Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka publikuar raportin e ri: Konsultimi Publik në Shqipëri: Iluzioni i Përfshirjes.
Ky raport paraqet rezultatet e monitorimit të thelluar nga IDM të 50 ligjeve, politikave publike dhe dokumenteve strategjike të konsultuara nga qeveria qendrore gjatë viteve 2022-2023.
Vlerësimi mbulon 10 institucione kyçe të qeverisjes, duke vlerësuar proceset e tyre të konsultimit publik sa i përket:
- Transparencës dhe aksesueshmërisë së dokumenteve të konsultimit;
- Efektivitetit të procesit të konsultimit publik;
- Llogaridhënies publike gjatë këtij procesi;
- Pjesëmarrjes qytetare në konsultim;
- Garantimit të gjithëpërfshirjes dhe mosdiskriminimit.
Krahas analizës cilësore për konsultimin publik të kryer më herët nga IDM, ky vlerësim për herë të parë, ofron të dhëna statistikore lidhur me këtë proces të rëndësishëm të qeverisjes.
Sistemi i vlerësimit i zbatuar në këtë studim ofron mundësinë për të krahasuar performancën e institucioneve në konsultimin e akteve të ndryshme, në raport me parimet e mësipërme. Përfundimisht, rezultatet nxjerrin në pah një ‘’distancë të largët’’ ndërmjet transparencës dhe pjesëmarrjes në konsultimet e qeverisë.
Qëllimi i këtij studimi është të kontribuojë në advokimin bazuar në evidenca, për ndryshime ligjore dhe përmirësimin e praktikave institucionale, në mënyrë që konsultimet publike të kryejnë funksionin e tyre themelor – përfshirjen dhe ndikimin e publikut në vendimmarrje.
Këtu mund të shfletoni studimin në anglisht dhe në shqip.
Këtu mund të shfletoni metodologjinë e monitorimit.
Kjo raport monitorimi është hartuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në kuadër të Projektit “Forcimi i transparencës dhe qeverisjes së mirë përmes konsultimit publik” mbështetur financiarisht nga National Endowment for Democracy (NED). Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e National Endowment for Democracy.