sqen

Studiues nga IDM në Beograd për dy javë

Në vijim të planit të bashkëpunimit të Forumit për Studime për Sigurinë (SRF), në kuadrin e “shkëmbimit të studiuesve”, Zoti Foto Duro, studiues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) Tiranë, u bë pjesë e grupit të studiuesve të Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), për dy javë (01-15 Mars 2014). Si pjesë

e BCSP, Zoti Duro u ngarkua të kryente një studim në lidhje me bashkëpunimin dypalësh midis Serbisë dhe NATO-s në fushën e mbrojtjes. Një tjetër detyrim për të gjatë qënd

rimit në Beograd ishte marrja pjesë dhe kontributi në një aktivitet publik, duke prezantuar disa nga gjetjet e studimit të tij të kryer mbi “Reformat Evropianizuese në Sektorin e

Sigurisë në Shqipëri”.

I. Studimi për bashkëpunimin Serbi-NATO në fushën e mbrojtjes

Koncepti i studimit dhe fushat për kërkim:

Serbia nuk ka shprehur ndonjë interes për anëtarësim në NATO. Nga ana tjetër, ajo i është bashkuar iniciativës së “Partneritetit për Paqe” dhe ka vendosur marrëdhënie të vijueshme me NATO-n. Duke pasur parasysh këtë veçori të Serbisë në marrëdhëniet me NATO-n, u gjykua që Z. Duro, në studimin e tij, të analizonte dhe shtjellonte më shumë: 1) në veçoritë e kontekstit politik, konceptual dhe të opinionit publikk në Serbi, në lidhje me bashkëpunimin e saj me NATO-n në fushën e mbrojtjes dhe 2) bashkëpunimi konkret në fushën e mbrojtjes midis Serbisë dhe NATO-s.

Bazuar në gjetjet gjatë fazës së kërkimit dhe përgatitjes së studimit, duke pasur parasysh faktin që Shqipëria është tashmë një anëtar i NATO-s, por edhe faktin që Z. Duro ka qenë një ushtarak i lartë i angazhuar thellësisht në proceset e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u konsiderua me interes realizimi i një analize “në thellësi”, së bashku me konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse në lidhje me këtë bashkëpunim Serbi-NATO dhe çfarë mund të pritet në të ardhmen e afërt në këtë drejtim.

Aktiviteti

Ndërsa studimi është planifikuar të qarkullojë në gjysmën e parë të muajit Prill, faza e kërkimit u shfrytëzua intensivisht për studimin e dokumenteve të disponueshme dhe intervista me njerëz të ngarkuar për t’u marrë me NATO apo persona të tjerë të mirë informuar (nga organizatat e shoqërisë civile, bota akademike, etj.). Në këtë pjesë të punës, ishte me rëndësi të veçantë kryerja e intervistave me atashetë e mbrojtjes të disa prej vendeve të NATO-s rezident në Beograd (Norvegji, Holandë) dhe të Suedisë. Në mënyrë të veçantë ishte shumë informues takimi me personelin e Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake (MLO) të NATO-s, të instaluar në Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë. Gatishmëria e stafit të MLO për të dhënë informacion, kryesuar personalisht nga kreu i saj, Gjeneral Brigade Batta, prezantimi i bërë nga Zv. Kryetari i MLO, Kolonel Kostidis, që vijoi me seancën e pyetje-përgjigjeve, ishin shumë të dobishme për të kompletuar pamjen me dimensionet dhe mundësitë për përfitime reciproke të këtij bashkëpunimi, po aq sa edhe vështirësitë dhe pengesat për të.

Një burim tjetër, mjaft i rëndësishëm informacioni ishin diskutimet për këtë çështje me stafin e BCSP dhe idetë me të cilat ata kontribuuan në këtë aspekt (sidomos Drejtoresha Ekzekutive e BCSP, Zj. Sonja Stojanoviç-Gajiç dhe studiuesja Zj. Stakiç) si dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile. Intervista e kryer me Z. Filip Ejdues, Asistent profesor për Studime në Fushën e Sigurisë, Fakulteti i Shkencave Politike, Universiteti i Beogradit, ishte gjithashtu shume informuese, kjo edhe për shkak të faktit që Z. Ejdus ka qenë i përfshirë gjerësisht dhe tepër aktiv me një numër artikujsh të publikuar në lidhje me marrëdhëniet Serbi-NATO.

Vetë studimi i Z. Foto Duro mbi “Marrëdhëniet midis Serbisë dhe NATO-s në fushën e mbrojtjes” është planifikuar të publikohet brenda muajit Prill.

II. Aktiviteti Publik:

Si pjesë e shkëmbimit të studiuesve, aktiviteti publik u mbajt në mjediset e BCSP, në 13 Mars 2014. Ai iu kushtua “Reformave Evropianizuese në Sektorin e Sigurisë”, me më shumë fokus në strukturat e policisë. Aktiviteti u konceptua dhe zhvillua si një shkëmbim informacioni, gjetjesh nga anketime dhe rekomandime, midis panelistëve: Z. Elek (BCSP), Zj. Kryeziu (KCSS) dhe Z. Duro (IDM) në lidhje me reformat europianizuese në strukturat e policisë së shtetit të vendeve respektove. Integrimi në BE, reformat në polici dhe bashkëpunimi ndërkufitar ishin disa nga çështjet që ngjallën më shumë interes, për të cilat pati edhe më shumë pyetje nga salla. Në lidhje me reformat evropianizuese në Policinë Shqiptare, sikurse Z. Duro prezantoi, ato janë zhvilluar janë përballuar me sfida të shumta. Kështu, sikurse ai shpjegoi, Sektori i Sigurisë në Shqipëri (Policia në veçanti) ka ndjekur trendin e përgjithshëm të “Reformave Evropianizuese” të vendit, me pothuaj të njëjtat “ulje-ngritje”. Ai po reformohet sipas modeleve perëndimore të sektorit të sigurisë, por në një mjedis tepër të politizuar, i cili, pavarësisht progresit, ka influencuar hapat dhe ritmin e reformës. Ndryshimet e shpeshta strukturore, qarkullimet (për shkak të ndryshimeve politike në pushtet) – kanë shkaktuar shpenzime të panevojshme në burime (njerëzore e financiare) dhe në kohë. Për shkak të rasteve të korrupsionit dhe një farë pandëshkueshmërie të perceptuar në Policinë Shqiptare (sidomos në nivelet e larta) ajo konsiderohet si institucioni i dytë më i korruptuar në Shqipëri. Nga ana tjetër është ende evidente tendenca e Ekzekutivit për të mbi kontrolluar policinë, ndërsa ka penguar çdo përpjekje për mbikëqyrje  nga opozita.

Pavarësisht sfidave, Z. Duro prezantoi disa arritje konkrete. Tashmë, për Policinë Shqiptare kuadri ligjor është në përgjithësi në linjë me atë të BE. Nëpërmjet ndryshimeve ligjore e strukturore është arritur një ndarje me e qartë midis pozicioneve drejtuese politike në Ministrinë e Brendshme dhe atyre të larta në Policinë e Shtetit. Në sajë të këtyre reformave, janë vendosur rregulla të qarta për emërimet dhe gradimet (duke transferuar disa kompetenca tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit). Në përgjithësi, reformat evropianizuese në Policinë Shqiptare, kanë kontribuuar në depolitizimin e saj dhe rritjen e profesionalizmit të cilat nga ana e tyre kanë bërë që Policia të jetë më e përgatitur për misionin. Nga ana tjetër, ky është një proces i vijueshëm, që kërkon vizion të qartë dhe këmbëngulje.

Në përgjithësi, për qëndrimin në Beograd të studiuesit të IDM, ishte organizata mikpritëse (BCSP) që siguroi gjithë mbështetjen e nevojshme, në aspektin e akomodimit, informimit, koordinimit të intervistave, po aq sa atmosfera miqësore dhe inkurajuese, të cilat, ishin me shumë vlerë jo vetëm për studimin e planifikuar, por gjithashtu (dhe mbi të gjitha) për krijimin e miqësisë dhe thellimin e bashkëpunimit ndër-organizatë në fushën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.