Skip to content Skip to footer

Përmbledhje | Forumi shumaktorial mbi parandalimin e pastrimit të parave në Shqipëri

IDM organizoi në 13 prill forumin e parë shumaktorial mbi parandalimin e pastrimit të parave. Forumi mblodhi së bashku në tryezë përfaqësues të shoqërisë civile, medias investigative, rretheve akademike, shoqatave të sektorit privat, institucionet publike, politikbërës dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta të luftës ndaj pastrimit të parave në Shqipëri. Forumi synoi të kontribuojë në rolin, vizibilitetin dhe ndikimin më të madh të aktorëve joshtetërorë në politikat e parandalimit të pastrimit të parave.

 

Z. Sotiraq Hroni, i cili mbajti fjalën hyrëse, moderoi panelin fillestar. Znj. Adea Pirdeni, Zv. Ministre e Drejtësisë, Z. Benjamin Rockwell, përfaqësues i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Z. Aurélien Juliard, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, gjithashtu adresuan pjesëmarrësit me fjalimet e tyre.

 

Paneli i diskutimit, i moderuar nga Z. Gjergji Vurmo, ofroi këndvështrimet e aktorëve të ndryshëm mbi sfidat dhe prioritetet përsa i përket parandalimit të pastrimit të parave dhe rolit të shoqërisë civile, akademisë dhe medias në përpjekjet për përmirësimin e regjimit. Znj. Ardita Shehaj, këshilltare pranë GIZ Albania, shtjelloi rëndësinë thelbësore të përfshirjes së shoqërisë civile në politikat e parandalimit të pastrimit të parave. Z. Fabian Zhilla, studiues pranë GI-TOC, trajtoi potencialin e rretheve akademike për të nxitur hulumtimin, ndërsa Znj. Kristina Voko, Drejtore Ekzekutive e BIRN në Shqipëri, foli mbi vështirësitë e gazetarisë për të investiguar rastet e pastrimit të parave.

 

Forumi shumaktorial u zhvillua në kuadër të programit “Mbështetja e Luftës ndaj Pastrimit të Parave në Shqipëri”, zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Avokatisë, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit të Sh.B.A.

 

Për më shumë mbi këtë temë, shfletoni raportin më poshtë. Shkarko: Përmbledhje Forumi AML.