sqen

IDM rekomandon krijimin e nje autoriteti kombëtar Anti-Korrupsion të gjithëpranuar dhe mirëvendosur| 14 dhjetor 2018

IDM rekomandon krijimin e nje autoriteti kombëtar Anti-Korrupsion të gjithëpranuar dhe mirëvendosur

Tiranë, 14 dhjetor 2018 – IDM në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH) organizuan konferencën “Për një autoritet kombëtar të gjithëpranuar dhe mirëvendosur në sistemin e qeverisjes”. Ky aktivitet u mbështet në: raportin e auditimit të performancës mbi “Strategjinë Antikorrupsion” (KLSH) dhe dokumenti analitik i IDM-së “Ulja e Ndikimit të Politikës mbi Agjencitë Anti-korrupsion”. Në konferencë ishin të pranishëm anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të ILDKPKI dhe KLSH, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë njëherazi dhe Koordinatori Kombëtar i Luftës kundër

Korrupsionit, përfaqësues nga institucioneve të tjera të pavarura në vend, përfaqësues nga ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.

Në këtë aktivitet u mbajtën prezantime dhe diskutime të frytshme mbi nevojën e një autoriteti kombëtar të pavarur në luftën kundër-korrupsionit, i cili do të sillte rezultate të prekshme dhe do të garantonte legjitimitet në veprimtarinë e tij. Në këtë kontekst, Z. Boris Divjak, Anëtar i Bordit të Drejtorëve të Transparency International, theksoi se nuk ekziton një model ideal në lidhje me agjencitë anti-korrupsion, por ngritja e tyre është shumë e rëndësishme për parandalimin dhe hetimin e korrupsionit.

Përfaqësuesi i KLSh, Z. Rinald Muca, rekomandoi krijimin e një agjencie kombëtare anti-korrupsion e cila do të ishte përgjegjëse për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të strategjisë kombëtare në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, përfaqësuesit e IDM, Z. Sotiraq Hroni dhe Zj. Rovena Sulstarova, mbështetur në gjetjet e disa studimeve dhe sondazheve të realizuara nga IDM në vitet e fundit, theksuan nevojën e një autoriteti kombëtar anti-korrupsion të pavarur, i shoqëruar me garanci ligjore, burime institucionale dhe burime financiare të mjaftueshme.

Kreu i komisionit parlamentar për integrimin evropian, Z. Genc Pollo theksoi në fjalën e tij se një autoritet kombëtar anti-korrupsion efektiv është një forcë e madhe kundër korrupsionit në rastet kur ai është i pavarur nga ekzekutivi. Ndërsa Z. Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në zyrën e delegacionit të BE-së në vend, argumentoi se përfshirë edhe modelet e ofruara mbi një autoritet kombëtar të pavarur, me rëndësi është që Shqipëria të vijojë luftën anti-korrupsion dhe për këtë duhet të angazhohen të gjitha institucionet ne vend.

Kjo konferencë u përpoq të jepte një kontribut në debatin kombëtar në kërkim të një modeli të përshtatshëm mbi autoriteti anti-korrupsion i cili do të gëzonte njëherazi dhe besimin e shoqërisë.