Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadër të projektit rajonal WB Reform and Growth Monitor, që zbatohet nga rrjeti TEN – Think for Europe, fton organizatat e shoqërisë civile (OShC), dhomat e tregtisë, partnerët socialë, përfaqësues të akademisë dhe palë të tjera të interesuara në Shqipëri të shprehin interesin për t’u bërë pjesë e Platformës Konsultuese për Agjendën e Reformave 2024–2027 (AKR 2024–2027).
N-CoMER është një mekanizëm konsultativ që synon të nxisë një dialog të strukturuar, gjithëpërfshirës dhe të mbështetur në të dhëna ndërmjet institucioneve publike dhe aktorëve joqeveritarë, përfshirë OShC-të, dhomat e tregtisë, akademinë dhe palë të tjera të interesuara. Qëllimi është ndjekja dhe monitorimi i zbatimit të Agjendës së Reformave në kuadër të Instrumentit për Reformë dhe Rritje të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Platforma është e hapur për të gjithë aktorët joshtetërorë që kanë përvojë ose interes në zbatimin e Agjendës së Reformave, monitorimin e Planit të Rritjes dhe/ose integrimin evropian. Pjesëmarrësit në platformë pritet të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe të përmbushin parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe dialogut.