sqen

Organizatat studimore të BE dhe ato shqiptare shkëmbejnë perspektivat mbi procesin e Evropianizimit të Shqipërisë | prill 2019

Organizatat studimore të BE dhe ato shqiptare shkëmbejnë perspektivat mbi procesin e Evropianizimit të Shqipërisë

Tiranë, 30 prill 2019 – Javën e kaluar, IDM zhvilloi aktivitetin e parë të serisë së Forumit të Politikave “Evropianizimi për tej procesit” i cili ka si qëllim nxitjen e shkëmbimit të ideve e perspektivave mbi çështje të rëndësishme që lidhen me procesin e evropianizimit. Aktiviteti u mbajt më 23 prill dhe bëri bashkë organizata studimore shqiptare e evropiane, duke përfshirë këtu Qendrën për Politika Evropiane (EPC), Qendrën për Studimin e Politikave Evropiane (CEPS) dhe  Iniciativën Europiane të Stabilitetit (ESI). Çështjet kryesore të cilat u trajtuan konsistojnë në impaktin e prioriteteve të Bashkimit Evropian mbi vendet e Ballkanit; zgjedhjet evropiane dhe çfarë ato nënkuptojnë për sa i përket politikave të brendshme të vendeve anëtare; dhe se si organizatat studimore të Ballkanit duhet t’i përqasen Brukselit dhe vendeve anëtare të BE. Shumë shpesh, këto tema diskutimi neglizhohen në diskursin shqiptar si pasojë e fokusit mbi procesin e zgjerimit të BE.

Në fjalën e saj në Forumin e Politikave, Zj. Monika Bylaite, Zëvendës Shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, theksoi se “diskursi publik në Shqipëri dhe në të vërtetë, në të gjitha vendet kandidate, nuk duhet të kufizohet me procesin e anëtarësimit në këtë bashkim; ai gjithashtu duhet të fillojë të përfshijē sa më shpejt edhe a të çka përfaqëson ky bashkim si edhe çështjet me të cilat ai po ballafaqohet dhe do të ballafaqohet në të ardhmen.”

Steven Blockmans, Ekspert i Lartë në CEPS & Drejtuesi i Njësisë së Politikave të Jashtme të BE-së, tha gjatë prezantimit të tij se pavarësisht nga uniteti i treguar kundrejt Brexit, vendet anëtare janë tashmë më të përçara se kurrë. “Duke marrë parasysh fragmentimin politik që pritet të vijë nga Parlamenti Evropian dhe që është reflektuar në përbërjen e Komisionit Evropian, është e pritshme që të shohim më pak politika të reja nga ana e Brukselit dhe një insistim mbi konsolidimin e politikave ekzistuese. Vështirë se do të ketë avancime të mëdha të reformave së Bashkimit Evropian pa u ballafaquar me presionin e forcave të jashtme.” Ai shtoi gjithashtu se “Nëse e kur të ndodhë, Brexit do të ndryshojë natyrën e marrëdhënieve të BE me vendet fqinje, përfshirë dhe shtetet në Evropën Juglindore të cilat nuk do të jenë ende pjesë e BE.” Përgjatë fjalës së tij, Blockmans iu referua prioriteteve të Politikave të BE në pesë vitet e ardhshme siç

janë trajtuar edhe në raportin më të fundit të CEPS “What Comes after the Last Chance Commission? Policy Priorities for 2019-2024”.

Në përgjigje të sfidave të BE si më sipër, Zj. Senida Mesi, Deputete – Komisioni i Integrimit Evropian, tha se “problemet dhe sfidat e BE nuk duhet të vonojnë procesin e zgjerimit. Politikanët i referohen shpesh dimensionit politik të zgjerimit, duke anashkaluar atë njerëzor.

Dëshira e Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE është shumë e lartë. Po kështu edhe sfidat e Shqipërisë.” Mesi argumentoi se më shumë se 83% e Shqiptarëve janë pro integrimit në BE. Si pasojë, Shqipëria duhet të punojë më fort në mënyrë që të plotësojë kriteret e vendosura.

Corina Stratulat, Analiste e Lartë Politikash & Drejtuese e Programit të Politikës dhe Institucioneve Evropiane në EPC, vuri në dukje se viti 2019 është një periudhë e rëndësishme votimesh për BE.

Është e rëndësishme që Komisioni i ri i BE të shmangë izolimin e euroskeptikëve, teksa akoma e më shumë parti euroskeptike po rrisin influencën e tyre në shtete të ndryshme anëtare. Parlamenti Evropian do të përballet me parti anti-evropiane, sepse qytetarët evropianë janë të pavendosur se për kë do të votojnë. Stratulat deklaroi se sfida më e vështirë është t’u tregohet njerëzve se votimi është i rëndësishëm dhe se me votën e tyre evropianët mund të sjellin ndryshime në Bashkimin Evropian.

Në prezantimin e tij, Adnan Cerimagic, Analist në Iniciativën Europiane të Stabilitetit (ESI), iu referua historisë së Havels dhe Mečiars në mënyrë që të ilustronte dinamikat dhe ndryshimet në procesin e zgjerimit që nga anëtarësimet e vitit 2004. Cerimagic nxori në pah se logjika pas procesit së aderimit duket të jetë thyer, por organizatat studimore vendore duhet të vazhdojnë të jenë të frymëzuara e të japin kontributin e tyre ndaj këtij procesi.

Panelistët theksuan se vendet e Ballkanit duhet të krijojnë mundësi për vetveten që të bashkëpunojnë më tepër me organizatat studimore të BE përtej procesit të zgjerimit. Një mundësi mund të jetë dhënia e një perspektive Ballkanike mbi temat të cilat janë tepër të rëndësishme për vendet anëtare. Për shembull, shumë organizata studimore të BE po fokusohen mbi marrëdhëniet me Kinën apo sigurinë kibernetike. Ky debat mund të jetë një mundësi për vendet e Ballkanit që të japin perspektivën e tyre mbi këto çështje.

Përmbledhtazi, pavarësisht se fokusi i Shqipërisë mbi hapjen e negociatave është i natyrshëm dhe i nevojshëm, duhet të ketë një ndërgjegjësim më të madh mbi atë se çfarë ofron Bashkimi Evropian.

Ky Forum politikash organizohet me mbështetjen e Nismës Shoqëria e Hapur për Europën – OSIFE.