|
Facebook
LinkedIn

Blog: Dilemat etike mbi raportimin mediatik të çështjeve që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe personat e kthyer nga zonat e konfliktit

Dilemat etike mbi raportimin mediatik të çështjeve që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe personat e kthyer nga zonat e konfliktit

Autore: Armela Xhaho

 

Raportimi mbi çështjet e ekstremizmit të dhunshëm (EDH), terrorizmit dhe personat e kthyer nga zonat e konfliktit, është padyshim një çështje sfiduese dhe sensitive  për gazetarët të cilët mund ta gjejnë veten përballë dilemave etike. Raportimi i lajmeve  të tilla  bëhet akoma më i vështirë në epokën e dezinformimit, kur publiku  mund të bjeri viktimë e informacioneve “të rreme,” ndonjëherë edhe si rezultat i propagandës së krijuar nga grupe ekstremiste. Duke patur parasysh ndjeshmërinë e publikut mbi çështje të tilla, media mbart një potencial të lartë për të shkaktuar “pa dashur” te publiku i gjerë panik, zemëratë dhe qëndrime jotolerante.

Raportimi  mediatik mbi çështjet e terrorizmit është shumë kompleks, pasi nga njëra anë media e ka përgjegjësi ti raportojë të vërtetën publikut, por nga ana tjetër duhet të shmangë emocionet negative që lajme të tilla mund të përcjellin jo vetëm te publiku, por edhe te familjarët apo komunitetet e këtyre personave.

Ёshtë shumë e rëndësishme që raportimet mediatike mbi çështje si  EDH  duhet të shmangin esencializmin e dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, duke respektuar parimet  etike për të informuar publikun në mënyrë të drejtë, të pavaruar dhe të paanshme.   Kështu për shembull, pamjet filmike dhe videot propagandistike të xhihadistit shqiptar Lavdrim Muhaxheri, u përhapen me shpejtësi  në platformat mediatike duke shkaktuar panik dhe frikë te publiku i gjerë. Transmetimi i pamjeve të tilla filmike përmbushën deri diku  “pa dashje” qëllimet e grupeve xhihadiste për ti bërë jehonë shkaktimit të frikës dhe terrorit te publiku i gjerë.  Në këtë këndvështrim,  gazetarët dhe partnerët mediatik duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe vigjilent në mbulimin mediatik të çështjeve kaq sensitive që mund të përhapin dhe nxisin frymën e urrejtjes dhe panikun.

Çështja bëhet akoma më delikate kur raportohet për të miturit apo  gratë  e kthyer nga zonat e konfliktit, të cilët  mund të kenë qënë dëshmitarë apo viktima të dhunës  brutale apo mund te kenë përjetuar trauma emocionale që kane lënë gjurmë në shëndetin e tyre mendor.

Po ashtu, të dhënat konfidenciale të personave të kthyer nga zonat e konfliktit u përhapen me shpejtësi  në media, duke rrezikuar kështu jetën e  tyre. Raportimi i lajmeve të tilla kërkon një vëmendje të veçantë për të  shmangur reagimet stigmatizuese nga komuniteti, i cili mund të refuzojё të ndërveprojë me tё kthyerit. Është detyrë parësore etike dhe profesionale  që media të mbrojë mirëqenien e fëmijëve. Pavarësisht nga presioni i kohës, mesazhet dhe informacioni që duhet të përcillen të publiku duhet të transmetohet pa sensacionalizëm.  Ndonëse detyra e medias është raportimi i të vërtetës, shpesh herë përmbajtja e informacionit mund të shkaktojë më shumë dëme dhe efekte negative “boomerang” që mund të dëmtojnë dinjitetin personal dhe kohezionin social të grupit.  Media nuk duhet kurrsesi të etiketojnë apo stigmatizojnë  grupe të caktuara për të rritur lexueshmërinë dhe vizitën e faqeve të internetit. Media duhet të gjejë një ekuilibër të duhur midis të drejtës për të përçuar te publiku informacion dhe nevojës për të respektuar konfidencialitetin, jetën private dhe dinjitetin e shtetasve shqiptarë, përfshirë të kthyerit nga zona e konfliktit.

Ekspozimi i publikut ndaj materialeve me përmbajtje dhune dhe akte terroriste apo personat që janë kthyer nga zonat e  konfliktit,  është padyshim një çështje që kërkon maturi profesionale. Informimi dhe ndërgjegjësimi i gazetarëve mbi raportimin mediatik  etik për sa i përket çështjeve që lidhen me terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm dhe personat që kthehen nga zonat e konfliktit është tejet i rëndësishëm.  Përmes diskutimeve, punës në grupe, ndarjes së eksperiencave dhe mësimeve të nxjerra, gazetarët duhet të orientohen  drejt qasjeve profesionale në raportimin e  lajmeve të tilla. Mediat mund të jenë një partner i rëndësishëm në luftën kundër EDH dhe terrorizmit. Në këtë kontekst, rritja e vetëdijes etike të gazetarëve për të raportuar lajmet pa “ngjyresa e ngarkesa të forta emocionale”  është gur themeli për një gazetari  me standarde të larta  profesionale.