Mars 2021 – Në Shqipëri për një kohë të gjatë është mohuar ekzistenca e kapjes së shtetit, pavarësisht thirrjeve të forta nga shoqëria civile dhe media të pavarura për të shqyrtuar dukuritë që shumë qytetarë i kanë perceptuar si shenja të qarta të fenomenit në vend. Deri në momentin kur Komisioni Evropian (KE) raportoi se “disa vende në rajon vazhdojnë të shfaqin simptoma të qarta dhe shkallë të ndryshme të kapjes së shtetit”, fenomeni konsiderohej si histori e fryrë dhe legjendë urbane. Në fakt, ka qenë frika nga kapja e gjyqësorit prej individëve të fuqishëm dhe politikanëve të korruptuar që e motivoi reformën gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Megjithatë, vetëm viteve të fundit janë evidentuar “tendenca të kapjes” përtej gjyqësorit.
Ky raport dhe baza e të dhënave të tij shoqëruese për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjet e bëra me porosi, përbëjnë një gurthemel të rëndësishëm në evidentimin e fenomenit të kapjes së shtetit, përmes së cilës individë, institucione, kompani ose grupe të fuqishme brenda ose
jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia e vendit t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut. Raporti paraqet proceset përmes të cilave zyrtarët e shtetit, sektori privat dhe gjyqësori formojnë rrjetin që mundëson kapjen e shtetit në Shqipëri. Gjetjet dhe
përfundimet bazohen kryesisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjet e bëra me porosi, por edhe në raportet vlerësuese të shtetit të së drejtës nga organizatat ndërkombëtare dhe raportimet e brendshme investigative dhe ato anti-korrupsion.
Klikoni për të shkarkuar raportin e plotë në anglisht dhe shqip.