Modeli eksperimental që prezantohet në këtë studim synon të hulumtojë ndikimin e emocioneve (përfshirë këtu ankthin dhe entuziazmin), në vendimmarrjen e punonjësve të administratës publike në situata me rrezikshmëri ligjore. Duke u bazuar në Teorinë e Inteligjencës Afektive, nëpërmjet këtij eksperimenti synohet të identifikohet (i) se si emocionet ndikojnë në kërkesën për informacione të tjera shtesë para marrjes së një vendimi kur përballemi me një situatë rreziku; si dhe (ii) identifikimin e faktorëve që ndikojnë në sjelljen etike të punonjësve të administratës publike në vendin e punës.
Përdorimi i pyetësorëve të para-eksperimentit dhe pas-eksperimentit ndihmoi në testimin e lidhjeve midis faktorëve të tillë si arsimi, origjina, të ardhurat, niveli i njohurive për integritetin, dhe njohuritë politike me sjelljen e vendimmarrjes.
Rezultatet e eksperimentit treguan se punonjësit me njohuri të thella të rregullave të integritetit shfaqin më shumë dëshirë për të marrë informacione kur përballen me shkelje të rregullave në vendin e punës.
Analiza e dytë tregoi se faktorë si integriteti, njohuritë politike, mosha, gjinia, studimet universitare jashtë vendit, të ardhurat mujore dhe leximi i librave janë faktorë kyç që ndikojnë në vullnetin e punonjësve për të raportuar shkelje.
Në përfundim, hulumtimi pohon se integriteti profesional është një faktor kyç që ndikon në mënyrën se si trajtohen nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri situatat me rrezik. Për të rritur nivelin e integritetit në këto mjedise, rekomandohet organizimi i trajnimeve dhe promovimi i një kulture që i konsideron vlerë integritetin dhe veprimin me etikë. Gjithashtu, duhen marrë parasysh edhe faktorë të tjerë si njohuritë politike, mosha, gjinia, dhe të ardhurat në hartimin e strategjive për të nxitur raportimin e rasteve të shkeljeve në procedurat administrative.