Facebook
LinkedIn

Kapja e Medias | dhjetor 2019

Kapja e medias: Paketa anti-shpifje cënim i të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor

 

Ne kemi të drejtë natyrore që t’i përdorim pendat tona
si dhe gjuhët tona, në rrezikun dhe sakrificën tonë
‘Liria e shtypit’ në fjalorin filozofik (1764)

Autore: Rovena Sulstarova

Një paketë ndryshimesh ligjore në lidhje me mediat është pritur me shqetësim nga ata që e akuzojnë qeverinë Rama për kufizim të lirisë së shprehjes. Ndryshimet e  propozuara në paketë përfshijnë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’”, të ndryshuar” si dhe ndryshimet e propozuara në projektligjin  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’”, me argumentin se këto ndryshime do të ndihmojnë në organizimin e medias virtuale dhe do të luftojë lajmet e rreme.  Kontrolli i mediave virtuale përmes kësaj pakete rrezikon të cenojë garantimin e  lirisë së shprehjes dhe transparencën. Akordimi i atributeve gjyqësore për dy operatorët kombëtarë mediatikë, AMA dhe AKEP, cenon gjithashtu parimin e ndarjes së pushteteve dhe është në kundërshtim të plotë me parashikimet ligjore në fuqi, standardet  ndërkombëtare dhe konventat e ratifikuara nga Republika e Shqipërisë për garantimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit.

Më poshtë janë paraqitur disa kritika ndaj kësaj pakete që adresojnë cenimin e garantimit të drejtave të njeriut dhe sundimin e shtetit të së drejtës:

  • Neni 22 i Kushtetutës sanksionon garantimin e lirisë së shprehjes, shtypit, radios dhe televizionit. Ndërsa neni 7 i paketës “antishpifje” parashikon 11 parime, detyrime dhe rregulla, të cilat duhet të respektohen nga mediat virtuale gjatë botimit të një lajmi, videoje, audioje apo çdo lloji forme materiali informues. Këto detyrime tentojnë të vendosin kufizime paraprake duke censuruar materialin për publikim. Zbatimi i këtyre rregullave është thelbësor, sepse në rast të kundërt aplikohen  sanksione për subjektin që nuk i përmbush. Sipas pikës 3 të nenit 22 të Kushtetutës së RSH censura paraprake e mjeteve të komunikimit është e ndaluar.
  • Ky rregullim ligjor për lirinë e shprehjes i parashikuar në paketë bie ndesh edhe me përcaktimet e akteve ndërkombëtare në këtë fushë. Neni 19 i Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, neni 10 i Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut garantojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias si një e drejtë themelore politike dhe civile. Edhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut thekson rëndësinë që ka garantimi i kësaj të drejte në proceset politike demokratike dhe në zhvillimin e qenieve njerëzore. Për shembull, në Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, Gjykata deklaroi: “Liria e shprehjes përbën një nga themelet thelbësore të një shoqërie demokratike, një nga kushtet bazë për progresin e saj dhe për zhvillimin e çdo qenieje njerëzore”; ose, “shtypi luan një rol të spikatur në një vend të qeverisur nga shteti ligjor”[1].
  • Media virtuale që nuk respekton 11 rregullat e përcaktuara në publikimin e lajmeve mund të ndëshkohet nga Këshilli i Ankesave pranë AMA. Ky këshill ka tagrin të japë urdhër për të botuar formulën e ndjesës, sipas vendimit përkatës të shkeljes së konstatuar, ose me gjobë sipas përcaktimeve të bëra në paketë. Përpos gjobave, paketa parashikon edhe mundësi për mbylljen e portaleve nga 24 orë deri në një vit. Vendimet e dhëna nga ky këshill janë të ekzekutueshme, pa siguruar kohën e nevojshme për t’i ankimuar në gjykatë, në këtë mënyrë duke cenuar të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt ligjor (neni 42 i Kushtetutës). Procesi i gjykimit të shpifjes është një proces që konstitucionalisht dhe ligjërisht i atribuohet vetëm pushtetit gjyqësor.
  • AMA dhe AKEP dhe pse të cilësuara si institucione të pavarura, referuar kuadrit kushtetues dhe ligjor në fuqi, mund të ndikohen nga vullneti i qeverisë sepse shumica parlamentare zgjedh drejtuesit e tyre. Në këto kushte ato nuk ofrojnë garanci reale për të qenë plotësisht  të pavarura në vendimmarrjet e tyre, duke rrezikuar  cenimin e fjalës së lirë.

Garantimi i lirisë së shprehjes është një nga të drejtat themelore të vendeve demokratike dhe pikë fillimi për zhvillimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Liria e shprehjes është një e drejtë që ka mbrojtje të veçantë kushtetuese dhe është njëherazi e njohur si e drejtë themelore evropiane nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Prandaj, nëse këto projekt-ligje miratohen në Kuvend, hapi tjetër logjik i grupeve të interesit do të jetë kundërshtimi i tyre pranë Presidentit të Republikës, Gjykatës Kushtetuese dhe, më pas, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për pasojë, këto ligje do të shfuqizohen patjetër, mirëpo ndërkohë procesi do të zgjasë për faktin edhe se Gjykata Kushtetuese është jo funksionale, kufizimi i lirisë së shprehjes në media do të ndjehet realisht, si rrallëherë më parë gjatë viteve të tranzicionit paskomunist. Ndoshta efektet i tij më të mëdha do të jenë propaganda qeveritare dhe vetëcensura, si rezultat i së cilës zërat kritikë ndaj dështimeve të qeverisë Rama do të jenë më të paktë në sferën publike dhe me tonacion më të ulët se më parë.

 

[1]  Castelles kundër. Spanjës, 1992; Prager dhe Oberschlick kundër Austrisë, 1995.