Skip to content Skip to footer

Strategjia e BE-së dhe palëve të tjera të interesit në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri | Dokument Politikash

Strategjia e BE-së dhe palëve të tjera të interesit në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri


Janar 2021
– Kanë kaluar më shumë se pesë vjet që kur 1353 burra, gra dhe fëmijë nga Ballkani Perëndimor shkuan në Irak dhe Siri. Që atëherë, qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë masa të theksuara për të dënuar ata që kanë udhëtuar për t’iu bashkuar një grupi të huaj (para)ushtarak dhe për të dekurajuar të tjerë që të mos ndjekin hapat e tyre. Në vitin 2014 dhe 2015, qeveritë e këtyre vendeve ndryshuan kodet penale dhe e kriminalizuan bashkimin me operacione ushtarake jashtë vendit, dhe mbështetjen e operacioneve ushtarake jashtë vendit në mënyra të tjera (si nxitja e të tjerëve që t’u bashkohen këtyre grupeve, ofrimi i ndihmës që t’i bashkohen, ose duke u ofruar mbështetje financiare). Pjesa dërrmuese e vendeve ndoqën hapat e tyre duke hartuar dhe miratuar Strategji Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me anë të së cilave parashtrohen një sërë masash dhe veprimesh për t’u ndërmarrë nga palët e interesit, përfshi qeverinë qendrore dhe sektorin publik të arsimit, zbatimit të ligjit dhe mirëqenien sociale.

Organizatat e shoqërisë civile – me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe donatorëve të huaj – janë përfshirë në rritjen e njohurive mbi fenomenin dhe në zbatimin e projekteve për të parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm në të ardhmen. Përveç Departamentit Amerikan të Shtetit dhe PNUD, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare janë donatorët kryesorë të projekteve që synojnë të luftojnë dhe parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm në Ballkanin Perëndimor. Afërsia fizike e rajonit, numri i lartë i luftëtarëve të huaj në raport me popullsinë, dhe historiku i paqëndrueshmërisë, kanë nxitur shqetësimin e BE-së dhe vendeve anëtare. Për më tepër që, luftëtarët e huaj nga vendet e BE-së dhe vendet fqinje kanë bashkëvepruar në kryerjen e disa sulmeve të mëdha, përfshi sulmin e Parisit në vitin 2015; në Bruksel, Berlin dhe Nisë në vitin 2016; dhe në Mançester, Londër dhe Barcelonë në vitin 2017.

Që nga viti 2001, BE-ja ka zhvilluar dhe përmirësuar disa herë qasjet dhe politikat e saj kundër terrorizmit. Sidoqoftë, sfidat në rritje si fenomeni i rikthimit të luftëtarëve të huaj, ndërkohë që problematikat strukturore, shoqërore dhe ekonomike nuk janë zgjidhur akoma, e bëjnë të domosdoshëm hartimin e qasjeve më të mira dhe efektive për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm – si brenda BE-së ashtu edhe me fqinjët e saj. Prandaj, projekti “Parandalimi i Ekstremizmit të Dhunshëm në Ballkan dhe LMAV: Forcimi i Qëndrueshmërisë në Mjedise Mundësuese” (PREVEX) ka kryer studime të rrethanave me ndjeshmëri, dhe një studim të detajuar mbi shfaqjen apo mungesën e ekstremizmit të dhunshëm. Këto studime të thelluara, të cilat do të bashkëlidhen si krahasime rajonale, ndihmojnë në rritjen e njohurive sesi faktorët nxitës të ekstremizmit të dhunshëm operojnë, dhe çfarë mund të bëhet për të forcuar qëndresën në “mjediset mundësuese”.

PREVEX ndjek qasjen nga poshtë-lart të dinamikave në rang lokal dhe botëror, e cila nënkupton se ky studim është i pari mes disa dokumenteve të tjerë politikash specifike që kontribuon në analizat e vendeve shqip-folëse dhe analizat e mëtejshme rajonale në Ballkan. Ky dokument politikash përqendrohet në aftësinë e strategjisë së BE-së dhe palëve të tjera të interesit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri.

Rekomandimet kryesore:

  1. BE-ja duhet të marrë në konsideratë shënjestrimin e formave të tjera të ekstremizmit përveç atij Islamik, siç janë ekstremizmi i të djathtës ekstreme, ekstremizmi etnik, ose edhe dhunën politike.
  2. Është e nevojshme të përmirësohet pronësia vendore e projekteve që lidhen me P/LKEDH dhe programet e zbatuara në Shqipëri.
  3. Të çohen deri në fund zbatimi efikas i politikave, strategjive dhe aksioneve të miratuara nga institucionet qeveritare.
  4. Është e nevojshme që organizatat e shoqërisë civile të bëhen më të larmishme dhe më profesionale, në mënyrë që punonjësit e tyre të zhvillojnë ekspertizën e duhur në fusha të caktuara.
  5. BE-ja duhet të shqyrtojë ri-financimin e nismave të përshtatshme dhe efikase, që janë zbatuar mirë, duke aplikuar të njëjtën metodologji në hapësira të tjera gjeografike, ose
    duke bërë fondet e disponueshme për kohë më të gjatë.
  6. Të mbështetet Qendra CVE që të zhvillojë dhe të zbatojë një kornizë efikase për monitorimin dhe vlerësimin për të gjitha projektet e zbatuara nga OSHC-të që operojnë në Shqipëri.
  7. BE-ja duhet të zhvillojë mjetet e duhura për të monitoruar dhe vlerësuar ndikimin e përgjithshëm të nismave P/LKEDH të financuara nga prej saj.

 

Kliko për të shkarkuar dokumentin e politikave në anglisht dhe shqip.

 

 

 

Ky projekt mbështetet nga fondet e programit të Bashkimit Evropian Horizon 2020 për hulumtim dhe inovacion në bazë të kontratës nr. 870724. Përveç nëse përcaktohet ndryshe, pikëpamjet e shprehura i përkasin vetëm autorëve në cilësinë personale dhe jo të ndonjë institucioni me të cilin bashkëpunojnë, as nuk paraqesin domosdoshmërish pikëpamjet apo politikën e Komision Evropian. Për më shumë informacion mbi projektin PREVEX, shihni http://www.prevex-balkan-mena.eu.