Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka kënaqësinë të publikojë 4 raporte të vlerësimit të integritetit institucional të 4 institucioneve të larta të administratës publike në Shqipëri.

Vlerësimi i Indeksit të Integritetit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë;

Vlerësimi i Indeksit të Integritetit për Komisionerin për të Drejtën për Informimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;

Vlerësimi i Indeksit të Integritetit për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

Vlerësimi i Indeksit të Integritetit për Institutin për Shëndetin Publik.

Raportet janë hartuar nga një ekip ekspertësh dhe ofrojnë një vlerësim të detajuar mbi përmbushjen e kritereve të integritetit, meritokracisë, transparencës dhe llogaridhënies të këtyre institucioneve. Vlerësimi është bërë sipas Indeksit të Integritetit të Institucioneve Publike, instrumenti i parë metodologjik për monitorimin e integritetit publik nga shoqëria civile në Shqipëri.

Monitorimi i integritetit të institucioneve publike është thelbësor për të siguruar një sistem publik të besueshëm dhe efikas. Ai promovon transparencën në proceset vendimmarrëse, duke rritur besimin e publikut në institucionet publike. Përmes këtij monitorimi, identifikohen praktikat e mira dhe dobësitë institucionale që mund të ndikojnë në cilësinë e shërbimeve, duke lejuar që të ndërmerren masa parandaluese dhe përmirësuese. Gjithashtu, monitorimi ndihmon në vlerësimin e llogaridhënies dhe përgjegjësive të autoriteteve, duke kontribuar në përmirësimin e politikave dhe praktikave që lidhen me drejtësinë, të drejtën e informimit e të dhënat personale dhe shëndetin publik.

Raportet u konsultuan në takime të brendshme me institucionet e vlerësuara dhe në takime publike me institucionet kryesore të fushave përkatëse, duke përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisionerin për të Drejtën për Informimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutin për Shëndetin Publik, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përfaqësues nga ministritë e linjës, Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Departamentin e Administratës Publike, Shkollën e Magjistraturës, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, Prokurorinë e Rrethit Tiranë, akademinë, organizatat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile, median dhe përfaqësues të trupës diplomatike në vend.

Qëllimi kryesor i këtyre takimeve qe të ndahen njohuri praktike mbi monitorimin e pavarur të integritetit dhe të promovojmë një kulturë të fortë integriteti në të gjitha institucionet publike. Monitorimi i jashtëm për zbatimin e planeve të integritetit është kyç për të mbështetur një kornizë qeverisjeje transparente dhe llogaridhënëse.

Ky takim përmbyll një etapë të rëndësishme të projektit “Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike”, mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Tiranë.