Ecuria e Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit ICRG/FATF
Shqipëri ndodhet në listën e Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) për juridiksionet në mbikëqyrje të shtuar. Që prej shkurtit të vitit 2020, Shqipëri është angazhuar të bashkëpunojë me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar regjimin e parandalimit të pastrimit të parave.
Në këtë kontekst, është hartuar Plani i Veprimit ICRG/FATF, i cili përmban masat që duhen ndërmarrë për të garantuar përputhshmëri me rekomandimet e FATF.
Ministria e Drejtësisë është institucioni që udhëheq punën per realizimin e planit të veprimit. Në këtë pjesë të buletinit ofrohet përditësim mbi ecurinë e Shqipërisë për sa i përket zbatimit të Planit të Veprimit ICRG/FATF, sipas informacionit të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të bashkëpunimit për projektin e parandalimit të pastrimit të parave.
Në kuadër të Planit të Veprimit ICRG/FATF, Ministria e Drejtësisë ka implementuar, nëpërmjet financimit të buxhetit të shtetit, sistemin elektronik të letërporosisë/asistencës së ndërsjellë juridike, së bashku me dixhitalizimin e dokumentacionit që lidhet me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar, duke përfshirë prioritizimin sistematik të çështjeve të ardhura.
Qëllimi i sistemit është rritja e efikasitetit të ndihmës së ndërsjellë juridike, procesimi i çështjeve në baza të vazhdueshme, sigurimi i monitorimit në kohë reale të përpunimit të dosjeve, si dhe gjenerimi i raporteve, statistikave dhe analizave të punës së kryer në kuadër të bashkëpunimit ndërgjyqësor. Gjithashtu, sistemi i letërporosisë është i ndërlidhur dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, ku shkëmbimi i informacionit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme realizohet në kohë reale. Nëpërmjet këtij sistemi realizohet prioritizimi i letërporosive për rastet që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit ICRG/FATF, është hartuar ligji “Për profesionin e ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme”. Ligji do të mundësojë rregullimin e këtij sektori në lidhje me certifikimin, zbatimin nga ana e ndërmjetësve të detyrimeve të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe kontrollin dhe mbikëqyrjen e sektorit, sanksionet për shkelje, etj. Ligji nr.9/2022 “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, ka hyrë në fuqi në datë 09.03.2022.
Po kështu, janë hartuar ndryshimet ligjore në ligjin nr.110/2018 “Për noterinë”, duke propozuar, në bazë të rekomandimeve të FATF, që angazhimi i një noteri në lehtësimin ose ndërmjetësimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit do të përbënte shkelje dhe për rrjedhojë arsye për heqje licence. Këto ndryshime ligjore kanë hyrë në fuqi në datë 02.03.2022, me Ligjin nr.8/2022.
Në vijim, është publikuar Urdhri nr.51 i Ministrisë së Drejtësisë, datë 03.02.2022 “Për miratimin e programit vjetor të inspektimit të noterëve për vitin 2022”, i cili ka si qëllim garantimin dhe kryerjen e detyrave prej noterit në përputhje me ligjin, duke u udhëhequr nga parimet e profesionalizmit, paanësisë dhe vlerësimit të respektimit të kërkesave ligjore në përputhje me standardet e parashikuara në legjislacionin noterial. Gjithashtu, programi është hartuar duke marrë në konsideratë rekomandimet në kuadër të luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ku një pjesë e inspektimeve që do realizohen janë kundrejt subjekteve noteriale të cilat konsiderohen si me risk të lartë.
Për të lexuar buletinin e plotë kliko këtu.