Problematikat sociale në zonat rurale dhe periferike në Shqipëri

Komunitetet rurale, veçanërisht ato të largëta dhe malore, karakterizohen nga një ekonomi e ngushtë bazuar kryesisht në bujqësi, blegtori, turizëm, pylltari dhe aktivitete të ngjashme, dhe jeta sociale të kufizuar. Gjithashtu, ndër vite ekonomia dhe jeta sociale kanë pësuar gjithnjë rënie. Mundësitë e popullatës vendase për punësim janë të pakta dhe të ardhurat që gjenerohen janë të ulëta. Trendi i të rinjve që largohen nga këto zona është gjithnjë në rritje, duke bërë që popullsia që mbetet në komunitete të jetë e vogël në numër dhe e plakur. Infrastruktura publike sociale dhe ekonomike është e dobët dhe shërbimet publike janë të pamjaftueshme ose mungojnë. Mungesa e aksesit në burime, shërbime dhe mundësi është e dukshme duke shkaktuar varfëri dhe përjashtim social të popullsisë së këtyre zonave. Ndryshimet e mëdha demografike në popullsinë rurale, veçanërisht trendi gjithnjë e në rritje i të rinjve që largohen nga këto zona, po rrezikon qëndrueshmërinë e aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale, sigurinë ushqimore, jetën komunitare dhe ruajtjen e biodiversitetit dhe peizazhit natyror. Megjithatë, përkundër ndikimit të konsiderueshëm që ka tkurrja e zhvillimit të komuniteteve rurale në zhvillimin social ekonomik të vendit, ende nuk ka veprime konkrete dhe politika aktive për të adresuar situatën e këtyre komuniteteve në përgjithësi, e në veçanti të grupeve më të cenueshme. Politika të njëmendta të zhvillimit të qëndrueshëm rural, që marrin në konsideratë aspektet sociale, ekonomike dhe mjedisore në zhvillimin e këtyre zonave dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së këtyre komuniteteve ende nuk janë ndërmarrë, ose në rastet e pakta kur ka pasur nisma ato kanë qenë jo-efektive. Zbatimi i instrumentit evropian për zhvillimin e integruar rural, e njohur si qasja Leader, ende nuk është nxitur dhe mbështetur, për shkak të mungesës së vullnetit politik për ta mbështetur këtë instrument në Shqipëri.

Për të shkarkuar dokumentin e plotë klikoni këtu.

Ky dokument është hartuar në mbështetje të një cikli të dëgjesave publike me anëtarëve të komisioneve parlamentare në kuadër të projektit “Rritja e përgjegjshmërisë së parlamentit ndaj shqetësimeve të qytetarëve”, zbatuar nga IDM, Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS) dhe Citizens Channel, me mbështetjen financiare të Qeverisë Britanike. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë dokument janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet dhe opinionet e qeverisë britanike.