Publikohet raporti i tretë i Moneyval për progresin në masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri
Moneyval ka publikuar në muajin maj 2022 raportin e tretë të rishikimit, pas Vlerësimit të Përbashkët të realizuar në vitin 2018. Ky është një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave, i cili e vuri Shqipërinë në ndjekje të zgjeruar në vitin 2018. Në sistemin e Moneyval “enhanced follow up – ndjekje e zgjeruar” shpjegohet si një nga tre procedurat që vlerësojnë masat e marra nga autoritetet sipas standardeve dhe rekomandimeve të Task Forcës për Vlerësim Financiar (FAFT) kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit. Sipas këtij vlerësimi, Shqipëria ka shënuar progres në disa nga masat e ndërmarra për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke rritur nivelin e përputhshmërisë me standardet e FATF.
Raporti i tretë ka analizuar disa nga mangësitë e identifikuara më herët dhe avancimin që ka bërë Shqipëria për përmirësimin e tyre.
Në kuadër të kësaj analize është bërë rivlerësimi për rekomandimet 24, 26, 28 dhe 38. Rekomandimet 24 dhe 26 rezultuan në përmirësimin e vlerësimeve nga “pjesërisht në përputhje” në “kryesisht në përputhje” në dy fusha që lidhen me transparencën dhe pronësinë përfituese të personave juridikë dhe rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare. Rekomandimi 38 i cili lidhet me fushën e ndihmës së ndërsjelltë juridike (MLA) për ngrirjen e aseteve dhe konfiskimin, rezultoi gjithashtu në përmirësim të mëtejshëm nga “pjesërisht në përputhje” në “në përputhje” me standartet e FATF. Në rekomandimin 28 që lidhet me kërkesat për të kufizuar dhe parandaluar kriminelët apo njërëz të lidhur me ta për të kontrolluar dhe menaxhuar biznese nuk ka pasur përmirësime të ndjeshmë. Gjithashtu nuk ka pasur përmirësim edhe për licensimin apo regjstrimin e kazinove, çka ka bërë që rekomandimi të mos ketë rivlerësim për përmirësim por të mbetet aty ku ishte.
Moneyval ka rishikuar një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të ndërmarra në fushat e vlerësuara, si dhe ka shqyrtuar regjistrin e pronësisë përfituese, kërkesat për hyrjen në treg për institucionet financiare dhe ndihmën e ndërsjelltë juridike në lidhje me konfiskimin. Për shkak të kufizimeve procedurale, Moneyval nuk vlerësoi shkallën në të cilën masat janë zbatuar këto masa në mënyrë efektive në praktikë. Një tjetër zhvillim pozitiv i evidentuar nga Moneyval është miratimi i ligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili ka krijuar mekanizmin e nevojshëm për marrjen dhe mbajtjen e informacionit të saktë dhe të përditësuar të pronarëve përfitues. Po ashtu Shqipëria ka përmirësuar legjislacionin për të garantuar saktësinë e informacionit bazë të personave juridikë të paraqitur në Regjistrin Tregtar dhe ka vendosur sanksione të reja për mospërputhje me kërkesat e regjistrimit. Në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike, janë krijuar mekanizmat e nevojshëm për ekzekutimin e urdhrave të konfiskimit të huaj, ndarjen e aseteve të konfiskuara me vendet e huaja dhe dhënien e ndihmës për konfiskimet pa dënim.
Monëyval vlerëson se Shqipëria ka ndërmarrë hapat e nevojshëm në fushën e licencimit të institucioneve financiare jobankare me qëllim që të parandalojë kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre ose të kenë (ose të jenë pronarë përfitues) të një interesi të rëndësishëm ose të mbajnë një funksion drejtues.
Në vlerësimin e përgjithshëm, Shqipëria ka adresuar një pjesë të konsiderueshmë të mangësive teknike të përputhshmërisë brenda tre viteve pas miratimit të Raportit të Vlerësimit të Ndërsjellë. Konkretisht është arritur përputhshmëri e plotë për gjashtë nga dyzëtë rekomandimet e FATF-së dhe ka ende mangësi të vogla në zbatimin e njëzetë e nëntë rekomandimeve ku është vlerësuar “në masë të madhe në përputhje”. Vetëm katër nga rekomandimet mbeten ende “pjesërisht në përputhje” dhe nevojitet progres i metejshëm në këtë drejtim.