Ky raport, pjesë e ciklit të katërt radhazi të monitorimit të reformës në administratën publike në Shqipëri, është një nga gjashtë raportet e hartuara sipas metodologjisë së re të WeBER. Ai vlerëson llogaridhënien dhe transparencën e administratës shtetërore në dy drejtime: transparencën reaktive, pra mënyrën se si institucionet u përgjigjen kërkesave për informacion, dhe transparencën proaktive, pra informacionin që institucionet publikojnë vetë në faqet e tyre zyrtare.

Gjetjet tregojnë se kuadri ligjor për të drejtën e informimit është i konsoliduar, por zbatimi mbetet i pjesshëm. Institucionet iu përgjigjën 89% të kërkesave për informacion, por vetëm 81% e tyre e dhanë informacionin e plotë. Transparenca proaktive mbetet shqetësuese. Vetëm dy nga pesë institucionet e vlerësuara publikojnë informacion të përditësuar dhe të kuptueshëm për qytetarët mbi veprimtarinë e tyre. Informacioni për buxhetin mungon në të gjitha institucionet.

Vlerësimi mbështetet në Parimet e Administratës Publike të SIGMA/OECD dhe në qasjen e WeBER të bazuar në evidenca. Ai kombinon analizën e kuadrit strategjik dhe ligjor, praktikat e zbatimit dhe perceptimet e qytetarëve dhe ekspertëve. Burimet përfshijnë dokumente zyrtare, kërkesa për informacion, intervista të strukturuara dhe një sondazh kombëtar të perceptimit publik. Raporti e krahason Shqipërinë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat krahasuese rajonale dhe të gjitha raportet kombëtare e rajonale të Monitorimit RAP nga 2017 deri në 2025 gjenden në faqen www.par-monitor.org.

Raporti është pjesë e projektit WeBER 3.0, një nismë rajonale e Rrjetit Think for Europe (TEN) për monitorimin dhe mbështetjen e reformës në administratën publike në Ballkanin Perëndimor. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

📥 [Shkarko raportin në shqip] | [Download the report in English]