Nga Redi Ametllari
Prokurimi publik kategorizohet si një sektor me risk të lartë për disiplinën financiare. Në kontekstin e debatit publik për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, prokurimi publik ka marrë trajtën e preludit për të abuzuar me fondet publike.
Kuadri rregullator për prokurimet publike ka qenë subjekt i ndryshimeve të shpeshta ligjore, ku së fundmi u miratua ligji nr. 16/2024, që ndryshon ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”. “Red flag” i parë u vendos nga Bashkimi Evropian, në raportin e vitit 2024 për Shqipërinë, për një ndryshim të posaçëm ligjor. Konkretisht në raport BE-ja ka shprehur shqetësim për përputhshmërinë me acquis dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit sa i përket kompetencës së Këshillit të Ministrave, që brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, mund të autorizojë institucionet e administratës shtetërore ose publike në nivel qendror të negociojnë drejtpërdrejt dhe pa konkurrim marrëveshje konsulence me subjekte ndërkombëtare brenda kompetencës së tyre në fusha me interes strategjik[1].
Me qëllim përafrimin e legjislacionit kombëtar me Nenin 2 të Direktivës 2014/24 të BE-së, një tjetër ndryshim ligjor i rëndësishëm prezanton një koncept të ri, ku ofruesi i shërbimeve të prokurimit mund të jetë tanimë edhe një ent privat, vendas ose i huaj. Megjithatë, ndryshimet e reja ligjore nuk kanë përfshirë një dispozitë të rëndësishme, konkretisht Nenin 24 të direktivës përkatëse, që parashikon se koncepti i konfliktit të interesit duhet të mbulojë edhe ofruesit privatë të prokurimit.
Debati që përfshin këtë ndryshim ligjor ngre pikëpyetje nëse bashkë me transferimin e menaxhimit të prokurimit publik te ofruesit privatë, po riskohet të hiqet dorë edhe nga llogaridhënia shtetërore. Përderisa institucionet/agjencitë shtetërore kanë detyrime kushtetuese dhe administrative për të pasur llogaridhënie dhe transparencë në përdorimin e fondeve publike, paqartësi të shumta lidhen me mënyrën sesi një kompani private do t’i nënshtrohet këtyre kërkesave. Për më tepër, ky ndryshim ligjor u lejon ofruesve privatë të shndërrohen në Autoritete Kontraktuese, një status që deri më tani i është njohur vetëm administratës publike. Kjo krijon shumë paqartësi lidhur me fushën e përgjegjësisë administrative dhe penale për ofruesit privatë në rastet e konstatimit të shkeljeve në procedurat e prokurimit.
Menaxhimi i prokurimeve publike nga kompanitë private mund të zvogëlojë kontrollin publik dhe të pengojë aksesin e institucioneve mbikëqyrëse, shoqërisë civile dhe qytetarëve për të monitoruar përdorimin e fondeve publike, duke minuar kështu transparencën e procesit. Kompanitë private që menaxhojnë prokurimet publike mund të kenë kosto të larta operative që rrisin shpenzimet e prokurimit, duke krijuar kontradiktë me qëllimin ligjor për përdorimin me efektivitet të fondeve publike. Duke qenë se prokurimi do të bëhet me fonde publike, kompanitë private priren të shmangin analizën kosto-efektivitet dhe përqendrohen kryesisht në sigurimin e kontratës, pa marrë parasysh cilësinë dhe kostot e mirëmbajtjes së një shërbimi apo të një projekti.
Këto çështje kërkojnë një kuadër rregullator të fortë për të ruajtur dhe përmirësuar llogaridhënien dhe transparencën në prokurimin publik, duke siguruar që ky proces të mbetet i drejtë dhe i paanshëm. Në mënyrë të veçantë, sistemi i prokurimit mund të ndeshet me problemin e mbivendosjes së interesave private me interesat publike. Paradoksi që krijohet këtu është se një shërbim publik, i cili duhet të udhëhiqet nga interesi publik, do të menaxhohet nga një kompani jo-publike që natyrshëm është e udhëhequr nga interesat e saj private. Nga ana tjetër, për shkak të lidhjeve të biznesit me kompani të ndryshme, ofruesit privatë mund të preferojnë furnizues ose kontraktues të caktuar që mund të dëmtojnë konkurrencën, duke cenuar kështu integritetin e procesit të prokurimit.
Në përfundim, është e rëndësishme të theksohet se përafrimi me legjislacionin e Bashkimit Evropian nuk duhet të shihet si një proces mekanik “copy-paste” të dispozitave. Në këtë kontekst, para se të miratohet një dispozitë e re, bëhet e nevojshme të shqyrtohet e gjithë korniza ligjore e BE-së për këtë çështje, së bashku me sfidat që Bashkimi Evropian ka hasur në këtë drejtim.
Ky ndryshim, nëse nuk rregullohet në mënyrë të plotë, mund të rrezikojë zbehjen e llogaridhënies, duke çuar në dilema rreth mënyrës se si do të menaxhohen fondet publike dhe çfarë pasojash do të sjellë ky “outsource” për administratën publike dhe aktorët privatë. Si rrjedhojë, është e domosdoshme që përfshirja e kompanive private në menaxhimin e prokurimit publik të mbështetet nga një kuadër i plotë që siguron mbrojtjen e interesit publik dhe forcon efikasitetin pa komprometuar integritetin e procesit të prokurimit.
[1] https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/document/download/a8eec3f9-b2ec-4cb1-8748-9058854dbc68_en?filename=Albania%20Report%202024.pdf, p. 57