Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikon metodologjinë e monitorimit të konsulimit publik në qeverisjen qendrore. Ky instrument ka për qëllim të vlerësojë aspekte kyçe të procesit të konsultimit publik, duke përfshirë:

  1. Nivelin e transparencës së qeverisë në lidhje me procesin e konsultimit publik;
  2. Nivelin e llogaridhënies së qeverisë në hartimin dhe konsultimin e politikave publike dhe ligjeve;
  3. Shkallën e aksesueshmërisë së dokumenteve të konsultimit publik;
  4. Efektivitetin e konsultimit publik;
  5. Nivelin e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të qytetarëve në procesin e konsultimit publik;
  6. Garantimin e gjithëpërfshirjes dhe mosdiskriminimit gjatë konsultimit publik.

Për secilin nga gjashtë parimet e mësipërme, është zhvilluar një set indikatorësh monitorimi, duke përfshirë gjithsej 31 indikatorë të cilët mund të vlerësohen nga 0 deri në 2 pikë. Ky sistem vlerësimi ofron mundësinë për të krahasuar performancën në konsultimin e akteve të ndryshme, si dhe për të bërë krahasime ndërmjet parimeve të ndryshme dhe institucioneve.

Hartimi i metodologjisë nga IDM ka kaluar nëpër katër faza kryesore. Në fazën e parë, u krye një shqyrtim i kuadrit ligjor dhe rregullator që adreson konsultimet publike, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Pas kësaj, u identifikuan parimet kryesore të konsultimit dhe u hartuan indikatorët e performancës për secilin parim. Në fazën e tretë, metodologjia u përmirësua përmes konsultimeve me palë të ndryshme të interesuara, duke përfshirë organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve publike. Faza përfundimtare përfshiu testimin e metodologjisë nga IDM dhe finalizimin e saj.

Ky instrument metodologjik është i rëndësishëm për organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset vendimmarrëse, veçanërisht ato që fokusohen në veprimtarinë e qeverisjes qendrore. Po ashtu, ai është një mjet i dobishëm për institucionet në nivel qendror, pasi u mundëson vetëvlerësimin e përputhshmërisë me parimet dhe treguesit e vlerësimit të konsultimit publik të përfshirë në këtë instrument.

 

Kjo metodologji është hartuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në kuadër të Projektit “Forcimi i transparencës dhe qeverisjes së mirë përmes konsultimit publik” mbështetur financiarisht nga National Endowment for Democracy (NED). Pikëpamjet e shprehura në këtë dokument nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e National Endowment for Democracy.