Në këtë kontekst dhe në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të 2017, IDM organizoi në 25 nëntor 2016 tek Hotel Tirana International një event që mblodhi aktorë të shoqërisë civile, komunitetit të donatorëve, qeverinë dhe aktorë të tjerë politikë, në një forum diskutimi, advokimi dhe rrjetëzimi për të avancuar më tej zbatimin e Axhendës së 2013.

Tryeza e Rrumbullakët vlerësoi përvojën e viteve 2013-2016 për adresimim e prioriteteve për një mjedis mundësues dhe sfidat për përmbushjen e rezultateve, si dhe analizoi adresimin e pjesës tjetër të Axhendës. Gjithashtu, Tryeza diskutoi mbi mundësitë dhe nevojat për të kontekstualizuar diskursin e zhvillimit të shoqërisë civile përtej “standardeve optimale” të përfshirjes, ndikimit dhe impaktit të negociatave dhe proceseve më të gjera zhvillimore në Shqipëri.

Kjo tryezë u zhvillua në kuadër të projektit “Acquis e shoqërisë civile ballkanike – Fuqizimi i potencial advokues e monitories dhe kapaciteteve OShC-ve” financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtare e së cilit është dhe IDM.