Dëgjesë mbi problematikat sociale që prekin zonat më pak të zhvilluara dhe periferike në Shqipëri
25 mars 2024
Një nivel i rritur i angazhimit qytetar në vendimmarrjen parlamentare është thelbësor për një demokraci të qëndrueshme. Nisur nga kjo, IDM zhvilloi një sërë workshopesh nga tetori deri në nëntor 2023 në rajone të ndryshme të Shqipërisë, duke u fokusuar në informimin rreth mekanizmave të angazhimit të qytetarëve me Parlamentin dhe fuqizimin e grupeve të interesit për advokimin e shqetësimeve të tyre në mënyrë efektive.
Në këtë kontekst, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) zhvilloi një dëgjesë me deputetë të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, grupeve informale komunitare dhe grupeve të ndryshme për të diskutuar mbi problematikat sociale që prekin zonat më pak të zhvilluara dhe periferike në Shqipëri.
Përmes kësaj dëgjese u krijua mundësia për zhvillimin e një dialogu konstruktiv midis deputetëve, përfaqësuesve të ministrive të linjës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, grupeve informale komunitare dhe grupeve të ndryshme të interesit kryesisht nga zonat e Malësisë së Madhe, Kukësit dhe Dibrës.
Gjatë diskutimeve konstruktive të pjesëmarrësve u evidentuan edhe njëherë problematikat që lidhen me migrimin i të rinjve dhe shpopullimin e këtyre zonave, mungesa e planeve dhe politikave të zhvillimit të zonave rurale dhe malore, sfidat e grave rurale në aksesin në skemën e kontributeve shoqërore dhe çështje të trashëgimisë së pronësisë, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera mbështetëse për banorët në zonat rurale dhe problematika të zbatimit të arsimit gjithëpërfshirës, duke përfshirë klasat kolektive, cilësinë e dobët të mësimdhënies, etj.
Diskutimet dhe shqetësimet e ngritura gjatë kësaj dëgjese u trajtuan nga ekspertë të këtyre fushave përmes disa dokumenteve të shkurtra analitike për deputetët e komisioneve parlamentare që mund të shkarkohen më poshtë:
- Sfidat e arsimit parauniversitar në zonat rurale periferike të Shqipërisë
- Rekomandime për frenimin e flukseve emigratore të parregullta
- Problematikat sociale në zonat rurale dhe periferike në Shqipëri
Nëpërmjet diskutimit të hapur dhe shkëmbimit të ideve i jepet një zë problematikave sociale në këto zona dhe së bashku me grupet e interesuara të identifikojmë qasje të qëndrueshme për t’i adresuar në mënyrë efektive ato.
Kjo nismë është pjesë e projektit “Rritja e përgjegjshmërisë së parlamentit ndaj shqetësimeve të qytetarëve”, zbatuar nga IDM, Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS) dhe Citizens Channel, me mbështetjen financiare të Qeverisë Britanike.