Takimi i tretë i Klubit të Hulumtuesve të Rinj u fokusua tek “Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimi shkencor”. Për momentin kjo temë është aktuale në Shqipëri, duke qenë se projektligji për reformën në arsim është duke u konsultuar me grupet e interesit dhe së shpejti do të kalojë për diskutim në Parlament.
Në takim ishin prezent 15 antarë të klubit, i cili u moderua nga Sidita Dibra nga YRC, dhe Elona Dhëmbo, Këshilltare e lartë e RRPP. Të ftuar ishin z. Arbjan Mazniku, zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit, dhe Prof. Ervin Demo, zv. Rektor për Orientimin Akademik dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Universitetit të Tiranës. Ata prezantuan një panoramë të ndryshimeve që reforma ka për qëllim të sjellë në fushën e kërkimit shkencor.
Debati u përqëndrua mbi këto pyetje me rëndësi të veçantë për antarët e klubit:
- Sa do të ndikojë në forcimin e kërkimit shkencor dhënia e autonomisë universiteteve?
- Si duhet të ndryshojnë strukturat e universiteteve në mënyrë që të garantojë konkurrencën për fondet publike dhe private për kërkimin shkencor?
- A do të ketë një ripërcaktim të roleve të stafit akademik dhe kandidatëve për PhD brenda departamentit?
- A kanë universitetet shtetërore në dispozicion kapacitetet teknike dhe njerëzore për të konkuruar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar?
Komuniteti i hulumtuesve deklaroi se, karshi nivelit embrionik të zhvillimit të universiteteve shqiptare, reforma mund të krijojë disa sfida për universitetet publike përsa i përket produkteve kërkimore cilësore dhe mbledhjes së fondeve, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe infrastrukturës teknike. Ndërkohë, universitetet private u panë si të privilegjuara nga projektligji mbi arsimin e lartë, duke qënë se ato kanë ngritur tashmë kapacitetet e nevojshme dhe mund të zhvillojnë aktivitete kërkimore. Pra, sipas pikëvështrimit të tyre, për të siguruar konkurrencën e ndershme midis universiteteve publike dhe private gjatë procesit të akordimit të fondeve publike, autoritetet shtetërore përgjegjëse duhet të parashikojnë periudha specifike kalimtare, të cilat nga ana tjetër, do të mund ti mundësojnë institucioneve publike të arsimit të lartë të adaptohen në këtë realitet të ri.