Skip to content Skip to footer

Klubi i Hulumtuesve të Rinj

 

Takimi i parë

9 Tetor 2014

Klubi i Hulumtuesve të Rinj (Young Researchers Club) është pjesë e nismave të ndërmarra në kuadër të programit RRPP për Ballkanin Perëndimor. Ky klub nisi më 9 tetor 2014 në Tiranë dhe është konceptuar në formën e një forumi ndërveprues, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të bashkëveprojnë me kolegë, politikë-bërës dhe aktorë të tjerë të fushës për sa i përket shkencave sociale dhe avancimit të hulumtimit në vend.

Duke pasur parasysh se tradita e hulumtimit në fushën e shkencave sociale në Shqipëri është shumë e re, si dhe nevojën për të ndërtuar dhe zhvilluar një rrjet të qëndrueshëm midis hulumtuesve të kësaj fushe, YRC është perceptuar si një mjet thelbësor në shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive.

Takimi i parë pati si qëllim nisjen e kësaj metode informale të komunikimit midis hulumtuesve të rinj në fushën e shkencave sociale në Shqipëri, sikurse ndërtimin e një ure lidhëse midis kërkimit shkencor dhe botës së biznesit.

Diskutimet e këtij takimi u fokusuan mbi:

  • Panorama e situatës aktuale dhe sfidat e hulumtimit shkencor në fushën e shkencave sociale në nivel kombëtar;
  • Nevoja për të riparë debatin aktual mbi identitetin e hulumtuesit;
  • Koncepti ‘kërkimi si proces’;
  • Struktura hierarkike ekzistuese ne fushën e hulumtimit dhe rëndësia e mobilitetit dhe interdisiplinaritetit.

Në takim ishin prezent 24 hulumtues të rinj, të përzgjedhur midis rreth 50 aplikimeve të derguara. E ftuar në këtë takim ishte Dr. Odeta Barbullushi (zv. Rektore për Kërkimin Shkencor dhe Metodologjinë, UET). Gjithashtu, Dr. Teuta Dobi dhe Dr. Esmeralda Shehaj morën pjesë në takim në emër të Bordit të RRPP në Shqipëri.

img_1791_2 foto_2_1