Skip to content Skip to footer

Takime Konsultuese Rajonale: Angazhimi parlamentar gjithëpërfshirës

Takime Konsultuese Rajonale: Angazhimi parlamentar gjithëpërfshirës

Tetor 2022 – Përgjatë katër takimeve konsultuese rajonale[1] u diskutua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë aktivë lidhur me sfidat dhe prioritet për angazhimin e qytetarëve dhe grupeve të interesit në proceset parlamentare. Për t’i paraprirë konferencës përmbyllëse të projektit, këto takime rajonale u orientuan mbi mundësitë dhe mekanizmat më efikase për nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në aktivitetin parlamentar dhe çfarë mund të përmirësohet në drejtim të rritjes së ndërveprimit mes parlamentit dhe qytetarëve.

Në këtë drejtim, fokusi i diskutimeve u zhvillua në çështjen e ndërgjegjësimit të të rinjve, rolit të medias dhe sfidat në angazhimin e organizatave të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe publikut të gjerë. Siç u shpreh njëri prej pjesëmarrësve në takimin konsultues në Shkodër “Projekti PACEP, përmes IDM dhe AHC, ka dhënë shumë informacion për të rinjtë dhe OSHC-të në të gjithë vendin, por ka shumë punë për t’u bërë në zonat rurale edhe në drejtim të grupeve vulnerabël.”

Ndërgjegjësimi dhe informimi i të rinjve nga i gjithë vendi në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme për rolin dhe funksionet e Kuvendit. Kurrikulat mësimore në shkolla duhen pasuruar dhe përmirësuar për të përfshirë njohjen e institucioneve. Gjithashtu, strukturat si Këshilli Kombëtar Rinor dhe Këshillat Vendor të Rinisë mund të shërbejnë për mobilizimin dhe informimin e të rinjve për mekanizmat e pjesëmarrjes në proceset parlamentare. Nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve dhe publikut të gjerë në ditët e hapura të Kuvendit dhe dëgjesat publike edhe të deputetëve në zona përmes formave të ndryshme të komunikimit, përfshirë edhe median sociale. Nga ana e Kuvendit, pjesëmarrësit kërkuan përcjellja e një informacioni më të thjeshtë mbi nismat ligjore që diskutohen në Kuvend dhe që janë relevante për publikun.

Diversifikimi i kanaleve të komunikimit me publikun është i rëndësishëm për informimin e publikut mbi axhendën e çështjeve për diskutim në Kuvend dhe komisionet parlamentare si dhe punën e deputetëve.

 

Angazhimi i qytetarëve dhe grupeve të interesit

Në masë të madhe, pjesëmarrësit në takimet konsultuese nënvizuan nevojën për zhvillimin e më shumë dëgjesave publike me grupet e interesit dhe qytetarët nga ana e deputetëve në zonat e tyre zgjedhore. Gjithashtu, Kuvendi duhet të luajë një rol më proaktiv në zhvillimin e dëgjesave publike, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e organizatave të ndryshme lokale apo ndërkombëtare, duke parashikuar edhe buxhet për dëgjesat publike.

Pjesëmarrësit sugjeruan që pranë zyrave të deputetëve në qarqe të krijohet një sistem për kanalizimin e shqetësimeve që përcillen nga qytetarët. Ndjekja e problematikave/çështjeve deri në fund është sfiduese për qytetarët dhe OSHC-të. Për këtë, problematikat e marra nga kuvendi të mund të ndiqen dhe të informohen grupet e interesit për masat e marra apo ecurinë e tyre për mes një komunikimi të rregullt nga ana e kuvendit. OSHC-të lokale mund të zhvillojnë më shumë takime lokale me komunitetin dhe të përcjellin shqetësimet pranë komisioneve në kuvend. Nga ana tjetër, OSHC-të mund të fokusohen në monitorimin e zbatimit të angazhimeve të deputetëve të marra gjatë fushatave zgjedhore.

Gjithashtu, OSHC-të duhet të jenë më proaktive në informimin e deputetëve lidhur me punën e tyre dhe për praktikat e mira në të gjitha nivelet e qeverisjes. Vështirësitë e OSHC-ve në adresimin e problematikave në Kuvend si mungesa e specialistëve të fushës dhe buxheteve për t’i angazhuar ata, nevoja për mobilizimin e vullnetarëve për të ndërgjegjësuar dhe informuar publikun e gjerë edhe përmes zhvillimit të fushatave mediatike.

Rrjetëzimi i OSHC-ve rreth çështjeve të përbashkëta e shton presionin edhe te deputetët dhe mund të çojë në dërgimin e nismave qytetare në Kuvend.

Nevojitet informimi i publikut dhe grupeve të interesit jashtë kryeqytetit për dëgjesat e publikut për veprimtarinë e komisioneve parlamentare pasi ekziston një mungesë të njohjes së procedurave dhe mekanizmave që ka në dispozicion Kuvendi për pjesëmarrjen e qytetarëve. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit u shprehën se dëgjesat publike kanë interes të vakët sepse thuhen të njëjtat gjëra, nuk tregohet asnjëherë se ku është çuar ai buxhet i caktuar dhe çfarë është realizuar me të.

Është e nevojshme zhvillimi i konsultimeve dhe dëgjesave publike me komunitetet lokale me deputetët në rastin e investimeve strategjike në zona të caktuara si rastet e ndërtimit të porteve, aeroporteve, HEC-ve, etj.

Në këtë drejtim duhet të mundësohen referendumet lokale për çështjet që shqetësojnë komunitete të caktuara.

Në përgjithësi, pjesëmarrësit në takimet konsultuese, të mos nxitet ndarja e qytetarëve mbi baza partiake dhe duhen promovuar modelet e bashkëpunimit tejpartiake nga kuvendi e politika. Në këtë drejtim, media ka një rol negativ në përcjelljen e punës së kuvendit që fokusohet në debatet pa interes për qytetarët.

Ky aktivitet është në kuadër të “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri” (PACEP), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatuar nga NDI Albania –Instituti Demokratik Amerikan.

[1] 5 tetor 2022, Tiranë; 6 tetor 2022, Elbasan; 7 tetor 2022, Shkodër; 10 tetor 2022,Vlorë