sqen

THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI | Afati  05.07.2021

Kjo thirrje është hapur në kuadër të projektit STAR3. Projekti STAR3 zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe pushtetin vendor, dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe qeveritë e Suedisë dhe Zvicrës, UNDP në Shqipëri dhe Qeveria Shqiptare. 

Në kuadër të projektit STAR3 “Mbështetja dhe Avancimi i Reformave të Qeverisjes Vendore”, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në cilësinë e Partnerit po zbaton komponentin e këtij projekti “Zgjerimi i praktikës standarde të planifikimit të integritetit në nivel vendor”.

Kjo thirrje për shprehje interesi i drejtohet njësive të vetëqeverisjes vendore të interesuara për t’u përfshirë në procesin e planifikimit të integritetit në kuadër të projektit “Zgjerimi i praktikës standarde të planifikimit të integritetit në nivel vendor”. Qëllimi i këtij projekti është forcimi etikës dhe integritetit në qeverisjen vendore si dhe ngritja e sistemeve efektive të menaxhimit të integritetit në nivel institucioni nëpërmjet hartimit dhe miratimit të instrumentit anti-korrupsion – Planit të Integritetit.

Kjo asistencë kontribuon në përmbushjen e objektivit A.11 – Adoptimi i politikave kundër korrupsionit në nivelin e qeverisjes vendore, parashikuar në Planin e Veprimit 2019–2023, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit.

KONTEKSTI

Plani i Integritetit është një dokument strategjik që ofron kornizën konceptuale (politikat dhe masat) për përmirësimin e integritetit institucional. Ky i fundit, në nivel vendor ka një rëndësi të veçantë në forcimin e qëndrueshmërisë së luftës ndaj korrupsionit dhe promovimin e vlerave të qeverisjes së mirë, komponentë këto mjaft të rëndësishëm për përmirësimin e performancës dhe rritjen e besueshmërisë publike në qeverisjen vendore.

Zhvillimi i një plani integriteti për bashkinë shënon një fillim të mbarë për të vendosur sisteme efektive dhe koherente të integritetit si dhe për të promovuar praktikat e menaxhimit të integritetit në nivelin e vetëqeverisjes vendore. Në këtë mënyrë, nëpërmjet sistemeve të integritetit bashkia do të mund të përdorë burimet e kufizuara me përgjegjshmëri, duke i shërbyer interesit të qytetarëve në përputhje me ligjin dhe politikat vendore e kombëtare, si edhe duke synuar standarde të larta profesionale dhe etike.

Në kuadër të projektit STAR 2,  në periudhën 2019-2020 IDM zhvilloi Metodologjinë e Vlerësimit të Riskut të Integritetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Kodin Standard të Sjelljes. Këto instrumente të cilësuara si mekanizma anti-korrupsion u miratuan nga Ministria e Drejtësisë në cilësinë e Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe iu shpërndanë bashkive të vendit për zbatim. Të dy instrumentet u pilotuan në  6 bashki të vendit: Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Mallakastër, Mat dhe  Patos. Kjo shënon një përpjekje të rëndësishme për mirëqeverisjen vendore, veçanërisht në fushën e transparencës, llogaridhënies, integritetit dhe anti-korrupsionit. Aktualisht bashkitë pilote kanë një plan integriteti të miratuar dhe janë në proces të zbatimit dhe monitorimit të planit të veprimit duke adresuar dhe minimizuar risqet e identifikuara të integritetit.

STAR 3 nëpërmjet projektit “Zgjerimi i praktikës standarde të planifikimit të integritetit në nivel vendor” synon të replikojë përvojën e suksesshme pilote të praktikës së zhvillimit të planeve të integritetit në 14 bashki të tjera të vendit.

Objektivi i Përgjithshëm i STAR3 është të forcojë efektivitetin dhe efikasitetin e qeverisjes vendore përmes përmirësimit të kornizës mbështetëse, konsolidimit të sistemeve, standardeve dhe kapaciteteve organizative të vendosura, zgjerimin dhe mbajtjen e inovacionit të ofrimit të shërbimeve dhe praktikave më të mira, dhe institucionalizimin e përgjegjësisë së qeverisjes vendore ndaj grave dhe burrave për një përmirësim të qeverisjes me pjesëmarrje. STAR3 synon të kontribuojë në arritjen e katër rezultateve kryesore vijuese:

  1. Praktikat e qeverisjes me pjesëmarrje të qeverisjes vendore janë ekzistuese dhe funksionale, si dhe nxisin angazhimin qytetar.
  2. Sistemet dhe standardet e qeverisjes vendore janë përmirësuar, zgjeruar dhe konsoliduar për një ofrim më të mirë shërbimesh dhe performancë më të mirë të bashkive.
  3. Institucionet e qeverisjes qendrore përgjegjëse për decentralizimin dhe qeverisjen vendore, kanë kapacitetet për të orientuar me efikasitet hartimin, koordinimin dhe monitorimin e politikave.

FOKUSI I THIRRJES

IDM në cilësinë e Partnerit Përgjegjës në zbatimin e projektit “Zgjerimi i praktikës standarde të planifikimit të integritetit në nivel vendor” do të asistojë 14 bashkitë në zhvillimin e një plani për menaxhimin e riskut të integritetit në nivel institucional gjatë një periudhe tetë mujore (gusht 2020-mars 2021). Procesi do të koordinohet me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore/Ministrinë e Brendshme si dhe Ministrinë e Drejtësisë – Autoriteti Kombëtar Kundër Korrupsionit. Identifikimi dhe përzgjedhja e 14 bashkive do të bëhet nëpërmjet një procesi aplikimi të hapur dhe gjithëpërfshirës të bashkive të vendit.

Bashkitë e përzgjedhura për hartimin e një plani integriteti do të zbatojnë Metodologjinë për Vlerësimin e Riskut të Integritetit për Qeverisjen Vendore. Procesi i planifikimit të integritetit institucional do të ndjekë një qasje pjesëmarrëse duke përfshirë përfaqësues të angazhuar në nivele të ndryshme organizative dhe në fusha të ndryshme funksionale të bashkisë, në identifikimin dhe vlerësimin e risqeve si dhe hartimin e masave specifike për minimizimin e tyre.

IDM do të lehtësojë dhe asistojë me kapacitete teknike procesin nëpër të cilin do të kalojnë bashkitë e përzgjedhura për vlerësimin e riskut të integritetit, i cili përfshin:

  • Ngritjen e grupeve të punës brenda bashkive;
  • Takime prezantuese dhe konsultuese me ekspertët;
  • Analizën e kuadrit rregullator aktual të bashkisë në lidhje me anti-korrupsionin dhe integritetin;
  • Fokus-grupe për diskutimin e risqeve të integritetit dhe faktorëve të riskut në bashki;
  • Workshope tematike për diskutimin e masave specifike për adresimin e risqeve të integritetit sipas prioritizimit të tyre;
  • Administrimin dhe përpunimin e të dhënave të pyetësorit me punonjësit e bashkisë në lidhje me perceptimin e tyre për aspekte të etikës dhe integritetit në institucion;
  • Konsultimin, miratimin dhe publikimin e planit të integritetit për bashkitë.

KRITERET PËR APLIKIM

Me përjashtim të gjashtë bashkive pilot të sipërpërmendura, thirrja është e hapur për të gjithë bashkitë e vendit të cilat:

  • Janë dedikuara dhe të motivuara për të forcuar përpjekjet institucionale anti-korrupsion;
  • Janë të dedikuara dhe të motivuara për të krijuar një kuadër të brendshëm rregullator që parandalon dhe/ose adreson shkeljet e integritetit;
  • Janë të përkushtuara për të përqafuar një kulturë pune pro-integritet, në interes të publikut në çdo kohë, me etikë dhe në mbështetje të zbatimit të ligjit;
  • Janë të dedikuara dhe të motivuara për promovimin e transparencës dhe qeverisjes së mirë në nivel vendor.

IDM dhe STAR 3 do të përzgjedhin 14 bashki nga bashkitë që shprehin interes për procesin duke mbajtur në konsideratë parimin e vullnetarizmit, por njëherazi edhe nivelin e angazhimit dhe gatishmërinë për të zbatuar një proces menaxhimi të riskut të integritetit në terma të vlerësimit të politikave, rregullave, strukturave, procedurave në institucion të lidhura me aspekte të veçanta të integritetit.

SI TË APLIKONI

Bashkitë e interesuara duhet të dërgojnë një Letër Motivimi të firmosur dhe vulosur nga Kryetari/Kryetarja e Bashkisë përmes e-mailit, me titull “Shprehje Interesi për zhvillimin  e Planit të Integritetit’’ në adresën [email protected] deri ditën e hënë, datë 05.07.2021 ora 23:59.