Skip to content Skip to footer

Thirrje për aplikime | Cikli i Trajnimeve Demokracia në Praktikë

Angazhimi i qytetarëve dhe grupeve të interesit në vendimmarrjen parlamentare ka potencialin për të rritur besimin dhe për t’i sjellë ata më pranë parlamentit dhe anasjelltas. Prandaj, njohja më e mirë e veprimtarisë parlamentare dhe mekanizmave të aksesit, dhe përmirësimi i rrjedhës së informacionit midis publikut dhe parlamentit shihen si parakushte për të ndikuar dhe forcuar përfaqësimin nga deputetët e zgjedhur.

Pas një sërë workshopesh të zhvilluar deri tani në të gjithë vendin; nga ku morëm rreth 100 çështje/problematika apo nisma lokale për t’i trajtuar me një procedurë parlamentare nga përfaqësues nga shoqëria civile, aktivistë individë, përfaqësues të grupeve komunitare formale dhe joformale, etj.); si dhe bazuar edhe në rekomandimet e një raporti vlerësimi[1], Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) do të zhvillojë një seri trajnimesh një-ditore me qellim rritjen e njohurive dhe kapaciteteve mbi veprimtarinë e parlamentit dhe mekanizmat e angazhimit (pikat hyrëse) të qytetarëve, si zhvillohet një fushatë advokimi dhe rrjetëzimi rreth shqetësimeve të komuniteteve lokale për t’i bërë pjesë e axhendës së punimeve të parlamentit; mënyra e hartimit dhe depozitimit në parlament të peticioneve ose nismave ligjore qytetare të suksesshme.[2] Si pjesë e qasjes tonë në katër Rrjetet Qytetare Lokale (LCNs), moduli i parë i këtij cikli trajnimesh do të zhvillohet sipas këtyre datave, në qytetet e nënvizuara:

  1. Elbasan, Berat, Korçë – 13 korrik 2021
  2. Tiranë, Dibër, Durrës – 14 korrik 2021
  3. Vlorë, Gjirokastër, Fier – 16 korrik 2021
  4. Shkodër, Lezhë, Kukës – 19 korrik 2021

Objektivi i modulit të parë të këtij cikli trajnimesh ka të bëjë me njohjen e veprimtarisë parlamentare dhe mekanizmave të angazhimit efektiv të publikut dhe aktorëve të interesit. Këtu do të përfshihet njohja me funksionet e parlamentit, rolin e komisioneve parlamentare, procesin e ligjbërjes në parlament, etj.

Qasja që do të ndiqet ka në fokus jo vetëm njohuritë teorike mbi këto procese, por edhe ato praktike në formën e këshillave dhe formateve që hartuara nga eksperti përkatës për të maksimizuar ndikimin dhe angazhimin efektiv të qytetarëve dhe grupeve të interesit në parlament. Formati i trajnimit do të jetë ndërveprues dhe do të zhvillohen me prezencë fizike si dhe do të ketë të ftuar nga institucioni i parlamentit.

Audienca e targetuar

Çdo modul trajnimi do të synojë deri në 20 pjesëmarrës në secilin prej grupimeve të qarqeve si me sipër si përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, individë, përfaqësues të grupeve informale komunitare, etj. Për shkak të numrit të kufizuar, prioritet do t’i jepet propozuesve të nismave që kemi marrë më herët në kuadër të këtij projekti, por do të pranojmë edhe pjesëmarrës të tjerë që synojnë të sjellin në vëmendjen e parlamentit nisma apo problematika të caktuara lokale.

Mënyra e aplikimit

Lutem nëpërmjet një emaili për shprehje interesi për pjesëmarrjen në këtë trajnim, specifikoni njërën prej datave më sipër dhe dërgoni këtë informacion paraprak: Emër Mbiemër, Organizata/Grupimi (nëse jeni përfaqësues apo aktiv pranë një organizate), Qyteti dhe Numri i telefonit brenda datës 8 korrik, ora 14.00, në adresën [email protected]. Aplikantët e përzgjedhur do të njoftohen për detajet logjistike dhe axhendën e trajnimit.

[1] Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Raporti i Vlerësimit “Përfshirja e shoqërisë civile në vendimmarrjen dhe proceset legjislative të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, Mars 2021.

[2] Ky aktivitet vjen në kuadër të një nisme që IDM dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) po zbatojnë dhe që ka si objektiv krijimin e një mjedisi lehtësues për përfshirjen aktive të qytetarëve në proceset në proceset legjislative dhe vendimmarrëse në Parlament si një mjet për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e këtij institucioni dhe përfaqësuesve të zgjedhur. Kjo iniciativë është në kuadrin e “Mbështetjes për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri” (PACEP), një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI).