Facebook
Mail

Një dekadë nga ligji për konsultimin publik në Shqipëri: Thirrje për reformë

Në një shoqëri demokratike, konsultimet ndërmjet autoriteteve publike dhe qytetarëve janë thelbësore për transparencën, llogaridhënien, besueshmërinë dhe legjitimitetin e vendimmarrjes. Niveli i zbatimit të konsultimeve publike është tregues i rëndësishëm i demokracisë së një vendi dhe ekzistencës së një hapësire civile mundësuese. Anashkalimi i konsultimit shpesh ndikon në cilësinë e ligjeve dhe politikave po aq sa edhe në besimin e publikut. Ai rrit shpeshtësinë e ndryshimeve të mundshme ligjore që rezultojnë në mbiprodhim ligjesh dhe cënim të parimit të sigurisë juridike. Përveç cilësisë së dyshimtë të një vendimmarrjeje që nuk bazohet në evidenca, integriteti i vetë procesit mund të rrezikohet kur mungon shqyrtimi publik. Një manifestim i kësaj është fenomeni i ligjbërjes me porosi, produkt i korrupsionit madhor të evidentuar në Shqipëri. Ligjet e porositura legalizojnë kapjen e shtetit duke vendosur rregulla që favorizojnë interesat private në kurriz të interesit publik, ndërsa ato zakonisht miratohen pa konsultim publik.

Ndërsa i afrohemi një dekade nga miratimi i Ligjit Nr. 146/2014 Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, zbatimi i tij i vakët kërkon reflektim nga të gjithë aktorët.

Në këtë kuadër, ky studim ofron një vlerësim të gjendjes aktuale të konsultimit publik në nivel qendror, përmes lenteve të parimeve të qeverisjes së mirë: efikasiteti, transparenca, aksesueshmëria, proaktiviteti dhe mosdiskriminimi. Analizohet korniza ligjore, politike dhe mangësitë e evidentuara ndër vite, zbatimi i saj në çdo hallkë të procesit të konsultimit nga planifikimi dhe hartimi i draftit deri tek miratimi dhe raportimi, si dhe përfshirja dhe roli i aktorëve publikë dhe jo publikë.

Qëllimi parësor është që gjetjet t’i shërbejnë advokimit për ndryshime ligjore, të praktikës dhe qasjes së aktorëve ndaj procesit, si dhe fuqizimit të mekanizmave të pavarur, për të mundësuar përmbushjen e qëllimit të konsultimeve publike – përfshirje dhe ndikim në vendimmarrje.

Shkarkoni dokumentin në Shqip dhe Anglisht.

Publikime të Ngjashme